Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shteti i pafuqishëm për të larguar fëmijët e varfër nga rruga

Të zbathur, të veshur keq dhe me dorën shtrirë, herë duke lëshuar nën zë një lutje, e herë pa fjalë të zënë rrugën të bindur se ti e di se ç’po kërkojnë…

Është kjo panorama e qendrës së qytetit të Shkodrës. Fëmijët në situatë rruge që shfytëzohen për të siguruar të holla, mbeten një nga problemet më shqetësuese të shoqërisë sonë.

Organizatat dhe shteti, deri tani kanë mundur vetëm të japin statistika dhe projekte, por ata i shohim kudo duke kërkuar lëmoshë.

Punonjësit socialë të bashkisë Shkodër thonë se shifrat janë ulur ndjeshëm, por ende është shumë e vështirë për t’i mbajtur fëmijët larg rrugës.

Ndërsa sigurohesh që do t’i japësh 20- lekshin, Kristina e cila nuk është më shumë se 10 vjeçe, tregon se përpara disa ditësh lypja në këtë zonë ishte e vështirë për shkak të punonjësve të bashkisë që nuk i lejonin, por tashmë cdo gjë i është kthyer “normalitetit”.

“Pasi na pyeten për emrin, se pse dalim për të lypur e shumë pyetje të tjera…na kërkuan të ikim prej këtu”, shton vogëlushja e cila vështron me përgjërim.

“Kjo punë vazhdoi për disa ditë, po në lypnim përreth Xhamisë së Madhe, për t’iu fshehur.”

Me afrimin e stinës së verës dhe rritjen e numrit të turistëve në qëndër të qytetit të Shkodrës ku ndalen dhjetra autobusë, për Kristinen dhe shumë bashkëmoshatarë të saj puna rritet ndjeshem…

“Të huajt na falin më shumë, edhe euro”, – buzeqesh ajo ndërsa nuk harron të përmend se “vajzat që kalojnë në pedonale janë më të dashura për të…”

“Shumë herë na shtyjnë, por prapë na falin lekë.”

Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge

Në kuadrin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme “Për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge dhe planit kombëtar të veprimit “ndihmë për familjet dhe fëmijët në situatë rruge” në Shkoder po zbatohet plani lokal i veprimit ku Bashkia ka përgjegjësinë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve dhe koordinimin e punës ndërmjet institucioneve përgjegjëse, brenda territorit të qytetit. 

Për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge janë ngritur tre grupe terreni në përbërje të të cilave janë përfaqësues të bashkisë, organizatave të shoqërisë civile dhe policisë.

Pavarësisht punës, numri i fëmijëve në situatë rrugë nuk është se ka rënë, përkundrazi në akset kryesore, fëmijët lypin, shtrihen por edhe flenë për orë të tëra të pashqetësuar nga askush.

Romët përballen me sfida të integrimit social dhe ekonomik, ndërsa të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare shkelen përditë. Fëmijët braktisin shkollat, prindërit janë pa banesa e pa punë dhe nuk përfitojnë nga kujdesi shëndetësor dhe social. Varfëria në mesin e romëve është e përhapur gjerësisht, po aq sa edhe mënjanimi social ekonomik.

Të paidentifikuar…

Të identifikosh të mitur që lypin rrugëve të Shkodrës, por edhe të Shqipërisë, është e thjeshtë, i sheh thuajse kudo, veçanërisht në kryqëzimet e mëdha apo rrugët që kanë lëvizje. Por shpesh ndihma nuk është zgjidhje e mjaftueshme.

Neni 7 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve parashikon të drejtёn e fëmijës për të pasur një emër, të drejtën për të fituar njё shtetёsi dhe, brenda mundësive, të drejtёn për të njohur prindёrit e tij dhe për të pasur kujdesin e tyre. Për të siguruar aksesin në të gjitha shërbimet, kusht i domosdoshëm është regjistrimi i çdo fëmijë pranë Gjendjes Civile.

Por situata në qytetin e Shkodrës është ndryshe, një pjesë e madhe e fëmijëve në situatë rruge janë të paregjistruar në zyrat e gjendjes civile të bashkisë, pasi ata “shtegtojnë” nga njëri qytet në tjetrin.

Sipas institucionit lokal problematikë kryesore e familjeve dhe fëmijëve në situatë rruge në Bashkinë Shkodër është se këto familje janë kryesisht nga komuniteti Rom të cilët nuk rezultojnë të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile të Bashkisë Shkodër dhe një pjesë e madhe e tyre janë banorë të përkohshëm në territor. Për këtë arsye nuk mund të përfitojnë shërbime publike si ndihmë ekonomike apo strehim.

Përballë kësaj situate, fëmijet romë dëtyrohen të dalin në rrugë për të lypur pasi kjo është e vetmja mënyre për të mbijetuar.

“Kam 3 fëmijë, me çfarë të jetoj ?”, pyet gjithë kërshëri Esmeralda, e cila shton “Për ne kujtohen veç kur ka votime, na vijnë e na pyesin se a jemi të regjistruar për të votuar kundrejt 1 000 lekëve.”

Shifrat e fëmijëve në situatë rruge

Sipas shifrave zyrtare  nga Bashkia e Shkodres për periudhen Janar- Mars 2017 janë identifikuar rreth 40 fëmijë në situatë rruge, ndërsa gjatë 2016- ës kanë qënë rreth 100 fëmijë në situatë rruge të cilët janë pjestarë të komunitetit Rom dhe Egjiptian.

Fëmijët romë që lypin në Shkodër kryesisht shfrytëzohen nga prindërit, përballë kësaj situate nuk kanë munguar edhe raste kur janë bërë kallëzime penale ndaj tyre.

Sipas Bashkisë Shkodër, disa raste të familjeve që shfrytezojnë fëmijet janë referuar në Polici, por edhe pse shfrytëzimi i femijëve për të lypur përbën vepër penale sipas nenit 124/b të Kodit penal, deri tani policia nuk ka marrë masa konkrete për procedimin e prindërve të këtyre fëmijëve.

Nga ana tjetër në këtë institucion edhe pse ka një grup pune, ajo që deri me sot ka mbetur e pazgjidhur është mungesa e një numri jeshil ku mund të denoncohen rastet e shfrytëzimit të fëmijëve në situatë rruge, me qëllim që të ndërhyhet në kohë për largimin e tyre. Madje në jo pak raste këta fëmijë haptaz vëzhgohen nga tutorët e tyre që në orare të caktuara të ditës u mbledhin xhiron ditore, të asaj çfarë i kanë falur kalimtarët.

Por pavarësisht shifrave, fëmijët vijojnë të kthehen në rrugë, aty ku sigurojnë të ardhurat për të mbijetuar. 

“Na moren në pyetje se pse dalim në rrugë dhe nuk shkojmë në shkollë”, thotë Kristina, e cila vështron e frikësuar ndërsa vijon “Po ne na duhen lekët sepse përveç babës ne të gjithë lypim për të ngrënë.”

E ëma e Kristinës e cila qëndron disa metra larg me një fëmijë të vogël në krah, nuk flet shumë kur pyetet se pse nxjerr fëmijët për të lypur, por thjesht pëshpërin “Me çfarë të jetojmë? Askush nuk e don ‘dorën e zezë!”

Autor: Elivs Nabolli, Shkodër

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *