Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rënia e euros / Çfarë duhet të bëjnë qytetarët dhe bizneset?

Prej 18 muajsh, euro ka pësuar një rënie të vazhdueshme në tregun tonë valutor. Monedha e përbashkët europiane, me të cilin kryhen rreth 68% e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ka zbritur tashmë në nivelin e 133.4 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, euro këmbehej me rreth 137.4 lekë ose rreth 4 lekë më shumë se sot.

Kush përfiton dhe kush humbet nga dobësimi i euros?

Të gëzuarit e parë janë të gjithë ata që kanë një kredi në këtë monedhë. Kjo pasi paguajnë më pak për këstet mujorë, ku normës së interesit nuk i shtohet kosto e transaksionit.

E thënë ndryshe, nëse unë kam një kredi në euro dhe të ardhurat në lek, me një këst mujor prej 300 euro në muaj, unë paguaj sot për huanë 40 020 lekë. Ndërsa një vit më parë, unë paguaja për të njëjtën kredi 41 220 lekë. Sipas përllogaritjeve, 1 200 lekë më shumë në muaj.

E kundërta ndodh me ata që kursimet i kanë në euro. Depozitat në këtë monedhë vlejnë sot më pak, interesat prej tyre gjithashtu. Supozojmë se unë kam një depozitë në euro, e cila më siguron një fitim prej 130 euro në muaj. Me kursin e sotëm të këmbimit, unë marr 17 342 lekë. Një vit më parë, për të njëjtën interes depozite unë fitoja 17 862 lekë ose 520 lekë më shumë në muaj.

Luhatjet në kursin e këmbimit kanë ngritur dilema sesi duhet të veprojmë me kursimet dhe investimet tona. Ekspertët këshillojnë kujdes. Ky nuk është moment i duhur për të luajtur në “bursën valutore”.

“Do të apeloja për dy gjëra. Së pari, meqë ka kurs të ulët dhe të luhatshëm të euros dhe diferencë mes euros dhe dollarit, shumë njerëz mendojnë të tregtojnë valutë, me shpresën se do të fitojnë. Kjo gjë po vihet re tek ata që luajnë me shuma të vogla. Do të këshilloja që të mos ta bënin këtë gjë, pasi risku është shumë i madh. Një tjetër dukuri që po konstatohet është tendenca, që kur një monedhë bie, një pjesë e njerëzve që kanë kursime në këtë valutë, tentojnë ta këmbejnë atë dhe ta kthejnë në monedhën që po ecën më mirë. Gabim sërish. Në këtë rast këshillohet që të mos kryejnë transaksione dhe të mos nxitojnë që të shkëputen nga këto monedha, pasi do të dalin me humbje”, argumenton Adrian Civici, një prej ekspertëve më të mirë të tregjeve financiare në Shqipëri.

Vlera e këmbimit të Euros ndër vite. Burimi: Banka e Shqipërisë

Tregëtia me valutat padyshim që është me risk të lartë, për faktin se parashikimi është i vështirë. Përballë rënies së fortë të euros, ajo që mund të bëhet, është një analizë e shkaqeve që “rrëzuan” monedhën e fortë dhe aq shumë të pëlqyer të shqiptarëve.

Për ekspertët, faktorët e brendshëm kanë qenë përcaktues në këtë ecuri. “Në rastin e euros, problemi është tërësisht në tregun e brendshëm. Ne patëm bollëk me euro dhe kjo vendosi ekuilibra të rinj në tregun e këmbimit, ku monedha europiane ra dhe leku u forcua. Ndërsa në raport me dollarin, ka ndikuar ecuria e tregjeve financiare ndërkombëtare”, shpjegon Civici.

Ajo që ekspertët e quajnë “bollëk të euros” u krijua nga disa burime, një pjesë të dukshme dhe të tjera, jo. Të ardhurat nga turizmi, financimet në kuadër të projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), rritja e dërgesave të emigrantëve (remitancave) dhe dalja e një sasie parash jashtë sistemit bankar, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të qershorit janë disa nga arsyet.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, paraja jashtë bankave në fund të muajit korrik arriti në 253 miliardë lekë, ose rreth 1.8 miliardë euro. Në krahasim me muajin mars, kur dhe filloi tendenca rritëse, ky tregues është shtuar me 3.4%, ose 8.5 miliardë lekë (rreth 62 milionë euro).

Por janë edhe kanalet e padukshme. E thënë ndryshe, paratë që gjenerohet nga aktivitet e paligjshme, si kultivimi dhe tregtimi i kanabisit. Një pjesë e këtyre të ardhurave përfundojnë në tregun valutor, por sasia e tyre dhe ndikimi që mund të kenë tek kursi është vështirë të matet.

Çfarë do të ndodhë me euron?

Një pyetje e ligjshme, por nga ato që vlejnë 1 milion dollarë. Ta parashikosh e vështrë, ta gjesh me saktësi, e pamundur. Faktorët e brendshëm pritet të ndikojnë sërish, por këtu shtohet qeveria e re dhe çelja e sezonit, që padyshim do të bëjnë punën e tyre.

Ekspertët sërish apelojnë, kësaj rradhe për biznesin, veçanërisht atë importues dhe eksportues, që pagesat dhe transaksionet e ndryshme i kryen në monedhën europiane. “Forcimi i lekut favorizon importuesit dhe dekurajon eksportuesit, sidomos kur bëhet fjalë për kontrata afatgjata 3 vjeçare e më lart. Zakonisht tregtarët nuk e parashikojnë riskun e kursit dhe nuk marrin masa për ta amortizuar atë”, shpjegon Adrian Civici.  

Në finale, kujdes me euro. E dobët apo jo, avantazhet dhe dizavantazhet kanë kostot e tyre.

Autor: Aurora Sulçe* / Citizens Channel

*Autorja është moderatore dhe autore e emisioneve ekonomikë “Ekopolitikë” dhe “Para dhe Pasuri” në Ora News

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *