Politika Europiane duhet të kthejë vëmendjen nga rinia para se të jetë vonë

Nga Marsida Bandilli*

Statistikat e ndryshme në nivel Europian tregojnë se struktura demografike e popullsisë po ndryshon, dhe se të rinjtë luajnë një peshë relative në të. Të dhënat e ndryshme nga Eurostat prej vitesh, konfirmojnë se Europa është duke u “plakur” dhe forma historike e piramidës ka ndryshuar nga një trekëndësh (që tregon shtimin e popullsisë) me një përqindje shumë të vogël të fëmijëve dhe të rinjve, dhe një përqindje të lartë të numrit të të vjetërve.

Kur Komuniteti Europian u krijua, në fillim të viteve 1950, të rinjtë luajtën një rol kryesor, në unifikimin e tij. Ata protestuan përballë Këshillit të Europës në Strasburg për heqjen e kufirit Franko-Gjerman, integrimin e shpejtë të vendeve anëtare, etj. Të rinjtë ishin një nga simbolet ose referenca kryesore e idesë së Europës së bashkuar.

Marsida Bandilli Bashkimi Europian Citizens Channel

Marsida Bandilli

Por sot, dukshëm, BE përballet me një nga testet më të mëdha të të gjitha kohërave që nga krijimi i saj, të rinjtë janë pothuaj jashtë politikës në nivelin Europian. Të rinjtë, flasin për politikën me miqtë e tyre, kur janë bashkë online, ose në platformat e medias sociale. Pak a shumë të gjithë e kanë një mendim për politikën në nivelin Europian, apo vendin dhe pozicionin ata duan të kenë në botë. Deri diku të rinjtë e sotëm janë të përfshirë në fushata, për barazinë gjinore, çështjet sociale, apo reformën në drejtësi. Nga ana tjetër, të rinjtë janë mjaft aktiv me iniciativat e tyre duke krijuar sipërmarrje të formës së start-up apo edhe OJQ (organizata jo-qeveritare) të cilat i drejtohen disa nga problemeve sociale që ekzistojnë në komunitet dhe më gjerë. Aktivizmi rinor në nivel Europian tregon se ka përgjithësisht një “uri” për ndryshim social brenda për brenda brezit të të rinjve.

Pra, studimet tregojnë se të rinjtë janë grupi që dëshiron më shumë ndryshimin në Europë. Edhe pse duke u përballur me papunësi të lartë, të “zemëruar” me burokracinë dhe progresin jo-linear në nivel Europian, të rinjtë nuk janë ngritur për ta mbrojtur atë. Sfidat në nivel Europian të lidhura me: Brexit, krizën e refugjatëve, distancën midis përfaqësuesve në nivel Europian dhe elektoratit, rritjen e Euro-skepticizmit dhe partive të ekstremit të djathtë së bashku me rrezikun që vjen nga sulmet terroriste që godasin vazhdueshëm qytetet e ndryshme të Europës, nuk e përmirësojnë pozicionin e të rinjve në tërësi. Mbi të gjitha këto zhvillime nuk kanë ngritur një sens “urgjence”, një domosdoshmëri për të ndërhyrë për të ndryshuar realitetin në nivel Europian.  

Përgjigja duket se është e lidhur me faktin se të rinjtë në Europë janë duke u përballur me problematika të tilla si: aksesi në arsim, rritja e papunësisë, si dhe detyrimin për t’u mbështetur tek familja që “sfidon” pavarësinë e tyre – një nga vlerat themelore liberale. Një pjesë e mirë e të rinjve sot janë të pasigurt për të ardhmen, në rrezik të humbjes së punës dhe shtëpisë, duke treguar kështu se të rinjtë kanë humbur besimin në strukturat e politikës, deri diku duke u tërhequr edhe nga ekstremitetet e spektrit politik, përfshirë këtu varietete të anarkizmit dhe fashizmit. E majta, e cila ka qenë tradicionalisht një shtëpi për të rinjtë radikalë, ka humbur tërheqjen ndaj saj.

Megjithatë, çështjet nuk do të vazhdojnë në këto linja për një kohë shumë të gjatë. Politikë-bërësit në nivel Europian, duhet të njohin problemin dhe të përpiqen ta zgjidhin atë, përndryshe ndryshimi do të vonohet për një kohë edhe më të gjatë. Rezultati në këtë rast do jetë një grumbullim i “frustrimit” në nivel Europian, me zhvillime të papritura dhe të panjohura.

Ata që kujdesen për zhvillimin social, duhet të ndërhyjnë për t’i dhënë shpresë të rinjve në nivel Europian, kësisoj për të rindërtuar idenë e Europës. Rritja e besimit në sistemin politik, tek përfaqësuesit në nivel Europian dhe aftësia e tyre për të zgjidhur disa nga problemet më të dukshme të shoqërisë, do të ndihmontë për të rritur besimin dhe aktivizmin më të gjerë të të rinjve në politikën Europiane.

*Fituese e Çmimit Active Citizens of Europe 2014
Personaliteti i Vitit – EDCA 2015
Bloggere e Huffington Post
http://www.huffingtonpost.com/marsida-bandilli/ 

Leave a Reply

%d bloggers like this: