Të merresh me parashikimin e motit, në këto kohë kur të mjafton vetëm një klik në celular për të mësuar se ç’ndodh në çdo cep të globit, duket se është një sfidë e madhe. Thuajse të harruar nga të gjitha qeveritë e pas viteve 90-të, pa buxhet për të ndërruar qoftë edhe një termometër, me vrojtues që paguhen ende sa në kohën e monizmit dhe luftës së të dhënave “fantastiko-shkencore” të servirura nga agjencitë private sa për të krijuar lajm, janë një grusht ekspertësh ata që po mbajnë gjallë ç’ka ka mbetur nga historia 150 vjeçare e ish- institutit hidrometeorologjik shqiptar.

Prof. Petrit Zorba, shef i departamentit të klimës dhe mjedisit (ish- Instituti HidroMeteorologjik), në Institutin e Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, në një intevistë të gjatë për Citizens Channel, ndonëse përpiqet të jetë shumë i kujdesshëm në ato që thotë, nuk e vështirë të kuptosh se në çfarë situatash ekstreme iu duhet të punojnë.  

Të papaguar, pa fonde për të ndërruar qoftë edhe një termometër, me një zyrë të mbushur me aparatura moderne, por që nuk ka fonde për t’i vënë në punë, me një tufë ekspertësh të huaj që paguhen me mijrëa euro në muaj, por nuk e kanë as idenë më të vogël për kushtet atmosferike të Shqipërisë… nuk i ka penguar 135 vrojtuesit që lexojnë termometrat nga Vermoshi në Konispol, që ta bjnë këtë gjë çdo ditë të vitit, që prej shumë dekadash tashmë…

Citizens Channel: Kur ka kaq shumë informacion online përse duhet tu referohemi juve, pra Institutit Meteorologjik për të ditur se si do të jetë moti?

Prof. Petrit Zorba: Ky është mendimi më i gabuar që ekziston edhe në kokat e vendimmarrësve. Mendojnë se ju mjafton një celular për të ditur se se çfarë do të ndodhë me motin. Por unë mund t’iu them me bindje se të dhënat që ju shikoni nga celulari nuk janë të dhëna reale. Këtu nga zyra ime ku jemi, mund të futemi në internet, të marrim të dhëna për Vietnamin dhe të bëjmë parashikimin e motit për Vietnamin, por kjo është shumë larg realitetit atje. Të dhënat satelitore, apo ata që prodhohen nga modele të ndryshme kompjuterike, në të gjitha rastet kanë nevojë për kolaudim tokësor. Pra duhet medeomos marrja e të dhënave konkrete, manuale, nga ai vend.  Shto këtu që ne nuk bëjmë vetëm parashikimin e motit, por edhe parashikimin e rrisqeve të mundshme që mund të vijnë si pasojë e ndryshimeve të temperaturave.

Flitet gjithnjë e më shumë se moti ka ndryshuar, nuk ka më dimër, vera është zgjatur…janë thjesht perceptime, apo ka ndryshuar vërtetë?

Nëse do të shohësh se çfarë ka ndodhur me motin, atëherë duhet medeomos t’i referohesh institutit tonë, që disponon të dhëna konkrete dhe jo fanstastiko- shkencore kompjutrerike sa për të prodhuar një lajm, se sa kanë qenë temperaturat apo se sa kanë qenë reshjet për çdo muaj të vitit. Po i‘u marr një rast: nëse do ndjekim logjikën e lajmeve të internetit do shikojmë se reshjet për muajin qershor të këtij viti kanë qenë -10%, por në fakt, shifrat tona, që janë marrë nga plot 45 stacione në të gjithë vendin, tregojnë se niveli i reshjeve për muajin qershor mezi kanë arritur tek 28%, pra as një e treta e reshjeve që duhet të ketë vendi ynë…

Thuhet se vendi ynë është i bekuar me klimën që ka, është kështu edhe për ju që studioni çdo lëvizje të ajrit?

Klima e Shqipërisë është një ndër klimat më të mira në rruzullin tokësor, për shkak të komfortit që ofron. Sa i takon qoftë lagështisë, qoftë tempraturave, qoftë reshjeve, është një klimë që ofron efektivitetin më të lartë të punës mendore dhe fizike për pjesën më të madhe të vitit. Vetëm për një pjesë të shkurtër kohore, të verës apo të dimrit, ne mund të na duhet të përdorim kondicionerin pë të siguruar temperaturat normale. Jemi vërtetë të bekuar.

Kjo verë është konsideruar si përvëluese, kështu ka qenë vërtetë?

Ka pasur ditë me temperatura të larta, por nuk është thyer asnjë rekord. Disa matje eksperimentale që bëmë ne në fund të qershorit, sipërfaqja e rrugëve, e asfaltit, e pistave me beton kapën shifrën e 82-85 gradë, ndërkohë që  në stacionet meterologjike, që kanë një tokë të mbuluar me bar, në verë shënuan der në 65 gradë celcius, imagjinoni një pistë aerodromi…

Temperaturat maksimale të regjistruara në Shqipëri.
Temperaturat maksimale të regjistruara në Shqipëri.

A ndihet më shumë vapa në Tiranë, për shkak të dendësisë dhe sipërfaqes së madhe të betonit?

Të dhënat e marra nga stacioni i Tiranës tregojnë se kryeqyteti ka efektin e ishullit urban. Për shkak të ndërtimeve të mëdha, Tirana ka 2-3 gradë celcius më shumë se sa periferia. Në veçanti Tirana dallohet në numrin e netëve tropikale, që janë rritur së tepërmi në vitet e fundit. Krahasuar me fundin e viteve 60-70’, tani në Tiranë kemi deri në katërfish më shumë netë tropikale.

Në ditët e sotshme, sa e është e vështirë të merresh me parashikimin e motit?

Sigurisht që pas viteve 90-të pati ndryshime thelbësore. Ne aktualisht kemi rreth 135 stacione manuale dhe 10 stacione automatike, por ne priremi t’u besojmë më shumë të dhënave që marrim nga stacionet tradicionale. Sigurisht që kemi shumë vështirësi, për shumë arsye. 135 vrojtuesit tanë kanë masën e shpërblimit shumë të ulëta, kanë ngelur në kohën e monizmit në masën 2200 lekë në muaj, madje as ata nuk i marrin çdo muaj… Imagjino një pikë vrojtimi që është në Vermosh, ka vrojtues që e bëjnë këtë punë që prej 40-45 vite dhe merr këtë shpërblim qesharak. Dikur, sa herë që dilte vendimi për rritjen e pagës së administratës, në fund të fletës ishte edhe një paragraf i vogël që thoshte që indeskoheshin edhe pagat e vrojtuesve. Këtë shënim e hoqi qeveria Berisha që në 2010-ën dhe që atëherë nuk është përfshirë fare kjo kategori në paga. Mungojnë totalisht investimet, nëse atij i prishet një instrumet nuk bëhet fjalë për ta zëvëndesuar….

Përse  preferoni t’u besoni të dhënave nga stacionet manuale dhe jo atyre automatike?

Në shumë raste gjërat edhe ekzagjerohen. Një termometër është një mjet klasik për matjen e temperaturës dhe nuk ka ndryshuar që nga koha e shpikjes së tij, ndërkohë që pajisjet elektonike nëse nuk verifikohen, nuk mirëmbahen apo nuk kolaudohen ata mund të devijojnë dhe të japin të dhëna jo reale. Konkretisht unë për muajin qershor bëra një analizë të të dhënave të 10 stacioneve ku kemi edhe aparatura të digjitalizuara, dhe më rezultoi se temperatura ishte më shumë se 5 gradë më e lartë se norma shumëvjeçare dhe 3 gradë më e lartë se sa e tregonte stacioni klasik me termometër manual. Pra shumë herë teknologjia është më e lehtë për t’u përdorur, por nëse nuk mirëmbahen, testohen, mund të na japin të dhëna për lajm, por që janë joreale.

Ju shohim rrallë të shfaqeni në media, ama në media qarkullojnë plot lajme nga agjenci private për mot ekstrem. Janë të besueshme këto të dhëna?

Kemi shumë infromacione që dalin në media, por nuk janë të bazuara në standardet e Organizatës Botërore të Meteorologjisë. Të vetmit të certifikuar dhe që japin të dhëna të besueshme, janë Instituti i Gjeoklimës dhe Mjedisit, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe ai i Aeroportit të Rinasit. Privatët që operojmë në Shqipëri nuk janë të certifikuar nga ne që jemi i vetmi institucion, që Organizata Botërore e Meteorologjisë i ka dhënë të drejtën të certifikojë çdo operator brenda territorit shqiptar. Me lirinë e fituar pas viteve 90-të, ka individë që pretendojnë se mund të bëjnë gjithçka. Në një shtet me rregulla, duhet të zbatohen ca standarde, qoftë për kualifikimin e personelit që merret me këtë gjë, por edhe për vetë stacionet ku bëjnë matjet. Sot, çdokush mund të ketë një termometër, ta vendosë në ballkon, apo në tarracë, por kjo nuk e bën atë të besueshëm….Pa plotësuar disa standarde dhe pa marrë lejet përkatëse, nuk mund të prodhosh të dhëna të besueshme.

Në fund të kësaj bisede, a mund të themi se ju jeni lënë vetëm në betejën me motin. Çfarë e mban ende në këmbë këtë shërbim?

Ne kemi shpresa që gjërat do ndryshojnë dhe qeveria do i kthejë sytë nga ne. Nëse synojmë integrimin në BE, herët a vonë, do të jenë të detyruar të kërkojnë zbatimin me përpikmëri rritjen e shërbimit Meteorologjik në vendin tonë. Organizata e Botërore e meteorologjisë u ka dërguar disa herë instuticioneve më të larta të vendimmarrjes, shkresa për të ndikuar në fuqizimin e Meteorologjisë në Shqipëri, që është një nga kushtet nëse duam të integrohemi në BE.

Intervistoi: E.K / Citzens Channel

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu