Agjencia Kombëtare e Mjedisit: Marinza, ajër kancerogjen

Grimcat kancerogjene të ajrit të ndotur në zonën naftë-nxjerrëse të Marinzës në Fier janë dyfish më të larta se norma e lejuar nga Bashkimi Europian ose legjislacioni ynë.

Grimcat PM10 njihen për shkaktimin e sëmundjeve të zemrës dhe të mushkërive, apo në rastin më të keq në krijimin e mutacioneve të përhershme gjenetike. Mbeten gjithashtu të larta normat për elementët si kromi, sulfati i hidrogjenit

Në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2016, në kapitullin mbi “Ndotjen Industriale”, qarku i Fierit, i njohur si vendburim i puseve të naftës, rezulton më problematiku.

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit i ka kërkuar kompanisë Bankers Petrolium që për periudhën Korrik-Gusht 2016 të bëjë monitorim të cilësisë së ajrit për aktivitetin në zonën e Marinzës. Instituti i Studimeve Ambientale (ISA) në bashkëpunim me Institutin e Fizikës Bërthamore (IFB) ka realizuar një monitorim kompleks të cilësisë së ajrit në tetë pika, që janë në kufijtë ndarës të aktivitetit industrial të Bankers Petroleum Ltd me hapësirën e fshatit Marinëz. Matjet u kryen gjatë kohës së punës së aktivitetit normal të Bankers Petroleum Ltd në ditë të ndryshme për secilën pikë monitorimi ku moti ka qenë i qëndrueshëm e i nxehtë, pa reshje shiu dhe erëra të fuqishme.”

Çfarë cilësie ka ajri në këtë zonë industriale? “Mbështetur në Normat Shqiptare dhe ato të BE-së për treguesit e analizuar mund të themi se: Përmbajtja e grimcave në ajrin urban paraqitet problematike vetëm për treguesin PM10 në tre pika matjeje duke tejkaluar vetëm normën e BE-së. Përmbajtja e gazeve në ajrin urban paraqitet problematike vetëm për treguesit H2S dhe Merkaptane (R-SH) në katër pika matjeje, duke tejkaluar normën Shqiptare. Përmbajtja e metaleve në ajrin urban paraqitet problematike vetëm për treguesin e Cr (Kromin) duke tejkaluar 2 herë vlerën në të tetë pikat e monitoruara mbështetur në normën Shqiptare”, theksohet në raport.

Por si do të përktheshin këto terma në një gjuhë më të thjeshtë? Citizens Channel ka kontaktuar me disa ambientalistë,  të cilët vënë theksin tek rrezikshmëria e grimcave PM10, që sipas raportit në disa pika kanë vlerë dyfishe mbi normën.

“Grimcat PM10 (particulate matter) janë grimca shumë të imëta dhe më të rrezikshmet për shëndetin e njeriut. Këto grimca depozitohen menjëherë në mushkëri dhe luftojnë sistemin imunitar duke shkaktuar sëmundje vdekjeprurëse. Ato kanë aftësinë për të depërtuar thellë në mushkëri dhe sistemin e qarkullimit të gjakut, duke shkaktuar në shumicën e rasteve vdekje të parakohshme”, evidentojnë ambientalistët.

Për Fierin, raporti nënvizon një tjetër gjetje shqetësuese në raportin e ndotjes industriale. “Në të gjitha monitorimet e bëra për aktivitetin e prodhimit të naftës vërehet se vlerat e NBO (Nevoja biologjike per oksigjen) dhe NKO (nevoja kimike për oksigjen) janë më të larta se vlerat e lejuara”, thuhet në raport. Nivelet e larta të tyre tregojnë ndotjen e ujërave dhe cilësinë e dobët të tyre.

Ndërkohë një tjetër qark ku Agjencia ka gjetur parametra të lartë në ndotjen industriale mbetet edhe Durrësi. ”Parametrat e matura kryesisht janë brenda normave të lejuara duke përjashtuar disa raste ku kemi vlera të larta të kadmiumit (Cd) dhe plumbit (Pb) në impiantin e përpunimit të baterive, nivel të lartë të NBO-së dhe NKO-së në ujrat teknologjik të impianteve të përpunimit të peshkut të cilave u mungon impianti i trajtimit të ujit para shkarkimit në kolektorët kryesorë.”

Përgjatë viteve të fundit, banorët e Shkozetit në Durrës janë ankuar vazhdimisht për ndotjen mjedisore që u vjen nga fabrika e riciklimit të baterive të makinave, pretendime në të cilat janë mbështetur shpeshherë edhe nga ambientalistë apo ekspertë të mjedisit. Ata në vijimësi janë ankuar për probleme shëndetësore.

Në qarkun e Tiranës, raporti thekson se: “ Nga rezultatet e monitorimit vërejmë se aktiviteti i prodhimit të enëve prej materiali plastik ka tejkalim të vlerave të parametrave të matura (fortësia, amoniumi, fosfati, klorure, nitriti, turbullira) si në ujërat nëntokësore ashtu edhe në ujërat teknologjikë.”  

Autor: El.El / Citizens Channel

1 Trackback / Pingback

  1. Raporti i ISHP: Banorët e Marinzës, të sëmurë nga puset e naftës

Leave a Reply

%d bloggers like this: