Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Yzberishti dhe Kashari, që prej tre javësh ujë i kuq në rubinet

Në kulmin e thatësirës së ujit të pijshëm, banorët e Yzberishtit, Kasharit, Katundit të Ri dhe atij të Vjetër në Tiranë ndihen të rrezikuar nga uji i pijshëm që iu vjen i kuq në rubinet. Shkak është bërë, futja ne linjë e një pusi të “harruar” që dikur përdorej për minierën e zonës dhe për vaditjen e tokave bujqësore.

“Mbaj mend që në Dituri Natyre kemi mësuar që uji nuk ka aromë, as ngjyrë e as shije. Por na paskan gënjyer. Sepse uji që na vjen në rubinetat e shtëpisë sonë ka edhe ngjyrë, edhe aromë”, na thotë njëra prej banorëve të Yrshekut, e cila na tregon e pezmatuar ujin që del nga rubineti i shtëpisë. 

Enë e mbushur me ujin që furnizohen banorët në zonën e Kasharit

Sipas banorëve u bënë gati tre javë që uji që u ka sjellë Ujësellësi është i pakonsumueshëm, ndonëse vetë specialistët e UKT-së i kanë garantuar që i janë bërë analizat dhe ai është brenda parametrave. “Uji që na vjen ne në shtëpi është një “mrekulli e natyrës shqiptare”, – thotë një tjetër banor me ironi. – Edhe ata të Ujësjellësit e dinë shumë mirë se çfarë uji është, pasi ai pus nuk ka është përdorur asnjëherë si ujë i pijshëm, por vetëm për vaditjen e tokave dhe për minierën. Kur na e lidhën tre javë më parë, u thamë që nuk mund të konsumohej, por ata të ujësjellësit na garantuan që i kishin vënë filtra dhe sipas analizave ka rezultuar ujë i pijshëm. Ne sigurisht që nuk ishim dakord se ai shihet me sy çfarë uji është, por ata na thanë: ky ujë është, nëse nuk iu pëlqen blijeni. Për të gatuar dhe për të pirë sigurisht që e blejmë se nuk bëhet fjalë me përdor këtë ujë, por kemi frikë nëse është i sigurtë edhe për të larë rrobat dhe për t’u larë vetë me të. Do shpërthejë ndonjë epidemi me këtë ujë që kemi

“Unë kam një fëmijë të vogël një vjeç, dhe nuk di nëse mund ta laj me këtë ujë apo jo. Po na vdesin dhe askush nuk mban përgjegjësi. Nuk ka mundësi që edhe pas tre javësh të paguash Ujësjellësin për të na sjellë këtë ujë në shtëpi, që vetëm ujë nuk është. Ja të vijnë ata të ujësjellësit dhe po e pinë ata do ta pimë edhe ne”, – na thotë e shqetësuar zonja që mban të voglin e saj në duar.

Reagimi

Redi Molla drejtor i Ujësjellësit të Tiranës thotë për Citizens Channel se uji në këtë zonë është i pastër, por nëse banorëve vazhdon t’iu shkojë uji me ngjyrë atëherë mund të jetë problem i rrjetit të ujësjellësit.

“Për shkak të thatësirës së madhe, burimet e kësaj zone u thanë plotësisht dhe e gjithë kjo zonë e Tiranës, të cilën ne e kemi marrë që prej një viti nën administrim, ngelën rreth dy javë pa ujë të pijshëm. Ishin me fat ata, dhe ne, që zbuluam këtë pus, i cili ishte “harruar” dhe nuk përdorej prej shumë vitesh. Bëmë lidhjen e re, shtruam tubacionet dhe pasi e lamë dy ditë të kullonte e futëm në rrjetin e ujësjellësit. I kemi bërë analizat në dy laboratorë të ndryshëm dhe ai rezulton të jetë uji i pijshëm”, – na thotë drejtori i UKT-së, Redi Molla.

Ndryshe nga banorët, të cilët pretendojnë se uji ka ngjyrë dhe aromë në të gjithë zonën, ai e mohon një gjë të tillë. “Nuk kemi pasur ankesa nga askush dhe me këtë pus furnizohen disa fshatra përreth. Nëse ka ndonjë zonë që uji i shkon me ngjyrë dhe aromë, atëherë duhet të ketë probleme me tubacionet, pasi uji në pus është brenda të gjitha standardeve. Megjithatë ne do të dërgojmë ekspertët tanë për verifikimin e situatës”, na thotë Redi Molla.

Për Olsi Nikën, ekspert në vlerësimin biologjik të cilësisë së ujërave, “nëse uji ka ngjyrë dhe aromë atëherë ai është një tretësirë ujore dhe në të mund të ketë çfarëdo gjëje, por që nuk mund të jetë i pijshëm. Është parim bazë që uji i pijshëm është pa ngjyrë, pa aromë dhe pa shije. Mund të ndodhë që të plotësojë të tre këto kushte dhe sërish të mos jetë ujë i pijshëm, por nëse uji ka ngjyrë atëherë ai nuk bën për konsum”, na thotë Nika duke shtuar se banorët duhet patjetër që t’i bëjnë analizat këtij uji për të kuptuar se çfarë uji është.  

Sa i përket faktit që më parë ky pus ishte në përdorim të minierës së zonës, për Nikën nuk përbën asnjë problem. “Ai është një burim ujor që mund të përdoret për çfarëdolloj funksioni. Nuk e bën më pak cilësor, apo të rrezikshëm ky fakt, se mund të jetë ujë shumë i mirë dhe të përdoret për minierën. Mua më shqetëson fakti që edhe pas tre javësh, që është lidhur në rrjet, uji vazhdon të shkojë me ngjyrë në shtëpitë e banorëve. Maksimumi kjo situatë duhet të kishte zgjatur dy ditë, meqë ishte një burim i vjetër dhe është rivënë në punë pas shumë vitesh, por tre javë janë një këmbanë alarmi”, na shpjegon Nika.

Sipas tij, nëse Ujësjellësi thotë që i ka bërë analizat dhe ai ka rezultuar i pijshëm, atëherë mund të jetë problem amortizimi tubacionesh. “Nëse është i pastër në burim, siç edhe thotë Ujësjellësi, atëherë ndoshta është problem tubacionesh, por një gjë është e sigurtë që ky ujë duhet analizuar dhe analizat të jenë publike dhe vetëm pasi të dinë se çfarë ka në ujë mund të përdoret apo mund të ndërhyhet në rrjet. Madje analizat e ujit të pijshëm janë detyrim që të jenë publike për të gjithë”, përfundon Nika.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *