Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kostot e shkollimit / Sa real është arsimi falas në Shqipëri?

Beta, me profesion mësuese, e ka shumë të vështirë të planifikojë buxhetin e familjes së saj sa herë që vjen shtatori. Ka tre fëmijë në moshë shkollore dhe blerja e librave zë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve.

“Librat e fëmijëve më shkuan 20 mijë lekë (të reja) dhe kjo nuk është asgjë se tani do të nisim blerjen e mjeteve didaktike, fletore, lapsa, ngjyra, etj, që janë histori më vete… Vetëm librat e vajzës që futet në klasë të shtatë më shkuan 7.500 lekë, që janë tmerrësisht shumë… Dhe për familjen tonë, që jemi të dy në punë, kjo është një tarifë shumë e kripur për t’u paguar”, na shpjegon Beta. 

Në fakt Beta nuk është e vetmja, për të cilën blerja e librave shkollorë është  një ‘barrë” më shumë në buxhetin modest të familjeve shqiptare. Janë me mijëra familjet shqiptare që rrudhen në maksimum sa herë nis shkolla.

Libra falas

Shqipëria është thuajse i vetmi vend në rajon që librat jo vetëm janë me pagësë për arsimin e detyruar, që sipas ligjit të arsimit parauniversitar është falas, por shiten me çmime shumë të kripura.

Ndriçim Mehmeti, këshilltar i ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina, për arsimin parauniversitar, thotë se jemi shumë vonë për të nisur reformën e vërtetë në arsim, që është shpërndarja e librave falas.

“Ne jemi një vend që rreth 70% të popullsisë e kemi të varfër dhe sigurisht që librat duhet të jenë falas. Ne po flasim për shkollë komunitare, por shkolla nuk ka shkuar ende te nxënësi. Ne themi që e kemi arsimin publik falas, por në të vërtetë u japim vetëm mësuesin falas sepse librat i blejnë vetë, rojen e paguajnë vetë, mjetet didaktike i blejnë vetë… Them që duhet të nisë sa me parë, si fillim me arsimin fillor dhe pastaj të kalojë edhe në sistemin 9-vjeçar. Librat të jenë falas dhe për familjet në nevojë të jepen edhe çantat falas, dhe po ashtu fëmijët të qëndrojnë në shkollë deri në orën 4 të pasdites, të bëjnë detyrat dhe mundësisht t’u sigurohet edhe një vakt. Në këtë mënyrë do të zbutet në mënyrë të ndjeshme edhe fenomeni i braktisjes së shkollës dhe e bën shkollën të jetë në shërbim të komunitetit. Por sigurisht kjo ka kosto, dhe buxheti i arsimit duhet të shkojë minumumi në 5% të GDP-së”, na shpjegon Mehmeti, i cili e ka mbajtur këtë post në ministrinë e Arsimit edhe gjatë periudhës 2005-2013.

Sipas tij ka plot formula si mund të zgjidhet situata. Ai na jep shembullin e Maqedonisë, ku librat jepen falas me të drejtë kthimi në fund të vitit shkollo, Italisë që jep një çek në varësi të të ardhurave që kanë prindërit apo Anglisë që nuk i ka librat falas por i jep çdo fëmije 80 paund në muaj për të mbuluar shpenzimet e shkollës.

Debati për çmimet

Sa i takon debatit që po zhvillohet për rritjen e çmimeve të teksteve shkollore, mes kreut të PD-së Lulzim Basha, dhe ministres së Arsimit që pritet të mandatohet të hënën Lindita Nikolla, Mehmeti thotë që ajo nuk mund t’i faturohet ministres teknike.

“Formula e çmimeve të teksteve shkollore është përcaktuar në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Nikolla dhe në bazë të ligjit ai është çmimi i një viti më parë, shto 2% që është inflacioni. Dhe kjo nuk është një faturë që duhet ta mbajë ministrja teknike”, na shpjegon Mehmeti.

Sindikata e Arsimit

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevrus Kaptelli, thotë se është urgjente që librat shkollorë të jenpen falas, të paktën për arsimin e detyrueshëm.

“Unë ka kohë që e kam ngritur këtë shqetësim, madje edhe një vit më parë kur ishim në komisionin e edukimit këmbëngulëm që të fillonim e të merreshin masat për librat falas. Por kjo ka kosto dhe nuk bëhet me buxhetin që i jepet aktualisht arsimit që është vetëm 2.6% të GDP-së, duhet që së paku buxheti për arsimin të jetë 5 %”, thotë Kaptelli për Citizens Channel.

Por duket se apeli i sindikatës për libra shkollorë falas ka rënë në vesh të shurdhër. “Nuk kemi pse shkojmë larg. Marrim vetëm Maqedoninë që e ka rregulluar shumë mirë këtë pjesë. Përse ne nuk e bëjmë dot? Se Maqedonia nuk është një vend shumë më i zhvilluar se ne, por këtu mungon vullneti për ta bërë këtë gjë”, na thotë Kaptelli.

Shoqatat

Ndërkohë Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), ka bërë një thirrje publike, ku i kërkon qeverisë dhe në mënyrë të veçantë Ministrisë së Arsimit, të marrin masa të menjëherëshme për të siguruar falas për të gjithë fëmijët e arsimit publik parauniversitar tekstet shkollore.

“Ne mendojmë se një ndër aktet e para publike të Qeverisë së re të Shqipërisë duhet të jetë dhënia e teksteve dhe mjeteve mësimore falas për të gjithë fëmijët anembanë vendit pa dallim, në mënyrë që ata të gëzojnë të drejtën e tyre për arsim publik falas”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga ACE.

Sipas koalicionit “blerja e librave nga nxënësit e arsimit parauniversitar bie ndesh me ligjin Nr. 69/2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i cili në nenin 5/ 2 përcakton se “Në shkollat publike arsimi i detyrueshëm dhe arsimi i mesëm i lartë janë falas”.

E drejta pӫr arsim falas nënkupton edhe krijimin e kushteve të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u arsimuar. Një nga këto kushte është edhe pajisja falas me libra, fletore dhe mjete mësimore e ҫdo fëmije që ndjek arsimin publik.

“Mospërmbushja e këtij detyrimi është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe në kundërshtim të hapur me Nenin 28 të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve”, thuhet në deklaratën e ACE.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *