Zhurma nga pompat e ujit të pijshëm, makth dhe rrezik për shëndetin e banorëve në katet e para

Pompa poshtë dritareve të banesave në katet e para në një lagje të Fierit. Foto: Gëzim Hoxha / Citizens Channel

Selman Goxhaj është 74 vjeç. Ai jeton me të shoqen e sëmurë në katin e parë të një pallati të ndërtuar para viteve ’90 në lagjjen “29 Nëntori” në qytetin e Fierit. Që të dy vuajnë nga diabeti. Gruaja ka kaluar edhe një paralizë parciale që ia vështirëson së tepërmi lëvizjen. Nënë Ferideja shumicën e kohës e kalon në shtëpi, pa mundur të dalë.

Përveç hallit të madh që i ka zënë, atyre iu duhet të përballen edhe me zhurmën e pompave. “Kam 2 – 3 muaj që merrem me pompat. Ku s’kam shkuar, më ranë këmbët “, thotë Selmani për Citizens Channel. “Më shqetësojnë pamasë. Kam 11 pompa që ulërijnë gjithë ditën këtu tek dritarja”, tregon ai i dëshpëruar.

Ai rrëfen se ka bërë dhjetëra ankesa për këtë shqetësim. “Kam shkuar tek drejtori i rajonit, kam shkuar në polici. Madje kam folur në telefon edhe me kryetarin e Bashkisë, me Armando Subashi, i cili më tha që nuk mund të bënte asgjë pa mbaruar projekti i ujësjellësit.”

Të njëjtën gjë pohon edhe Asqeri Ruko, drejtor i rajonit nr.3 në Fier. “Për momentin nuk mund të bëhet asgjë, por me sa di pompat do të hiqen shumë shpejt.“ Por se kur, ai nuk di ta thotë.

Në Bashkinë e qytetit, roja nuk lejon askënd të hyjë. Megjithatë Citizens Channel arriti të kontaktojë me Neritan Boçovën, përgjegjës për informimin e qytetarëve në këtë institucion. “Projekti për rehabilitimin e ujësjellësit u zbatua nga firma Alb Star. Bashkia nuk ka informacion në lidhje me ecurinë e projektit. Ideja fillestare ishte që me rritjen e presionit të ujit do të hiqeshin edhe pompat. Madje do të ishin vetë banorët ata që do të kërkonin heqjen e tyre, apo vendosjen e pompave të përbashkëta. Alb Star nuk varet nga ne. Ata nuk i marrin fondet nga ne prandaj dhe nuk di ç’të them. Tek ne ata marrin leje vetëm për çarje rrugësh dhe hapje kanalesh”, sqaron ai, duke hequr përgjegjësinë nga Bashkia.

Tek ndërmarrja e Ujësjellësit, Vasil Marko, drejtor teknik i UKF- së, mesa duket është i vetmi optimist i kësaj situate që banorët i ka lodhur së tepërmi. Me një buzëqeshje në fytyrë, ai thotë se “projekti ka përfunduar dhe 70 % e pompave, edhe pse janë ende të instaluara, nuk shërbejnë më për furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm”.

“Personalisht e kam hequr pompën dhe furnizohem me ujë të pijshëm pa ndihmën e saj. Projekti për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit ka përfunduar në disa lagjje si: “11 Janari”, “Apolonia”, “Kastrioti”, “Qënas”, “29 Nëntori”, “15 Tetori”,” Konferenca e Pezës”, “Kongresi i Përmetit”, një pjesë e Bishanakës si dhe dy fshatra: Levan dhe Frakull. Projekti parashikon rritjen e presionit me qëllim hedhjen e tij deri në 15 metra lartësi”, shprehet Marko.  

Sipas deklaratës së drejtorit Marko, të gjitha pallatet me lartësi deri në 5 kate do të funizohen me ujë të pijshëm pa ndihmën e pompave, pa përfshirë pallatet e reja shumëkatëshe. Por edhe ai nuk di të thotë një datë të saktë të heqjes së pompave.

“Nuk është parashikuar një datë fikse për fillimin e këtij operacioni. Por është planifikuar muaji tetor. Banorët do të njoftohen dhe nëse kërkojnë ndihmë për heqjen e tyre do t’iu dërgojmë hidraulikët tanë për këtë qëllim.”

Por kush do ta paguajë koston e heqjes së tyre? “Ajo do të paguhet nga vetë banorët, pasi ata janë edhe pronarët e tyre”, sqaron kreu teknik i UKF-së.

Pompa poshtë dritareve të banesave në katet e para në një lagje të Fierit. Foto: Gëzim Hoxha

Pompa poshtë dritareve të banesave në katet e para në një lagje të Fierit. Foto: Gëzim Hoxha / Citizens Channel

Të gjithë ankohen…

I moshuari Selman Goxhaj nuk është i vetmi që shqetësohet nga zhurma e pompave të ujit. Anxhela Demiraj, një tjetër banore e ardhur rishtazi në një prej pallateve të vjetër parafabrikat në lagjen “8 Shkurti” thotë për Citizens Channel se bezdiset shumë prej tyre.

Ata që vuajnë më së shumti janë banorët e kateve të para, aty ku zhurmat bëhen të papërballueshme. Por a janë këto zhurma të dëmshme për dëgjimin?

Mjeku specialist O.R.L. Kristaq Çaçi, thotë se “janë një sërë simptomash që dëshmojnë ndikimin e zhurmave në përgjithësi dhe të zhurmës të pompës në veçanti. Bëhet fjalë për dhimbjen e kokës, atë të zemrës, shkaktimin e stresit si dhe krijimin e gjendjes së ankthit. Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj kësaj zhurme e dëmton seriozisht aparatin e dëgjimit”.

Të njëjtën gjë vërtetojnë edhe studimet psikologjike të dekadave të fundit. Ato kanë arritur në përfundimin se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave mund të ndikojë në shëndetin psikologjik.

Psikologia Lediona Braho. Foto: Private Citizens Channel

Psikologia Lediona Braho. Foto: Private

Psikologia klinike Lediona Braho, thotë për Citizens Channel se “këto zhurma mund të ndikojnë në uljen e performancës gjatë kryerjes së një detyre a pune, probleme të gjumit, shqetësime emocionale e deri në probleme të shëndetit mendor. Efekti negativ rritet me rritjen e kohës që ne kalojmë gjatë këtij ekspozimi. Zhurma dëmton edhe fëmijët e vegjël dhe ky dëmtim mund të fillojë herët: që në fetus. Kur ndodhet në barkun e nënës fetusi i percepton dhe përgjigjet me lëvizje ndaj zhurmave që mund të jenë të pranishme në mjedis. Edhe më vonë ajo ndërhyn në procesin e të folurit dhe në mësimin e gjuhës”.

Në degën rajonale të agjencisë së mjedisit në Fier, Dhimitraq Bitri, një prej monitoruesve të Vlerësimit të Ndikimit të Mjedisit thotë se “kjo lloj zhurme, e cila konsiderohet ndotje akustike, godet në mënyrë të vazhdueshme njerëzit në tru duke i irrituar ata, sidomos ata persona të cilët janë më të ngarkuar emocionalisht apo psikologjikisht. Kur e pyet rreth masave që janë marrë rreth këtij fenomeni, ai thotë me buzën në gaz se “shumë flitet por asgjë nuk bëhet”.

Ndotje apo jo, dëmtuese apo jo, zhurma që shkaktohet nga pompat gjatë procesit të thithjes së ujit dhe ngjitjes për në katet e sipërme të pallateve të vjetra, është kthyer në një makth për banorët e kateve të para të tyre. Ata mezi presin që pompat të hiqen, pasi një jetë pa zhurmën e tyre do të ishte shumë herë më e mirë se kjo e tashmja. 

Autor: Gëzim Hoxha

Leave a Reply

%d bloggers like this: