Veni, Vidi… Mos u kthe!

Mbeturina në një nga plazhet e Dhermiut. Foto: Amarildo Topi / Citizens Channel

Kur kam jetuar jashtë Shqipërisë, ashtu si edhe kur udhëtoj jashtë saj, i ftoj gjithnjë të huajt të vizitojnë Shqipërinë. Flas për Rivierën, plazhet e virgjëra, gjallërinë e Tiranës, ushqimet e shijshme, Valbonën, Thethin, kanionet e Osumit e Vjosës, Korçën, Shkodrën, mikpritjen, çmimet e lira, rakinë, etj.

Por tani kam marrë nje vendim. Do pushoj se beri një gjë të tillë sepse: e para do te jem thjesht një gënjeshtar, dhe së dyti, mendoj se do t’i prish punë Shqiperisë.

Falë eksperiencës dy vjeçare si gazetar turizmi pranë Radio Travel, ku raportohet gjithçka që ka të bëjë me industrinë travel, pata mundësinë të shoh nga Jugu në Veri se çfarë ofron Shqipëria në të katër stinët e vitit, për turistët vendas dhe ata të huaj.

Gjatë kohës që raportoja për këtë radio, pjesa më e madhe e reportazheve ishin pozitivë dhe një pjesë më e vogël kritikë. Por nëse kthehem e shkruaj sërish do të jem vetëm kritik, në vendet e tjera të Europës kam parë të tjera standarde infrastrukturore dhe shërbyese.

Me keqardhje them se turizmi shqiptar është ende shumë mbrapa, pavarësisht numrit në rritje të turistëve. Përveç përgjegjësisë të padiskutueshme të strukturave pritëse dhe institucioneve shtetërore, për këtë gjendje bëj me përgjegjësi edhe kolegët e mi gazetarë, që për turizmin kujtohen vetëm tre muajt e verës kur pushon politika. Realizimi i kronikave apo reportazheve shihet më shumë si një mundësi për të dalë nga Tirana e të hahet ndonjë drekë apo darkë falas. Prandaj për problemet e vërteta nuk flitet pothuajse asnjëherë.

Flitet për ujin blu të Dhërmiut e Sarandës, por nuk flitet për plehrat që kutërbojnë 50 metra larg detit. Flitet për restorantet me gatim te shkelqyer, por jo për restorantet me ushqim të pakontrolluar ku helmohen përditë pushues. Flitet për pastërtinë e ujit, por nuk flitet për pisllëkun e tualeteve të restoranteve. Flitet për hotele të shkëlqyer, por jo për pjesën më të madhe që nuk të ndërrojnë asnjëherë peshqirët, ndërkohë që çmimet i kanë si të ishin në Santorini. Flitet për jetën e natës, por nuk flitet për grupet e të rinjve që tymosnin hashash në mes të ditës kur pranë kanë fëmijë.

Dhermiu është aq i bukur persa i përket natyrës, por kur fillon e përzihet me njerëzit atëherë bëhet i shëmtuar. Rrugë të pashtruara, që kur kalojnë makinat krijohet një re pluhuri që kthehet në baltë në trupat e laguar të pushuesve apo shtohet si garniturë në pjatat e restoranteve në buzë të rrugës.

Makina e grumbullimit të mbeturinave vinte në mes të ditës, me erën e saj kutërbuese dhe punëtorët e lodhur nga vapa nuk ishin në gjendje per të mbledhur të gjitha mbeturinat që ishin hedhur shkujdesur në anë të rrugës.

Siguria

Elementet negativë që mund të them janë akoma më shumë, por po ndalem tek një nga më të rëndësishmit për një pushues: siguria.

Isha duke drekuar në një nga restorantet e Dhermiut, kur një vajze i ra të fikët dhe një turmë e madhe njerëzish iu mblodhën menjëherë sipër kokës duke mos i lënë të merrte as ajër. U desh ardhja e një polici që po kalonte rastësisht për t’i larguar disi. Ai mori menjëherë urgjencën në telefon. Urgjenca nuk vonoi fare dhe pas një ore ishte aty! Atëherë vajza e kishte marrë veten.

‘Shqipëria është destinacion vetëm për 45 vjeç e poshtë’, më tha një miku im që jeton në Gjermani. Nëse një pushues mund të ketë shenjat e infarktit të zemrës dhe duhet të marrë ndihmën e parë të paktën brenda 15 minutash, është e sigurtë që është i vdekur. Jo më larg se një ditë më parë një pushuese 75 vjeçare çeke humbi jetën në një plazh të Radhimës në Vlorë. Dhe këtë sezon veror pushuesit që kanë humbur jetën nga infarktet kanë qenë të shumtë, e sidomos ata të moshuar.

Prandaj lind nevoja që Ministria e Shëndetësisë, të çojë ekipe të ndihmës së parë në zonat e plazhit ku pushojnë me mijera vetë, se atje do të kenë më shumë punë se sa në qytetet e boshatisura.

Veni, Vidi… Mos u kthe!

Këtë verë nga Velipoja në Ksamil dëgjoje pothuajse nga të gjitha gjuhët e botës: gjermanisht, anglisht, sllovenisht, polonisht, italisht, etj. Ndërsa agjencitë turistike kanë raportuar këtë vit se është rritur ndjeshëm numri i shqiptarëve që preferuan të kalojnë pushimet në Turqi dhe Greqi. Arsyeja e thjeshtë: atje mund të marrin shërbmin e duhur në krahasim me atë që paguajnë dhe janë më të sigurtë.

Strukturat pritëse duhet të kuptojnë se shqiptarët kanë udhëtuar shumë e kanë parë të tjera standarde, ndaj edhe ata do t’i frekuentojnë shumë pak nga ç’mendojnë. Strukturat pritëse duhet të shkëputen nga mentaliteti i të pasuruarit brenda tre muajve, ose në të kundërt brenda tre muajve do të falimentojnë.

Turistët e huaj do të vijnë njëherë se kanë parë disa foto të bukura, kanë lexuar artikuj të paguar nga qeveria shqiptare, kanë dëgjuar nga miqtë e tyre shqiptarë, kanë lexuar për Shqipërinë nga librat e Kadaresë (siç më tha një turist gjerman në Vlorë), apo për ndonjë arsye tjetër, por kur të gjejnë një situatë të tillë… Sigurisht që do të ndërrojnë mendje… Dhe destinacion! 

Autor: Amarildo Topi

Leave a Reply

%d bloggers like this: