Kushtet e vështira në maternitetin e Lezhës rrezik për shëndetin e nënave dhe të porsalindurve

Kushtet në maternitetin e Lezhës. Foto: E. Gj / Citizens Channel

“Kam kaluar një situatë shumë të keqe në këtë maternitet, sepse si pasojë e mungesave të shumta në mjekë dhe medikamente, para 1 viti unë humba fëmijën tim”, tregon Anita, 23 vjeçarja nga fshati Blinisht, të cilën e gjejme në oborrin e maternitetit të Lezhës, në pritje të vizitës së radhës. Ajo pret sërish një fëmijë, këtë radhë një vajzë.

Materniteti i qytetit të Lezhës është institucioni shëndetësor kryesor sa i përket shëndetit të gruas, jo thjesht për faktin se Lezha është qendër qarku, por gjithashtu edhe si pasojë e mungesave të theksuara në mjekë specialistë në spitalet e nivelit bashkik që përbëjnë këtë qark (Mirditë dhe Kurbin).

Nga ana tjetër sipas një urdhërese të Ministrisë së Shëndetësisë prej afro 1 viti materniteti i Lezhës përballon edhe urgjencat dhe konsultat e rrethit Mat si rrjedhojë e mungesës së mjekut obstetër-gjinekolog në rrethin në fjalë. Në këtë mënyrë, materniteti i shërben një komuniteti prej afro 200 mijë banorësh.

Mungesat janë të shumëanshme, duke filluar nga aparati i ekografisë, e domosdoshme për kujdesin e paralindjes, inkubatorët si dhe aparatura të tjera të nevojshme për kujdesin e fëmijëve të lindur parakohe.

Laboratori funksionon në mënyrë të cunguar, duke kryer vetëm një set analizash bazë. Nga ana tjetër godina është tejet e amortizuar dhe paraqet problematika në rrjetin hidraulik dhe elektrik. Bëhet fjalë për një institucion me afro 1500 lindje/vit dhe rreth 500-600 ndërhyrje kirurgjikale të llojeve të ndryshme.

Maternitet 2

Kushtet në brendësi të maternitetit të Lezhës.

“Në maternitetin tonë ka shumë vite që nuk janë bërë investime serioze gjë që krijon vështirësi në ofrimin me cilësi të kujdesit shëndetësor. Praktikisht punojmë në një godinë të amortizuar, me mungesa të mëdha në aparatura mjekësore, punojmë në tejkalim të mundësive dhe në kufinjtë e cënimit të niveleve të sigurisë”, thotë Leon Kaza, drejtori i Spitalit Obstetër-Gjinekologjik.

Shpesh herë është folur për mundësinë e ndërhyrjes me investime në këtë maternitet, por deri më sot nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Megjithëse kushtet diktojnë qartazi se ndërhyrja për përmirësimin e kushteve të punës në maternitetin e Lezhës duhet të kthehet në një prioritet të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Në spitalin tonë kryhet e gjithë gama e ndërhyrjeve obstetrike-gjinekologjike, përjashtuar ndërhyrjet endoskopike duke qenë se mungojnë aparaturat e nevojshme. Prandaj, e kam të vështirë të them se në cilin repart duhet ndërhyrë më parë pasi mendoj se ka ardhur koha për një rikonstruksion të plotë, të thellë të maternitetit për ta rindërtuar sipas kërkesave të kohës”, vijon drejtori Kaza.

Pacientët dhe të porsalindurit përballen me kushtet e papranueshme, madje kur koha është e keqe në shumë prej dhomave çfarë bie jashtë, hyn edhe brenda. Kova dhe mjete të tjera rrethanore përdoren nga stafi i maternitetit për të mbledhur ujin që pikon nga tarraca.

Maternitet 4

Kushtet në brendësi të maternitetit të Lezhës.

“Unë vij nga Mirdita, kam lindur vetë nuk kam pasur komplikacione dhe gjithçka ka shkuar mirë, është lindja e tretë që realizoj në këtë maternitet. Kushtet janë të vështira por nuk e kam mundësinë për të shkuar dhe lindur në privat, kushton shumë”, tregon një nënë lëhonë e cila ka vetëm disa orë që ka dalë nga salla e lindjes.

Nëse do iu referoheshim statistikave, gjatë viteve të fundit ka një rënie të numrit të lindjeve. Por ky është një tregues relativ, pasi në të vërtetë do të duhej të kishim një rritje të numrit të lindjeve lidhur kjo me zgjerimin e komunitetit që ky maternitet i shërben.

Spitali rajonal

Materniteti nuk mbetet i vetmi institucion shëndetësor problematik, në qytetin e Lezhës, spitalit rajonal gjithashtu i mungojnë disa mjekë ndërkohë që ka një fluks të madh pacientësh.

Vetëm gjatë vitit 2016 ky spital ka pasur në total 152 000 pacientë për të gjitha shërbimet, kjo për të gjithë zonat që përfshin brenda spitalit rajonal të Lezhës.

Sipas drejtorit të spitalit Pashko Smaçi mungesa e gjashtë mjekëve paraqet një problem mjaft të madh. Një mungesë e tillë thekson ai krijon shume probleme me pacientët si dhe sorollatje të tyre.

“Mungon nje kardiolog dhe reanimatori, si dhe një neonat, një neurolog dhe një mjek në urgjencën e spitalit. Ky spital përballon me fluks edhe pacientët e Laçit dhe Mirditës, ndaj mungesa e mjekëve është një problem i madh që kërkon zgjidhje të menjëhershme”, përfundon drejtori Smaçi. 

Autor: E. Gj / Citizens Channel

Leave a Reply

%d bloggers like this: