Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tirana, ‘streha’ e bizneseve miqësorë ndaj mjedisit

Në një kohë kur e gjithë bota po i kthen sytë nga një mjedis i pastër dhe sa më i shëndetshëm, përjashtim nuk mund të bëjë edhe Shqipëria. Duket se shqiptarët janë ndërgjegjësuar dhe po përpiqen që të jetojnë jo vetëm shëndetshëm, duke përzgjedhur produkte bio në tavolinat e tyre, por në të njëjtën kohë të mbajnë pastër edhe mjedisin ku jetojnë.

Kjo vërehet edhe tek shumë biznese që duan të jenë miqësorë me mjedisin dhe frymëzojnë me idetë e tyre. Ata janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por në thelb kanë të njëjtën filozofi: Të jetojmë shëndetshëm dhe të ruajmë mjedisin!

Pica të vjen me biçikletë

Proper Pizza është piceria e parë në Tiranë, që produktet e saj i shpërndan edhe me biçikleta.

Sigurisht tek “Properi” funksionon edhe shërbimi i motorrave, por të jetuarit shëndetshëm është filozofia e këtij biznesi. Prej më shumë se tre muajsh ata kanë nisur shpërndarjen e picave me biçikleta dhe kjo ka ndodhur pikërisht në 13 maj të këtij viti, si një risi në piceritë shqiptare.

Menaxherët e Proper Pizza thonë për Citizens Channel se ata kanë punësuar, “16 çiklistë të cilët janë të shpërndarë në tre pikat e picerive dhe që momenatlisht shpërndajnë pica në të gjithë Tiranën”.

Të pyetur nëse shpejtësia paraqet problem për konsumatorin, ata na tregojnë se ky nuk është aspak problem. “Picat, të cilat e kanë paketimin gjithashtu të riciklueshëm, kanë shkuar tek klientët më shpejt duke bërë që këta të fundit jo vetëm të kenë kënaqësinë që po marrin picën e tyre të parapëlqyer, por edhe të ndihen të privilegjuar me cilësinë e shërbimit. Një tjetër arsye pse ne kemi vendosur shërbimin me biçikleta ka qëndruar në faktin që kemi dashur të punësojmë studentë, të cilët punojnë part-time gjatë kohës që janë duke vijuar studimet e tyre.”

Shërbimi me biçikleta ka një sërë benefitesh, të cilat i vijnë në ndihmë jo vetëm komunitetit, klientit, por edhe biznesit. Në rrugët e Tiranës ka më pak ‘pilotë’ me motorra, më pak zhurma, më pak çlirime gazrash të dëmshme dhe për biznesin më pak kosto. Ndërsa studentët që nuk kanë një leje drejtimi për motorra, një mundësi më shumë punësimi.

Xhinset nuk vdesin kurrë

Kur flasim për xhinset të gjithë biem dakort që ato nuk do të ikin kurrë nga moda. Por jo vetëm kaq, kushdo që ka ide mund të bëjë mrekullira me xhinse dhe këtë e kemi të faktuar. Kur krijoi tri vite më parë nismën “Recycle jeans”, stilistja Bukuroshe Sinani nuk e kishte menduar që do të kishte kaq shumë sukses.

Ajo tregon për Citizens Channel se për 5 vite rradhazi kishte mbledhur 70 palë xhinse (shumë për një familje) dhe me to mendoi të krijonte çanta për të minimizuar kështu përdorimin e ‘armikut’ kryesor të ndotjes së ambientit, qeseve plastike.

Në tre vjet ajo ka krijuar më shumë se 2000 çanta dhe na tregon se tashmë “Recycle Jeans” ka partnerë seriozë si “Cultural Heritage Without Borders”, por edhe fushatat e ndërgjegjësimit dhe grumbullimi në shumë shkolla, universitete, bare e institucione shqiptare, kanë bërë që njerëzit të cilët nuk duan t’i përdorin më xhinset e tyre ti drejtohen pikërisht “Recycle Jeans”, sepse me këto xhinse do të shohin produkte të reja shumë interesante.

Krijimi i një çante nga një palë xhinse të përodrura. Foto: Recycle Jeans Citizens Channel
Krijimi i një çante nga një palë xhinse të përodrura. Foto: Recycle Jeans

Dhe meqë po flasim me një stiliste që e do shumë materialin “jeans” ajo na ka rrëfyer se me to ka krijuar, çanta, jastiqe, xhepore muri për gazeta, veshje kolltuqesh, piktura, aksesorë të ndryshëm si varëse, vathë, por këtë vit kanë patur gjithashtu edhe një  koleksion veshjesh këtë në “Eco Fashion Show“. 

Sa i përket çmimeve që këto produkte kanë Sinani thotë se, kostoja e një produkti është e ndryshueshme. Çdo produkt ka çmimin e tij në bazë të modelit dhe punës që bëhet, ndërsa përsa i përket tregut se ku shiten ajo thotë se, shitjet janë kryesisht në Shqipëri, por falë rrjetit që kanë krijuar nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, promovimit nga të huajt në Shqipëri, bashkëpunimit që kanë patur me Claudia Janizewski me përpareset xhins, ato kanë shkuar edhe në Amerikë.

Bari i ‘mrekullueshëm’

Të njëjtën ide duket se ka ndjekur edhe “Formidable”, një lokal shumë stil të cilin e gjeni përballë Universitetit të Sporteve. Ky biznes ka nisur tri vjet më pare në katin e parë të një pallati të kohës së komunizmit si nismë e dy miqve dhe pas tre vitesh ata vendosën t’ja shisnin atë dy djemve të tjerë gjithashtu me ide interesante.

Në ndryshim nga shumë bare luksozë të tjerë të Tiranës çdo material i përdorur në arredimin e lokalit është i riciklueshëm dhe i përdorur më parë.

Erioni dhe Jurgeni nuk kanë ndryshuar asgjë në lokalin e tyre, pasi dhe ata janë fansa të bizneseve ekologjike. Në ambientin e tyre të vogël e shumë komod të duket sikur kthehesh pas në kohë. Ju kujtohen ato karriget e vjetra që i kemi patur në shtëpitë e gjyshërve, valixhet e kohës së komunizmit (këtë herë shërbejnë si tavolina), sobat me dru, radiot “Iliria”, gazetat e kohës së vjetër (të ngjitura në mure), kulleset e makaronova (që shërbejnë si abazhura), thasë kafeje (të vendosura në tavane), etj të gjitha kanë i gjeni në kafeterinë e djemve simpatikë. Kur i pyetëm djemtë se nëse ishte e vështirë t’i gjeje objektet e këtij lloji na thanë se një pjesë të tyre ua kanë dhuruar edhe banorët e lagjes.

“Banorët e lagjes na kanë dhuruar gjithashtu edhe libra, i lenë në këndin e tyre dhe kur vijnë të gjerbin kafen e mëngjesit lexojnë librin që kanë lenë në lokal. Por ka edhe objekte që kushtojnë. Ja përshembull radio “Iliria” ka kushtuar, atë ia kemi blerë një koleksionisti”, thonë djemtë për Citizens Channel.

Formidable është një oaz qetësie dhe mbi të gjithë i këndshëm i preferuar kryesisht nga turistët e huaj. Sepse të bësh bashkë të vjetrën me të renë duhen ide dhe duket se Ervini dhe Jurgeni i kanë me shumicë.

Autor: Suada Daci* / Citizens Channel
*Autorja është kryeredaktore pranë Blitz.al

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *