Gratë shtatëzëna në zonat rurale të harruara nga sistemi shëndetësor

Ndërsa vdekshmëria amtare ka shënuar përmirësime të ndjeshme, krahasuar me vitet 90-të, duket se në të vërtetë shërbimi shëndetësor çalon shumë në mundësitë që u ofron grave shtatëzëna. 

Në shumë raste pa mjekë gjinekologë, me orë të tëra që duhet të udhëtojnë për të bërë një eko, me diferenca të mëdha mes shërbimit që ofrohet në zonat urbane dhe atyre rurale, kanë sjellë që në 2016-ën shtatëzënat kanë bërë vetëm një vizitë më shumë se sa në vitin 1990-të.

Vdekshmëria amtare

Nëse në  vitet 90-të kishim 31 vdekje të grave që lidheshin me komplikime të shkaktuara nga shtatzania, në vitin 2015-ë, ky numër është ulur në mënyrë drastike duke zbritur në 11. Por pavarësisht këtyre ndryshimeve drastike sërish Shqipëria vazhdon të jetë më keq se fqinjët tanë të rajonit.

Sipas të dhëna të Organizatës Botërore të shëndetësisë nëse në Shqipëri në vitin 2015-ë, u raportuan 11 vdekje të grave shtatëzanë apo gjatë lindjes, Bosnja raportoi 4 raste vdekjesh, Kroacia raportoi 3 raste, Maqedonia raportoi 2 raste, ndërsa Mali i Zi raportoi vetëm 1 rast me humbje jete të shtatëzanës. Nga fqinjët tanë të rajonit më keq situata për një grua shtatëzanë është Serbia ku në vitin 2015 u raportuan 15 vdekje.

Tritan Shehu, ish ministër i shëndetësisë dhe drejtues i departamentit të shëndetësisë të Partisë Demokratike, ndërsa shprehet se ka përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitet 90-të, tregon edhe arsyet se përse ne ende vazhdojmë të jemi larg mesatares së vendeve të BE-së.

“Situata tani as që krahasohet me vitet 90-të, jemi ku e ku më mirë, por kjo nuk na pengon që të ecim me vendet e BE-së dhe ne jemi ende shumë larg. Defektet lidhen me një hartë të gjërë problematikash që nuk lidhen vetëm me sistemin shëndetësor. Ne kemi problem nivelin e varfërisë, nivelin arsimor, të ardhurat për frymë, buxhetin, kemi problem qendrat shëndetësore, kemi ende spitale që nuk kanë mjekë, kemi ende shumë problem nivelin e mjekut të qendrave shëndetësore  dhe të mjekut të familjes… është një hartë shumë e gjërë, që ne kemi ende këto shifra”, na shpjegon Shehu.

Sipas tij një problem shumë i madh është edhe mungesa e mjekëve. “Ne na dalin në pension çdo vit 300 mjekë, ndërkohë që diplomojmë afërsisht 250. Shto këtu që një pjesë e madhe mjekësh na kanë ikur jashtë. Ne aktualisht kemi 1.2 mjekë për një mijë banorë, ndërkohë që mesatarja e BE është 4.5 mjekë për 1 mijë banorë. Edhe ata mjekë që i çojnë në zonat e thella kanë diferenca në kushte, ndërkohë që pagesat shtesë që marrin nuk e justifikojnë dhe nuk kanë interes për ta. Kjo është arsyeja që ende në zonat rurale ka diferenca në ofrimin e shërbimit të specializuar”, na shpjegon Shehu.

Erlin Kruja, gjinekolog në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” e shikon me optimizëm situatën. “Gjërat kanë ndryshuar shumë dhe gratë shtatzëna tashmë nuk janë më të rrezikuara. Mjekë gjinekologë ka plot, por problem është shpërndarja dhe përqëndrimi në disa zona i një pjesë të mirë të popullatës. Megjithatë duhet kuptuar elementi varfëri, statusi social i nënës, ushqyerja e saj, niveli ekonomik i vendit, që janë të gjithë janë faktorë që ndikojnë se si një grua shtatëzanë do ta ndjekë shtatzaninë e saj”, na thotë gjinekologu Kruja.

Sipas tij problemi më i madh mbetet mungesa e mjekëve neonat dhe reanimator, ndërsa sa i përket pjesës së kujdesit shprehet se “tregohet kujdes njësoj si për nënën ashtu edhe për fëmijën, pasi nëse nuk është nëna mirë atëherë kjo ndikon edhe tek fëmija”.

Diferenca në shërbime

Por pavarësisht optimizimit të mjekëve, shifrat na japin realitet tjetër. Ndërsa është ulur vdeskshmëria amtare dhe ajo foshnjore duket se në më shumë se 16 vjet, gratë janë ndërgjegjësuar për të bërë vetëm një vizitë më shumë. 

Kështu sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1999 ka pasur  57.948 lindje, ndërkohë që konsultori i gruas ka kryer rreth  453,846 vizita, me një mesatare prej 7.8 vizitash për çdo grua shtatëzanë.

Po sipas të dhënave të INSTAT në 2016 janë regjistruar 31,733 lindje dhe 269,834 vizita. Mesatarja e vizitave për një grua shtatëzanë në vitin 2016 është 8.5 vizita, shifër kjo shumë modeste krahasuar me pritshmëritë e 17 viteve më parë.

Ndërkohë që edhe vetë brenda këtij sistemi shëndetësor mjaft problematik vihen re shumë pabarazi. Raporti shëndetësor kombëtar nënvizon se ka një hendek midis fshatit dhe qytetit, hendek që thellohet mes të pasurve dhe të varfërve.

Më konkretisht raporti e mat këtë hendek me nivelin e vdekshmërisë foshnjore nën 5 vjeç, që ishin 28 raste në zonat rurale kundrejt 13 vdekje për 1 mijë lindje të gjalla në zonat urbane. Tek të varfërit krahasuar me të pasurit ky raport ishte 34 kundrejt 13 vdekje, për 1,000 lindje të gjalla.

Prapambetja në rritje rezulton e përqendruar tek të varfërit në mënyrë domethënëse, në të kundërt, kujdesi para lindjes, ndihma e kualifikuar gjatë lindjes dhe përdorimi i kontraceptivëve ishin më të përqendruar tek të pasurit.

Për sa i përket kujdesit gjatë shtatëzanisë, prevalenca e të paktën katër vizitave ishte thelbësisht më e lartë në zonat urbane (82%), krahasuar me zonat rurale (57%). Në mënyrë të ngjashme, ishte konsiderueshëm më e lartë ndër të pasurit (91%) krahasuar me të varfërit (49%).

Më tej, pati një diferencë të vogël në nivelin e lindjeve të asistuara nga personeli mjekësor i kualifikuar ndër grupet me të ardhura të ndryshme (95% tek të varfërit dhe 100% te të pasurit).

Strategjia 2017-2021

Mangësitë e sistemit në fakt nuk janë të panjohura për ministrinë e Shëndetësisë. Në strategjinë e zhvillimit të shëndetit seksual riprodhues 2017-2021 të Ministrisë së Shëndetësisë vihet theksi se “Vdekshmëria amtare dhe foshnjore, megjithë përmirësimet që ka, mbetet e lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit europian”.

Po ashtu ky dokument zyrtar pranon edhe pabarazitë në vdekshmërinë amtare që “lidhen me pabarazitë social-ekonomike dhe nivelin e varfërisë midis rajoneve të vendit. Këta tregues janë më të lartë në zonat verilindore të vendit, midis familjeve që janë më të varfëra dhe me nivel më të ulët arsimimi. Po kështu problemet me këtë situatë lidhen me: Aftësitë dhe njohuritë jo të mira dhe në nivel bashkëkohor të personelit shëndetësor; mungesën e burimeve njerëzore dhe infrastrukturës”.

Strategjia synon që deri në vitin 2021 të rrisë aksesin dhe përmirësojë cilësinë e shërbimit dhe kujdesit amtar të barabartë për çdo grua, ashtu si edhe të reduktojë numrin e vdekshmërisë amtare.

Autor: E.K / Citizens Channel

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: