Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Parku Kombëtar i Dajtit i rrezikuar nga vizitorët e papërgjegjshëm dhe keqmenaxhimi*

Nga Prof. Aleko Miho

Shkak për këtë shkrim u bë një veprimtari pyllëzimi në një çeltirë gurishtore, diku pranë Qendrës së Informacionit të Parkut që vumë re këtë qershor gjatë praktikës me studentët e biologjisë. Kjo veprimtari ishte mbështetur financiarisht prej njërës nga subjektet e rëndësishme private të këtij Parku. Më bënë përshtypje disa mangësi, të cilat do të doja t’i ndaja me lexuesin, palët e interesuara dhe specialistët përkatës, në mënyrë që ato të mund të orientohen drejt rrugës së duhur dhe aty ku është e mundur të korigjohen, këtu dhe gjetkë. Përse konkretisht:

Pyllëzim në zemër të Parkut Kombëtar të Dajtit nuk më duket gjetje e mençur

Së pari, përpjekja për të pyllëzuar një hapësirë pikërisht në atë vend për mua nuk do ishte aspak e nevojshme; në një park hapësira të tilla kanë vlerën e tyre përsa i përket larmisë bimore apo shtazore. Vetë hapësira e parkut nëse lihet e lirë është në gjendje të pyllëzojë vetveten aty ku duhet. E lirë nënkuton nëse nuk pritet, nuk vilet, nuk kullotet, nuk digjet nga zjarri etj., ajo e ripërtërin dhe ruan mirë vetveten bashkë me botën shtazore përkatëse, pa pasur aspak nevojë për ndërhyrje nga jashtë. Madje as veprimtari cungimi apo pastrim nga ana e pylltarëve nuk janë të këshilluara. Funksioni i Parkut është pikërisht lënia e lirë dhe mbrojtja e jetës brenda hapësirës.

Së dyti, kjo parcelë e mbjellë me drurë kishte dhe etiketa, ndonjëra prej të cilave ishte vënë gabim, p.sh. thanës (Cornus mass) i ishte vënë emri i thanuklës (Cornus sanguinea). Ndër të tjera, këto dy lloje janë boll të pranishme në Park dhe shtimi me to ndoshta nuk do kishte ndonjë vlerë të madhe. Mund të ishte risi si aktivitet nëse do mbilleshin bimë të florës së Parkut, por që janë të rralla apo të kërcënuara, më shumë për t’i shtuar, por edhe për t’i vënë në dukje të vizitorëve. Por brenda një hapësire të mbrojtur nuk është aspak e këshilluar mbjellja e bimëve të rëndomta, ose atyre që nuk i përkasin florës natyrore.

Së treti, dhe më e rëndësishme është mbjellja e dy rrënjëve të bimës së akacies (Robinia pseudoacacia), duke e treguar dhe me etiketë!!! Dua t’u kujtoj ekspertëve se akacia është një bimë jo e vendit tonë dhe e konsideruar sot si bimë aliene (pushtuese), e rrezikshme për florën dhe bimësinë vendase. Ajo nuk duhet kurrsesi të mbillet me ‘duart e tua’ si i thonë fjalës, brenda një zone të mbrojtur! Këshilloj ekspertët e administratës së Parkut të shkojnë shpejt dhe t’i asgjësojnë ato dy rrënjë të mbjella aty ose të mbjella gjetkë. Akacia është një bimë shumë e mirë si zbukuruese në parqet e qyteteve, por jo për t’u mbjellë brenda një parku kombëtar. Për këtë bimë dhe për të tjera si kjo duhet pasur parasysh edhe në planet e tjera të rehabilitimit të hapësirave që bien brenda ose pranë zonave të mbrojtura të vendit.

Ndoshta ende shumë pak e dinë se PK i Dajtit që prej vitit 2006 është zgjeruar deri në 293.8 km2; ai shtrihet nga kufiri administrativ ndërmjet rretheve të Krujës dhe Tiranës në veri deri në rrjedhjen e Erzenit në jug. Për gjithë këtë hapësirë janë listuar mbi 860 lloje bimësh të larta. Këtë listë të plotë, një listë me bimë të rralla dhe të kërcënuara, dhe më shumë për vlerat natyrore të kësaj hapësire lexuesi i interesuar mund t’i gjejë në studimin tonë për Ujëmbledhësin e Bovillës (2009).

Këtu dëshiroj të sjell një hartë të zonimit në treg, e cila është më e mira që kemi mundur të gjejmë, por që mund të ndihmojë për të njohur më mirë për këtë Park, ndër më të rëndësishmit në vend, shtrirjen dhe zonat përkatëse.

Sheshet për piknik dhe kulturimi i vizitorëve

Në thelb unë i përgëzoj nismat mbështetëse të subjekteve private të vendosur brenda zonave të mbrojtura. Në Parkun Kombëtar të Dajtit ka disa të tilla dhe duken të fuqishme nga ana ekonomike. Ato përfitojnë shumë nga vendndodhja e tyre dhe nga gjithë vlerat natyrore: florë, bimësi, botë shtazore, peizazh etj.

Për këtë, jo vetëm që bëjnë mirë që mbështetin veprimtari që tregojnë kujdes ndaj vlerave të zonës së mbrojtur ku ato ndodhen, por unë do thosha se ato duhet ta ndiejnë edhe si detyrim dhe të mos qëndrojnë në heshtje ndaj dëmtimeve dhe sjelljes së pakulturuar të vizitorëve. Por është e rëndësishme që mbështetja e tyre të shkojë në drejtimin e duhur, të ndihmojë realisht në mbrojtjen dhe fuqizimin e vlerave të zonës së mbrojtur. Këtu ka shumë rëndësi edhe bashkëpunimi me specialistët e administratës së Parkut ose të tjerë të kësaj fushe.

Konkretisht, në Parkun Kombëtar të Dajtit, por dhe në zona të tjera të mbrojtura, vihet re një shpërfillje nga vizitorët lidhur me mbetjet e ngurta të drekës në natyrë me familjen apo me miqtë. Në të vërtetë, në Shqipëri duket se është ende herët që vizitorët të sillen përfundimisht si europianë të qytetëruar.

Shumë prej tyre vijnë në Dajt shumë të kulturuar, çlodhen dhe ushqehen po në mënyrë të kulturuar, por largimi nga Parku nuk bëhet po me kulturën e ardhjes. Çfarë mbeturine mbetet nga pikniku, shishe, kanaçe, kocka mishi, sende plastike, gazeta, lihen aty pa kujdes; e shumta fshihen pas ndonjë ferre edhe pse nuk kushton asgjë që mbeturinat të mblidhen në një nga qeset plastike me të cilën janë sjellë ushqimet dhe të hidhen në koshin më të afërt!

Për këtë finale shumë vizitorë për fat të keq ende nuk e kanë kuptuar se kjo është detyra e tyre në radhë të parë! Madje edhe për zjarrin që ndezin, jo gjithmonë tregojnë kujdesin e duhur. Ndoshta është edhe kjo pakujdesi një nga burimet e zjarrvënies në pyjet dhe kullotat tona!

Pra, shkurt për fat të keq turisti ynë në zonat e mbrojtura dhe gjetkë nuk e ka fituar ende pjekurinë e plotë! Por kjo vjen edhe nga mungesa e strukturave ku vizitori të lejohet të bëjë pushimin në natyrë, të ndezë zjarrin dhe të hedhë mbeturinat. Në këtë mënyrë, një veprimtari e mençur do ishte mbështetja për të ndërtuar sa më shumë sheshe të tilla pushimi brenda Parkut që secili vizitor të lejohet të shkojë vetëm aty. Një nga mbresat e mia në një zonë të mbrojtur në Gjermani ishte lista e gjobave të ‘kripuara’ ndaj gjithë vizitorëve që shkelin rregullat e vëna nga administrata! Nuk e harroj që studentët duhanpirës kishin me vete një kuti të vogël me kapak për të hedhur bishtat e cigareve.

Një lloj tjetër veprimtarie do të ishte mbështetja për pastrimin në vazhdimësi nga plastikat dhe mbetjet e tjera, gjithmonë të hedhura pa kujdes nga vizitorët. Këtë mund ta bëjnë shumë mirë nxënësit shkollave nëse gjendet një gjuhë e duhur me ta. P.sh. në Tiranë ka shumë shkolla 9 vjeçare apo gjimnaze, nxënësit e të cilave mund ta bënin me shumë dëshirë një ekskursion në Tarracën e Dajtit me teleferik.

Sikur dikush të paguajë biletën e tyre, bashkë me një hamburger për drekën, një bluzë të bardhë, një palë doreza dhe një thes të zi për ta mbushur me plastika të mbledhura aty-këtu në Park, jo shumë, por 2-3 veta një thes, jam i bindur se ata do flutruronin për një gjë të tillë. Edhe ata më dembelët do të zgjoheshin për këtë, dhe shumë nuk do ta harronin! Ndonjëherë, shoh që ka të tilla veprimtari, por subjektet private dhe administrata e Parkut duhet të përpiqen së bashku për më shumë të tilla, sepse vërtet ka nevojë.

Zjarrvënia – një dukuri shumë e shëmtuar që kërkon ndëshkim të rëndë

Këtë shkrim ia adresoj në veçanti stafit të administratës së Parkut Kombëtar të Dajtit, por kam bindjen se çështja është me interes edhe për gjithë specialistët zonave të mbrojtura, për specialistët e AKZM-së ose DRM-të, si dhe ekspertë të tjerë mjedisorë në vend. E di që këtë verë të nxehtë shumë prej tyre janë përballur edhe me zjarret e shumta.

Respekte të gjithë atyre, përfshirë këtu edhe zjarrfikësit dhe forcat e armatasura, të cilët kanë sakrifikuar mund e djersë për kontrollin dhe shuarjen! Me këtë rast dua të shpreh zemërimin tim ndaj zjarrvënies si një dukuri shumë të shëmtuar, e cila për fat të keq ndodh shpesh në Shqipëri gjatë verës së nxehtë. Zjarret shkatërrojnë në çast atë që natyra me shumë mundim e ka arritur gjatë evolucionit të saj të gjatë. Duhen dhjetëra vite e ndoshta shekuj të ripërtërihet ajo që është vendosur në natyrë për miliona vite.

Mbi 900 vatra zjarri të raportuara në media gjatë kësaj vere nuk janë pak për një vend të vogël si i yni!!! Zjarret nuk  mund të ndizen vetë, pa ndihmën e njeriut, qoftë pa dashje ose dhe me dashje(!). Si e tillë, zjarrvënia përbën një krim të mirëfilltë, në dëm jo vetëm të natyrës, por të vetë njeriut dhe shoqërisë sonë, në dëm edhe të vetë zjarrvënësit.

Me zhdukjen e bimësisë në një zonë, dashur apo pa dashur, ajo hapësirë kthehet në shkretëtirë; atmosfera varfërohet nga oksigjeni bimor, pa llogaritur pastaj gjithë pasojat e tjera që e shoqërojnë kur një hapësirë zhvishet komplet nga bimësia, si tharje burimesh, ashpërsim klime, gërryerje të shpatit, rrëshqitje, përmbytje poshtë, varfërim deri në zhdukje bimësh dhe kafshësh të rralla, shpesh dhe me pasoja ekonomike.

Zjarret janë një nga rrugët e varfërimit të biodiversitetit, për të cilën Shqipëria dallohet. Për këtë, kujdesi dhe vigjilenca ndaj zjarreve duhet të jetë njëlloj si për strukturat përgjegjëse dhe për të gjithë ne qytetarët. Por dhe ndëshikimi ndaj autorëve duhet të jetë gjithmonë shumë i rreptë!

*Autori është profesor pranë Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

*Titulli është i redaksisë së Citizens Channel. Titulli origjinal: Ndodhi në PK të Dajtit

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *