Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Uji në shishe plastike/Ekspertët: Nëse nuk ruhet si duhet, shkakton probleme serioze në shëndet

Nga Elda Lamja*

Mbushja e ujit për konsumim familjar është bërë refren i përmuajshëm. Shumë kryeqytetas nuk e pijnë ujin e rubinetit që rrjedh në shtëpitë e tyre, duke mos pasur sigurinë për konsumim, prandaj një pjesë e madhe preferojnë të shkojnë ta mbushin në burim.

Këtë e dëshmon rradha e gjatë çdo ditë në disa nga burimet, në zonën e komunës së Dajtit. Atje përballesh me radhë të gjata bidonësh 5 litroshe në pritje për tu mbushur.

Altini është një banor i kryeqytetit, i cili vjen rregullisht në një prej burimeve të zonës periferike të kryeqytetit, në komunën Dajt, për të mbushur ujë për konsum familjar. Ai vjen dy herë në muaj me afro 5 bidona nga 5 litra secili. Me makinën e tij, ai zbret në këtë burim, ndërsa thotë se ndonjëherë edhe paguan.

“Paguaj 50 lekë të vjetra bidoni. Ka burime pranë të cilit janë ngritur edhe lokale, ku ndërsa ti mbush ujë mund të pish edhe ndonjë kafe. E ndërsa ka dhe persona, të cilët qëndrojnë në pritje për të marrë para për ujin që ti mbush, në atë burim që një Zot e di, nesë ka pronar apo jo.’’  

Genti është një tjetër banor i kryeqytetit, i cili një herë në javë mbush ujë burimi. Me bidona 7 litroshe, të cilat i përdor më shumë se 4-5 herë, për konsumim familjar. Ai nuk ka menduar ndonjëherë për rrezikun, që mund të ketë përdorimi disa herë i bidonave plastikë, por di të thotë se nuk beson në sigurinë e ujit të rubinetit. Për të pirë ai dhe familja e tij përdor ujin e burimit.

Ideja për të shmangur kimikatet e rrezikshme nga uji i rubinetit, duke përfituar ujë të freskët, të mbushur, në këtë zonë malore, mund të duket ide e mirë.

Keni dëgjuar për ujin në shishe? Se është më i shëndetshëm se uji i rubinetit, se mund të zëvendësojë vitaminat? Me këtë lloj informacioni kontradiktor mbi ujin që pijmë është e lehtë të ngatërrohesh.

Rreziqet e plastikës

Është fakt se 67 milionë shishe uji plastike hidhen çdo ditë. Kjo është një sasi e madhe mbeturinash, ndërsa vetëm një përqindje e vogël e tyre shkon për riciklim.

Ekspertët flasin për një rrezikshëmri të lartë shëndetësore, të konsumimit të ujit nga një shishe plastike.

Plastika e përdorur lëshon fenole, që shkakton disa probleme shëndetësore, ndër të cilët dhe deri në sterilizim. Në temperatura të larta, ekspozimi ndaj rrezeve të diellit, për shkak të transparencës së shishes bën që vetë plastika të krijojë avullim kimikatesh dhe t’i çlirojë ato.

Bashkë me mikrorganizmat e ujit, këto kimikate bashkëveprojnë në shumimin e tyre. Nafta nga e cila është e përbërë bidoni plastik, ka mbetje të rrezikshme, shtuar dhe rezultatet nga faktorët e lartpërmendura emetohen kimikate.

Eksperti kimist Agron Lamko, problemeve që shkaktohen në shëndet, u shton edhe problemin nga bakteriet, që mund të merren nga mënyra si eshtë i ambalazhuar uji, që ne blejmë, apo sa i pastër është uji i burimit ku ne mbushim.

“Plastika është jetëgjatë por, qëndrimi për një kohë të gjatë i ujit në enën plastike, si dhe depërtimi i rrezeve të diellit për shkak të tejdukshëmrisë së enës, ekspozimi në temperatura të larta, krijon mjaft probleme shëndetësore. Një rrezik potencial është edhe fakti kur një shishe është e dëmtuar dhe ka pësuar një shformim, duke krijuar kërcitje. Ky moment është një tjetër shqetësim, pasi çliron gjithashtu kimikate. Problemet në organizëm lidhen me sëmundje të tilla si; kancer deri në sterilizim tek meshkujt”, shprehet Lamko.

Kryeqytetas duke mbushur ujë në Dajt. Foto: Elda Lamja

“Praktikisht plastika është një problem për shumicën e ujërave të ambalazhuar, por gjithashtu këtu hyjnë edhe ujërat e filtruar në shtëpi, ose ujërat e filtruar të tregut, ose edhe për ujin e papërpunuar të burimit, në atë enë plastike që nevojitet për të ruajtur ujin para se ta konsumoni. Natyrisht, mbajtësi më i mirë është qelqi, sepse kur zgjedh plastikën ju jeni potencialisht të ekspozuar ndaj kimikateve të mëposhtme”, vazhdon Lamko.

BPA – Bisphenol A, që gjendet edhe tek plastika që përdoret për ambalzhimin e ujit të pijshëm, është një përbërje që simulon estrogjenin tek femrat i lidhur me një sërë problemesh serioze shëndetësore duke përfshirë: probleme me sjelljen, ndryshim në funksionimin e sistemit imunitar, probleme me fertilitetin, probleme me prostatën dhe kancerin e gjirit

Përveç rreziqeve të ekspozimit të shishes plastike ndaj diellit, gjithashtu rrezik janë  edhe një sërë ndotësish që gjenden në ujë, siç janë fluoridi, klori, arseniku, alumini, nënproduktet e dezinfektimit.

Këto paraqesin rrezik për funksionimin normal të sistemeve tona endokrine, një sistem që ndihmon në prodhimin e hormoneve natyrore në trupin tonë. Shkencëtarët nga e gjithë bota, po punojnë për të arritur në përfundime të rëndësishme, mbi atë se sa kërcënim paraqesin këto kimikate, si dhe nëse ne të gjithë duhet të ndryshojmë mënyrën si të ruajmë dhe konsumojmë.

Raporti i OBSH-së ka zbuluar se sëmundjet mund t’i kushtojnë Bashkimin Evropian, deri në 31 miliardë Euro çdo vit. Për sa i përket këtyre kimikateve, aktivistët rekomandojnë zvogëlimin e përdorimit të produkteve që përmbajnë kimikate.

Sidoqoftë mund të mos jetë koha ende për panik, por gjithsesi ekspertët flasin për rreziqe të mundshme. Shumë studime të kafshëve e lidhin kimikën me çrregullime riprodhuese, duke përfshirë infertilitetin. Studiuesit thonë se gratë shtatzëna, fetuset dhe fëmijët e porsalindur janë më të ndjeshëm ndaj këtyre kimikateve të përhapura.

Si të shpëtojmë nga plastika?

Një zgjidhje praktike është përdorimi i enëve me material qelqi, apo edhe varianti i bidonave plastikë jo të tjedukshëm sikundër mund të jenë shishet plastike të qumështit me veshje jotransparente.

Trupi i njeriut është i përbërë nga 80 për qind ujë dhe ju mund të jetoni vetëm disa ditë pa këtë substancë të çmuar dhe jetësore. Por, cilësia dhe burimi i ujit është shumë i rëndësishem për ruajtjen optimale të shëndetit.

*Autorja është gazetare pranë televizionit  News24

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *