Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Banorët e Shkozës: Fadromat nuk na shkatërruan vetëm shtëpitë, por edhe jetën

“Shitet dera”… Një mbishkrim me shkumës të bardhë njofton shitjen e një porte hekuri ngjyrë gri në Shkozë të Tiranës. Po aty dëgjon zhurma punëtorësh dhe familjarësh që çmontojnë çfarë të munden nga shtëpia modeste njëkatëshe ku kanë investuar të gjithë paratë e fituara me djersë e mund ndër vite. Nuk duan të flasin. Janë të lodhur mendërisht për të rrëfyer stresin e këtyre ditëve. Edhe pse nuk kanë marrë asnjë lajmërim zyrtar se banesa do të shembet, ata po bëjnë gjithçka gati. Duan të kenë sa më pak dëme financiare nga kjo gjëmë që i ka zënë.

Pak metra më poshtë, në rrugën “Muharrem Zalli”, në çatinë e godinës trekatëshe të familjes Mema, disa ustallarë po heqin tjegullat e çatisë. Përpara derës qëndron një kamionçinë që do të largojë që andej orenditë. Ilir Mema është kryefamiljari i shtëpisë, të cilit rrathët e zinj poshtë syve i kanë lënë gjurmë të pagjumësisë e pasigurisë shumëorëshe.

“Familjen e kam lëvizur në një shtëpi me qera. Vetë fjeta mbrëmë këtu, se dyert e dritaret nuk i kam hequr akoma. Kisha frikë mos hajdutët përfitojnë nga kjo situatë dhe vijnë e na vjedhin”, shprehet ai për Citizens Channel.

Iliri na tregon se as ai, si shumë banorë të tjerë, nuk është njoftuar ende zyrtarisht për të lënë banesën. “Këtë shtëpi e pata blerë në vitin 1993. Në atë kohë kishte dy kate. Me kalimin e viteve i shtova dhe një papafingo. Ndërsa tani do e shoh kur ta shembin”, thotë i pikëlluar.

Banesa e familjes Mema. Foto: El.El / Citizens Channel

Dëmet ekonomike nuk janë të vetmet që po përballet ai dhe familja e tij. Disa ditë më parë, Anila, bashkëshortja, ishte e para që u përball me policët. Teksa bashkëshorti ishte në punë dhe fëmijët në shkollë, asaj iu dha urdhër që kishte pak orë në dispozicion për të bërë gati plaçkat dhe të boshatiste shtëpinë. Bota iu shemb mbi kokë, përpara se punonjësit e inspektoriatit t’i rrënojnë shtëpinë. Ulëriti, qau, kërkoi ndihmë. Në ato momente mbërrin dhe i biri 14-vjeçar nga shkolla. Kur sheh të ëmën në atë gjendje, tenton t’i vijë në ndihmë por një polic civil e ka kap nga krahu dhe e fut në furgon policie. Anila humb ndjenjat, ndërsa i biri përfundon në qeli paraburgimi për 6 orë.

“Që nga ajo ditë nuk e çoj më në shkollë, se është ende me trauma. Mbase tani kemi halle të tjera dhe nuk kuptojmë gjë, por ajo ngjarje ka për t’i lënë pasoja fëmijës tim”, thotë Iliri mes psherëtimave. Pastaj largohet, duke na kërkuar ndjesë sepse e presin punë plot gjatë këtyre orëve dhe ditëve.

Duke zbritur më poshtë, shohim shtëpinë e parë të shembur, pranë urës së Shkozës. Aty u shënua dhe incidenti i parë i kësaj fushate që do të shembë të gjitha ndërtesat në njollat e kuqe ku do të kalojë plani i ri urbanistik i Unazës së Madhe. Shtëpia u bë e njohur pas videos së xhiruar nga vetë banorët, ku shihej dhe dëgjohej e qara ulëritëse e një fëmijë 10-vjeç të cilit po i shoqëronin prindërit në polici, pas kundërshtive për lirimin e shtëpisë. Sot, aty kanë mbetur vetëm rrënojat.

Orët e para të këtij mëngjesi në këtë zonë kanë një qetësi aspak të rehatshme. Rrugës sheh rrënoja, policë që janë në gatishmëri dhe njerëz të lodhur që tashmë e kanë humbur shpresën dhe që s’dinë nga t’ja mbajnë.

Ende nuk dihet si do të shkojë fati i këtyre 153 familjeve që një ditë shtatori përjetuan mbi supe zallamahinë dhe problemet e sistemit të ndërtimeve me leje e pa leje në vend, një gangrenë që zgjat prej 27 vitesh.

Ata s’dinë ende nëse do të marrin mbrapsht ndonjë shumë parash apo do të kthehen në pikën zero, nga ku ja nisën dekada më parë.

Autor: EL/El

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *