Nga Mirjan Topi*

Vera e vitit 2017 do të mbahet mend gjatë në kujtesën e gjithësecilit si “viti i zjarrit” që shkrumboi një pjesë kolosale të vendit. Zjarret e stërshumtë që mbijnë “si kërpudhat pas shiut” kanë bërë shkrumb e hi masive të tërë malorë, zona të panumërta kodrinore, sipërfaqje të tëra ullishtesh e drufrutorësh të tjerë, livadhe, toka bujqësore madje në disa raste nuk kanë kursyer as shtëpi apo ndërtesa të tjera.

Nuk dua të zgjatem duke përmendur rastet e shumta si kurrëherë më parë të vatrave të zjarrit, që janë raportuar papushim çdo ditë të kësaj vere në media, por dua ta vë theksin në “fitilin i cili sapo është ndezur dhe gjëmimi i bombës mbetet akoma për t’u dëgjuar”. E them këtë,  pasi ky problem nuk mbaron me fundin e verës dhe ardhjen e stinëve të tjera më të lagështa dhe më të freskëta, por pikërisht këtu fillon të “lëngojë plaga e hapur”. Pse?

Sipërfaqjet e jashtëzakonshme bimore të cilat janë “qethur”, kanë një ndikim të pamohueshëm dhe të drejtpërdrejtë në ekspozimin e vendit ndaj eventeve erozive dhe përmbytjeve, të cilat jo me pak gjasë mund të kenë të njëjtin karakter sikurse përmasat e zjarreve të këtij viti: “të jashtëzakonshëm”. Ky është vetëm një ndër problemet dhe dëmet më madhore të zjarreve, por cilat janë edhe të tjerat, (dëmet ekonomike dhe mjedisore)?

Së pari, biomasa e djegur përfaqëson materiale me vlerë të lartë ekonomike si ahu, pisha, bredhi, plantacioniet me agrume dhe drufrutore, shkurret etj. Vetëm 1 m3 dru zjarri ka vlerën e rreth 30 Eurove në treg. Po drurët e tjerë që përdoren për material ndërtimi, të cilët kanë vlerë disafish më të shtrenjtë? Po plantacionet me ullinj, qershi, mollë, etj? Nëse bëhet një përllogaritje e kostos totale të tyre, po të përfshijmë këtu dhe kostot e përmirësimit dhe remidimit, fatura përfundimtare del tepër e majme.

Së dyti, dëmet në biodiversitet. Zjarri shkatërron habitate të tëra natyrore, që janë strehë e shumë llojeve të bimëve apo kafshëve të cilat sigurojnë shërbime pa pagesë për njeriun dhe ekonominë e tij. Jo në pak raste qëllon që këto lloje të jenë të rralla dhe me interes të lartë ruajtjeje në rang kombëtar e global, sikurse mund të përmendim Rrëqebullin e Ballkanit, me një popullatë globale prej rreth 40 individësh, habitati i të cilit (Masivi Malor i Munellës, në rajonin Pukë-Mirditë) vazhdon të shkrumbohet dita-ditës. Më tej, mund të përmendim Kalin e qyqes, lloj sërish tepër i rrallë në nivel global, habitati folezues e kullosor i tij në masivin e Sopotit (Gjirokastër) u dogj tërësisht.

Së treti, në shumicën e rasteve, djegia e këtyre habitateve, i “vë zjarrin” zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe të ardhmes së shumë shqiptarëve. Zona të cilat kanë një potencial të madh për zhvillimin e turizmit natyror papritmas kthehen në shkretëtira që pakkush do të donte t’i vizitonte. Mund të përmendim këtu rastin e Parkut Kombëtar të Lurës, dikur një prej zonave më të bukura natyrore në vend, e cila sot duket si një “patate e qëruar”. Gjatë kësaj vere, shpesh janë raportuar vatra zjarri në këtë zonë, a thua se dikush apo një grup njerëzish janë betuar që të mos lenë asnjë dru pyjor “në këmbë”.

Së katërti, dëmtohet në tërësi imazhi turistik i vendit.  

Së pesti, angazhimi për fikjen e zjarreve ka një faturë jo të vogël ekonomike etj.

Tashmë pranohet gjerësisht se shumica e vatrave të zjarrit janë pasojë e zjarrvënies së qëllimshme. Pra zjarret janë të qëllimshme, dhe shkaktohen nga persona të ndryshëm për interesa të caktuara. Por cilët janë këta persona? Kush po i vë zjarrin Shqipërisë? Fatkeqësisht, askush nuk është në gjendje t’i japë përgjigjje kësaj pyetjeje. Ky krim i rëndë, vazhdimisht mbetet pa fajtor. Kjo nuk tregon gjë tjetër veçse paaftësinë dhe mos-seriozitetin e institucioneve tona për të trajtuar si duhet këtë çështje që i sjell një dëm kolosal ekonomik vendit dhe shkakton shumë vuajtje njerëzore (marrë për bazë pasojat e sipërpërmendura).

Me këtë, nuk dua kurrsesi të mohoj punën e palodhshme dhe të lavdërueshme të punonjësve të disa institucioneve (si Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, policisë etj), të cilët kanë luftuar me flakët dhe kanë ndihmuar në kontrollin e tyre në shumë zona, por dua të theksoj paaftësinë që shfaqet në parandalimin apo ndëshkimin e këtyre krimeve. Vendi u mbulua me tym dhe kërrkush nuk sheh e nuk pa nga cili oxhak del ky tym. Edhe një herë, kjo s’tregon gjë tjetër veçse verbërinë e institucioneve përkatëse.

Në këto kushte, marrë për bazë përmasat shkatërruese dhe faturën e konsiderueshme ekonomike të këtij fenomeni (zjarrvënies së qëllimshme) është bërë tashmë e domosdoshme që të punohet në mënyrë të dedikuar për parandalimin dhe kurimin në kohë të kësaj sëmundjeje dhe vëmendja të mos përqendrohet vetëm në trajtimin e pasojave të saj.

Në këtë logjikë, e shoh me vend krijimin e skuadrave të veçanta apo grupeve të punës, brenda institucioneve të ndryshme (lokale, rajonale etj) që të trajnohen dhe të punojnë në mënyrë të dedikuar për parandalimin dhe ndëshkimin e zjarrvënies së qëllimshme. Fatura ekonomike që do të shoqërojë krijimin e këtyre qelizave, me siguri do të përbëjë një shumë të pallogaritshme, krahasuar me faturën totale të dëmit që shkakton ky fenomen.

 *Inxhinier Mjedisi

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu