Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fëmijët po humbasin fëmijërinë si pasojë e ushqimeve me hormone

Produktet ushqimore nuk kanë të njëjtën shije si para disa vitesh, ankesë kjo që dëgjohet vazhdimisht. “Përpara, të haje një mollë, një domate apo të vendosje pak mish për të zier të mbushej me aromë e gjithë shtëpia. Sot asgjë nuk ka shije, i konsumojmë produktet edhe pse e dimë që prodhohen me hormone e pesticide, por nuk kemi zgjidhje tjetër”, shprehet Fatmira, tregtare e fruta perimeve në Tiranë.

Ndërkohë që dimë se produktet ushqimore modifikohen, por sa i njohim pasojat që sjell konsumi i tyre?

Bagëtitë u nënshtrohen sistematikisht injektimit të hormoneve seksuale – kryesisht estrogjenë ose antibiotikë, që shkaktojnë fryrjen e tyre dhe rritjen e shpejtë në peshë, ndërsa tek fëmijët që konusmojnë mishin e tyre mund të shkaktojnë pubertetin e parakohshëm. Një fakt i tillë pohohet nga mjekja endokrinologe Yllka Themeli, e cila tregon për Citizens Channel pasojat e konsumit të mishit të pasur me hormone.

“Sasia e estrogjenëve në përbërjen e mishit që konsumohet mund të jetë e vogël, krahasuar me nivelin e estrogjenëve të prodhuar çdo ditë në trupin e personave të rritur. Megjithatë, edhe të tilla sasi të estrogjenëve mund të mjaftojnë për të shkaktuar pubertet të hershëm tek vajzat dhe djemtë, të cilët nuk e prodhojnë vetë estrogjenin në këtë fazë të jetës”, shprehet Themeli.

Puberteti i hershëm është provuar se ka disa efekte problematike tek fëmijët. Këto janë disa nga rreziqet nga pikëpmja e fizikut:

  • Kancer i lidhur me horomonet në moshë madhore për vajzat që arrijnë shpejt pubertetin, si kanceri i gjirit, që vjen si pasojë e rritjes së hershme të estrogjenit.
  • Disa mjekë supozojnë se puberteti i hershëm mund të lidhet me çregullimin e tiroideve, kancerin në tru dhe kancerin në testikuj tek djemtë, sidoqoftë këto efekte nuk janë provuar.
  • Staturë të vogël sepse me të mbaruar puberteti edhe rritja frenohet.

Nga ana tjetër është mjeku gjinekolog, Roland Lama, që tregon se ardhja e periodave tek vajzat e vogla është rritur ndjeshëm. “Nëse para 20 viteve për vajzat ishte normale ardhja e periodave në moshën 15-16 vjeç, sot mosha është ulur deri në 10 – 11 vjeç”, shprehet Lama.

“Humbja e fëmijërisë” është vetëm një nga pasojat e ushqimeve me kimikate apo pesticide, por organizmat e modifikuara gjenetikisht mund të shaktojnë edhe kancer. Endokrinologia Yllka Themeli sqaron se rreziqet shtohen më shumë nëse ekspozohemi ndaj përqendrimeve të larta të hormoneve, pesticideve, ose edhe ndaj përqëndrimeve të ulëta por për një periudhe të gjatë kohore.  

“Ndërhyrjet moderne në industrinë e përpunimit të ushqimit, të tilla si modifikimi gjenetik, pesticidet, antibiotikët, hormonet, konservantët, ngjyruesit dhe aromatizuesit e ushqimit mund të kenë një ndikim negativ në shëndetin tonë, duke shkaktuar obezitet, diabet të sheqerit të tipit 2, sëmundje autoimune, kancere të ndryshme, etj”, shton mjekja Themeli.

Gratë janë më të rrezikuara nga sasitë e hormoneve që gjenden në brendësi të ushqimeve, fakt që konfimohet edhe nga mjekja Themeli.

“Hormonet mund të depozitohen në sasi të dëmshme në indin dhjamor. Gratë, për shkak të përqindjes së lartë të indit dhjamor në trupin e tyre, janë më të rrezikuara. Kokrrat në gji, një pjesë e të cilave mund të jenë kanceroze, shkaktohen pikërisht nga nivelet jo të balancuara të hormoneve, dhe ndjekja e një regjimi ushqimor të pasur me mish me hormone”, pohon Themeli.

Çdo vit në Shqipëri identifikohen 100 raste me kancer në qafën e mitrës, ndërsa rreth 40 vdekje shkaktohen nga kjo sëmundje. Të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i shpeshtë pas kancerit të gjirit për gratë e moshës 15-49 vjeç në Shqipëri.

Autor: Rashela Shehu*

*Rashela Shehu është gazetare pranë Report TV

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *