Disa eksperienca të pakëndshme të tij ose të miqve, me produkte ushqimore të pasigurta, e kanë kthyer Rezart Lahin, profesor dhe gazetar, në njeriun denoncues të ditës në rrjetet sociale.  Ai ka dokumentuar me fotografi dhe video, krimba që gjenden në pako orizi dhe krimba në frutat e thata.

Prej më shumë se dy ditësh, këto materiale të shpërndara në llogarinë personale të Facebook-ut të Rezartit, kanë ngjallur reagime të shumë njerëzve të tjerë që kanë denoncuar gjithashtu eksperienca vetiake. Por nuk kanë munguar edhe reagimet e kompanive të denoncuara ose kërcënimet për prishje imazhi.

Në një intervistë për Citizens Channel, denoncuesi Lahi thekson që më e rëndësishme në të gjithë këtë situatë është mungesa e sigurisë ushqimore dhe jo kërcënimet që ka marrë gjatë orëve të fundit.

Rezart, ke ndarë me miqtë e tu së fundmi fotografi dhe video ku shihen qartazi krimba brenda paketimeve të orizit dhe frutave të thata. Pse zgjodhe rrjetet sociale?

Në profilin tim personal kam shokë e miq që kanë fëmijë dhe kanë pasur shumë fatkeqësi nga sëmundje të ndryshme. Ne nuk mund të durojmë që për faj të dikujt të ushqehemi si njerëz të botës së tretë (duke pasur respekt edhe për këta të fundit). Ne kemi heshtur pa i kërkuar asnjë llogari këtyre kompanive që prodhojnë, atyre që bëjnë shpërndarjen, transportin, atyre që i magazinojnë dhe së fundmi atyre që i shesin. Unë jam një ndër qytetarët më të thjeshtë të këtij vendi dhe bëj timen tek miqtë e mi. Reagimi është përgjegjësi ndërsa heshtja është bashkëpunim.

Rezart Lahi. Foto: Private sigura ushqimore citizens channel
Rezart Lahi. Foto: Private

Si kanë reaguar njerëzit pas këtyre publikimeve?  

Në fakt postimi ishte vetëm për disa miq të mitë, por siç e pamë kishte shumë konsumatorë që kishin pasur të njëjtin shqetësim. Reagimi u bë viral dhe u bë lajm kryesor në shumë media. Gjithsesi ngeli vetëm reagimi qytetar pasi nuk pamë ndonjë reagim shtetëror. Në vende “normale” kompanitë dhe i gjithë zinxhiri deri tek konsumatori do të analizohej në qelizë dhe do të hiqej menjëherë licensa për kompanite që do të ishin përgjegjëse për këtë situatë. Gjobat do të ishin aq të rënda sa çdokush do të kishte frikë të neglizhonte me produktet ushqimore.

Po nga kompanitë që denoncove, pati ndonjë reagim?

Nga 3-4 kompani, kompania e orizit ka reaguar me një kujdes të jashtëzakonshëm për të zbuluar se në cilin segment produkti kishte probleme. Jam telefonuar disa herë prej tyre dhe janë zotuar për një hetim të çështjes. Mua dhe shumë konsumatorëve na kanë ftuar në fabrikën e tyre për të nxitur besimin. Une nuk e di se përse kishte ndodhur një situatë e tillë në produktin që hapa, por angazhimi i tyre për të parë çdo hallkë deri tek edhe marketi që i tregtonte, ishte nje veprim që la shije të mirë në fund. Ndërsa nga një tjetër kompani që për arsye për të mos u shndërruar në një debat personal s’po i përmend emrin, më mori pronari duke bërtitur e duke kërcënuar. Në fakt une mendova se po telefononte për të biseduar problemin dhe në mos për të kërkuar të falur, të hetonte çështjen. Ishte e kundërta. Ishte formati i tregtarit që bërtiste dhe kërkonte fajin tek konsumatori e jo tek stafi i tij apo produktet e tij. Për asnjë moment nuk u ndal tek produkti, por tek ajo se çfare ai mund të më bënte mua. Besoj se është e tepert t’iu them për këtë mënyrë menaxhimi të një pakënaqësie të klientëve. Domethënë sipas këtyre tregtarëve të fortë ne duhet të heshtim e të mos flasim? Nëse e marrim ligjërisht, ndaj këtij personi rëndojnë tre akuza: 1) dëmtim të shëndetit, 2) kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj meje, 3) prishje imazhi, sepse më thote gjobëvënes në vend që të kuptojë që jam një klient i shqetësuar. Nuk po i hyj aspak çështjes së kuponave. Majde frika ime është që duke u marrë me emra të përveçëm, humbim sensin: që kemi të bëjmë me PASIGURI USHQIMORE. Kur unë blej apo konsumoj një produkt të pasigurt, nuk më bëhet vonë kush është aksioner apo pronar. Dua vetëm që nëse shteti licenson një kompani ta mbajë atë nën kontroll. Licensat nuk janë të bizneseve por të shtetit, dhe shteti është i yni. Janë ata në shërbimin tonë e jo ne në shërbim të tyre. Në vende të tjera kompanitë do ishin skuqur nga turpi. Këtu të shantazhojnë. Unë nuk u kam kërkuar asgjë më shumë se kaq, ndërsa këta kanë kërkuar të tërhiqem. Kush është ai që do të tërhiqej, para ushqimit të pasigurt që i servir në pjatë familjes? E pastaj merren me politikë, kur ne kancerin e kemi në ushqim. Mendojeni pak më thellë e jo me tituj gazetash. Edhe një gjë! Unë nuk kam autorizuar e nuk autorizoj asnjë media të marrë statuset e mia e t’i bëjë çështje publike. Unë në Facebook flas për miqtë e mi dhe kjo është hapësira ime. Dhe mua më shqetëson kjo situatë. Së fundmi: do të ishte e pafalshme që të ndalemi para ushqimeve të pasigurta që kemi në tavolinat tona. Pavarësisht të fortëve…

Intervistoi: El.El / Citizens Channel

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu