Shqipëria nuk mbron ‘mushkëritë’ e saj, zjarret shkrumbojnë 6000 hektarë pyje

Rreth tre muaj të shkuar, në prag të stinës së nxehtë, Adrian Koçi, drejtori i Parkut të Divjakës, pasi kërkoi e gjeti disa dërrasa të përdorura, ndërtoi një si punë bazamenti të drunjtë. Së bashku me punonjësit e administratës se tij modeste e zhvendosën atë disa qindra metra në periferi të këtij rezervati kaq të mrekullueshëm natyror. Objekti i sajuar me të shpejtë, nuk ishte tjetër, veçse një pikë vrojtimi e thjeshtë, nga ku rojet në distancë, do të të vigjilonin një rënie të mundshme zjarri. Kështu, mjaftonte vetëm një tymnajë, sado e vogël, që mbrojtësit e parkut të shkonin menjëherë në vendngjarje.

Një javë më pas, një tjetër objekt zgjoi kureshtje: një kamioçinë, mbi shpinën e së cilës ishte instaluar një çisternë e vogël dhe e mbushur me ujë mbërriti në Park. Falë përkujdesjes së Adrianit dhe një grupi të vogël njërëzish, kjo pajisje e braktisur e jashtë funksioneve qysh në 2004, në një magazinë të largët të shërbimit pyjor në Përmet, por tashmë e rregulluar dhe e përshtatur për të shuar zjarret, ishte e gatshme të përballej me flakët.

Deri tani përballja ka rezultuar e suksesshme. Përveç disa qindra hektarëve toka bujqësore të djegura, në Divjakë, asnjë prej pemëve brenda Parkut Kombëtar nuk është prekur.

Por të tjera pyje nëpër Shqipëri kanë patur një fat të ndryshëm, fatkeqsisht!

Pyjet e djegura

Përmasat e katastrofës

Krahas përpjekjeve për të ruajtur imazhin e një vendi të mrekullueshëm turistik, Shqipëria po lufton këtë verë me flakët dhe tymin që kanë shpërthyer përgjatë territorit të saj të vogël e me pyje modeste. Disa qindra zjarre, treqind prej të cilave, vetëm në dy muajt e fundit, kanë përshkruar më shumë se 6000 hektarë pyje e kullota dhe kanë shkaktuar një dëm mjedisor prej rreth shtatëqind milionë lekësh; me siguri, qindra milionë të tjerë do të duhet për të rehabilituar sipërfaqet e djegura.

Por kostot dhe shpenzimet reale për shuarjen e zjarreve nuk dihen, pasi qeveria nuk e faturon shërbimin që skuadrat e Emergjencës Civile dhe të efektivave të Forcave të Armatosura u japin njësive vendore për shuarjen e zjarreve.

Sipas evidencave të raportuara në Ministrinë e Mjedisit, vetëm tre në çdo pesëdhjetë zjarre u dihet shkaku, ndërsa vetëm një në pesëdhjetë zjarre konsiderohet i qëllimshëm. Është e natyrshme, mosnjohja e shkaqeve nuk premton siguri për të ardhmen.

Pylli i Borigës së Zezë në lartësitë e Voskopojës, një sipërfaqe pishash prej 700 hektarësh, u përfshi papritur nga zjarri të shtunën e tretë të gushtit!

“Dikush njoftoi për një tym”, thotë Johan Marku, një inxhinjer pyjesh në Bashkinë e Korçës. “Kemi dy ditë që luftojmë më flakët, – tregon ai, – por është një terren i vështirë dhe zjarrfiksja nuk mund të depërtojë më thellë.”

Bashkë me të në aksion ndodhen edhe disa ushtarakë, efektivë të Forcave të Armatosura të cilët, përpiqen dëshpërimisht të kontrollojnë situatën. Brenda katër orëve, 70 ha pyje u shkrumbuan plotësisht. Por dëmi do të kishte qënë më i madh, nëse flakët nuk do të shuheshin prej shiut që filloi të bjerë mëngjesin e së dielës.

Voskopoja, kjo ish qendër e kulturës dhe e artit të krishterë që kombinon bukurinë natyrore me trashëgiminë historike të Shqipërisë, e famshme për kishat e saj të vjetra ortodokse, është tepër e vizitueshme gjatë kësaj periudhe.

Por tymi dhe flaka ka mbërritur edhe në lartësitë veriore të vendit.

Pjesë e një ekspedite të vogël kërkimore nën drejtimin e inxhinjerit të pyjeve, Abdullah Dikut, këtë fundjavë u gjenda në Vermosh, në Malësi të Madhe. Prej Bjeshkëve të Seferçes, në lartësinë e dy mijë metrave, përjetova një ndjesi të dyfishtë. Përgjatë Kurorës së Smutirogës e deri poshtë në Guci, një si pëlhurë e turbullt dhe e bardhë prekte majat e kaltra të maleve. Drita e diellit depërtonte atmosferën duke përcjellë në sytë e vizitorëve një tabllo kreshnikësh.

“Është tymi i pyjeve që digjen”, – thotë Abdullah Diku. – Janë kryesisht ahe dhe rrobuj. “Kanë disa ditë që digjen dhe do të vazhdojnë të digjen edhe për disa të tjera”, përfundon inxhinjeri, jo pa keqardhje.

Kënaqësia prej pamjes së mrekullueshme u fashit. Në largësi, të vetëm e të izoluar prej teknologjisë e komunikimit, më duhej të imagjinoja se si zjarri që ngjitej shpateve të maleve, gllabëronte me qindra drurë, tinëzisht dhe në heshtje.

Ne vazhduam mes livadheve e pyjeve të virgjëra dhe kur zbritëm në Vermosh, të nesërmen pasdite, tymi qëndronte ende pezull mbi luginë. Si për ironi, një prej drejtorëve rajonalë të strukturës përgjegjëse për pyjet dhe kullotat, ndodhej i ulur në një tavernë. Pinte birrë malazeze dhe qeshte.

Zjarrfikes

 Propagandë në tym

“Mbajtja e një flote të përhershme prej një avioni të vogël e dy helikopterësh, e specializuar për shuarjen e zjarreve mund të jetë një barrë për ekonominë”, më thotë Shemsi Prençi, shefi i Emergjencave Civile të Republikës.

Në Sallën Operacionale të Ministrisë së Brendshme, të dhënat që mbërrijnë në kohë reale prej Qendrës Kombëtare të Rreziqeve Natyrore e kanë skuqur hartën e Republikës.

“Prandaj do të rekomandoja operimin përmes kompanive ajrore private”, përfundon ai.

Por kur unë i kërkoj, – se sa para janë shpenzuar deri tani për fikjen e zjarreve ajri, – se cilat kompani kanë përfituar para publike, si të përfshira në operacione, – se sa është numri total i fluturimeve dhe, – se në cilat zona janë kryer ato, unë nuk marr përgjigje!

“Prurjet e burimeve ujore u konsideruan si më të ulëtat në pesëdhjetë vitet e fundit nga Instituti i Gjeoshkencave”, thotë shefi i Emergjencave Civile të Republikës.

Një retorikë e njohur. Shtatë vjet më parë, ish kryeministri Berisha, deklaroi diçka të përafërt në Shkodrën e përmbytur nga uji. Ai tha se motet e mëdha kanë gjunjëzuar edhe fuqitë më të forta të botës. Asokohe bëhej fjalë për përmbytje e jo për thatësirë. Pra, ndonëse në të kundërt, mentaliteti është i njëjtë: shkaqet qëndrojnë gjithmonë jashtë nesh, pavarësisht përpjekjeve heroike të qeverive.

Por propaganda që u shërben autoriteteve nuk mund t’i ndryshojë statistikat.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Shqipëria është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që po e zvogëlon sipërfaqen e saj pyjore, qysh prej 1990 e deri në 2015. Ajo humbet mesatarisht 700 hektarë pyje në vit. Ndonëse me një territor më të madh se Sllovenia, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, Shqipëria ka sipërfaqen pyjore më të vogël për km2 prej të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Raporti shtetëror mbi “Gjendjen e Mjedisit 2016” nuk ofron të dhëna të plota mbi fondin pyjor. Ndonëse raportohet sipërfaqja totale pyjore, krahasimi me 2015 mungon. Por gjatë 2016 fondi pyjor kaloi nën mbrojtjen e “Moratoriumit për Pyjet” dhe krahasimi me 2015 do të ishte një e dhënë e dobishme për të kuptuar efektin e tij. A mos ndoshta në këtë mënyrë, pra, në heshtje, autoritetet po kërkojnë të shmangin një të vërtetë të pakëndshme, se pavarësisht “Moratoriumit”, sipërfaqja totale pyjore e vendit nuk është rritur?

Sipas një raporti zyrtar të Inspektoratit të Policisë Pyjore, prerja ilegale e drurëve në vitin 2016 ka vazhduar. Ndonëse kontrolli është dyfishuar, të dhënat tregojnë se për çdo tre m3 lëndë drusore të prerë ilegalisht në 2015, në 2016 është prerë një më pak. Megjithëse nën mbrojtje, për shkak të Moratoriumit, vlera e përgjithshme e dëmit për fondin pyjor dhe kullosor në 2016 arrin në rreth 45 milionë euro. Pra, zjarret nuk janë të vetmet rreziqe.

Një shërbim i djegur

Shumë pak shqiptarë e dinë se qysh prej vitit 1975 qeveria shqiptare nuk ka blerë asnjë zjarrfikse të re për shërbimet civile të mbrojtjes nga zjarri! Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit nuk është kryer asnjë investim për këtë shërbim. Madje, qysh prej vitit 2006, kur shërbimi kaloi në varësi të Emergjencave Civile, nuk pati një buxhet të dedikuar për të.

Autoritetet civile kanë kërkuar ndihmën e Forcave të Armatosura, që për shkak të përfshirjes së vendit në strukturat e Aleancës Atlantike, janë pajisur më disa zjarrfikse të reja. Por ato e  kanë të pamundur të depërtojnë në thellësi të pyjeve për shkak të terrenit të thyer malor.

Tre vjet më parë qeveria themeloi 61 bashki. Pyjet, së bashku me shërbimin e zjarrfikseve kaluan nën administrimin e bashkive të reja, por sot, vetëm një në dy bashki e kanë ngritur këtë shërbim. Qeveria është treguar tolerante, duke lejuar shtrirjen për plotësimin e këtij detyrimi prej bashkive deri në vitin 2019.

Në fillim të kësaj jave, në oborrin përpara fasadës së restauruar të Ministrisë së Brendshme, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), një projekt zhvillimi ndërkontinental për transportin e gazit natyror në Evropë, zhvilloi një ceremoni të hapur dhe u dhuroi autoriteteve të Emergjencave Civile 600 pompa shpine për fikjen e zjarreve, si dhe 100 kostume zjarrfiksish. Po të mendosh se investimi i fundit i kryer për kompletimin me uniformave për shërbimin zjarrfikës i përket vitit të largët 2003, pra 14 vjet më parë, entuziazmi ceremonial duket i justfikuar.

Por kompania e cila ka filluar punën në Shqipëri në vitin 2013, është përgjegjëse për pakësimin e volumit të sipërfaqeve të pyjeve dhe të kullotave. Në dhjetor të vitit 2015, ministri i mjedisit, Z. Lefter Koka urdhëroi dhënien në përdorim të përkohshëm të një fondi pyjor dhe kullosor, prej rreth 41685 ha, për ndërtimin e tubacionit tokësor të Gazsjellësit. Urdhëri prekte me mijëra ngastra në njësitë vendote të Korçës, Beratit dhe të Fierit. Sipas marrëveshjes, të paktën një e treta e kësaj sipërfaqe, pikërisht në vijën ku do të shtrihej tubacioni, nuk do të kthehej më. Nëse kostoja për pyllëzimin e një hektari pyll është 5000 euro/ha, vlera e dëmit mjedisor arrin në miliona euro, pa llogaritur vlerën e materialit drusor të humbur nga shtrimi i tubacioneve.

Fatura financiare e pompave të shpinës nuk u raportua. Por ajo është tepër modeste, kundrejt kostove prej miliona eurosh të shpyllëzimeve që shteti shqiptar po sakrifikon në emër të zhvillimit.

Sidoqoftë, një shqetësim mbetet: a mund t’i shuajnë vetëm këto pompa shpine flakët masive në pyjet tona? A mund ta ndalojë Moratoriumi prerjen ilegale të drurëve? Dhe, në fund të fundit, si mund të zhvillohet Shqipëria pa i shteruar burimet e saj natyrore?

Në Parkun Kombëtar të Divjakës, përgjatë ranishtes së Adriatikut, mes pishave natyrale që rrethojnë Lagunën, aty ku strehohet 6% e popullatës botërore e Pelikanit Kaçurrel, në largësi, prej pikës së vrojtimit, vigjilon drejtori Adrian Koçi dhe njerëzit e tij.

Deri sot, fati ka qënë me ta.

Pyjet ne zjarre

Autor: Artan Rama / Citizens Channel

Leave a Reply

%d bloggers like this: