Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Torovica harrohet nga Ministria e Shëndetësisë, 5 mijë banorë me një mjek pensionist

Bardhok Rrapaj është në të 70-at dhe ndonëse mbahet mirë me shëndet, sërish i duhet të shkojë shpesh tek doktori për të aritminë që e shqetëson herë pas here.  Këtu fillon kalvari i vërtetë, jo vetëm për Bardhokun, por edhe për rreth 5 mijë banorët e fshatit Torovicë të Lezhës: kanë një qendër shëndetësore pa mjekë.

“Ky është problemi më i madh që ne kemi. Jemi 5 mijë banorë dhe kemi vetëm dy infermiere dhe një mjek, edhe ai është pensionist për vete. Këtu të bie flama! Na ka ndodhur që kemi pasur një urgjencë, kemi marrë autombulancën e nuk na ka ardhur sepse është rruga copë-copë. Jemi në pikë të hallit, shteti na ka braktisur”, tregon për Citizens Channel, Bardhok Rrapaj. 

Por të njëjtin “hall” kanë thuajse të gjithë banorët e kësaj zone. Burrat që takojmë në kafenë e qendrës së fshatit Torovicë na tregojnë peripecitë që iu duhen për të marrë shërbimin shëndetësor.

“Është absurde situata ku na kanë lënë. Kësaj i thonë me të lënë shteti jot në baltë, e madje me ta dhanë edhe një shkelm për me ra në greminë. Na kanë sjellë një mjek pensionist, i cili vjen një herë në javë. Por edhe atëherë kur vjen, ai nuk është për punë. Ka ndodhur që ka shkuar një person me urgjencë, e mjekun, ngaqë është edhe vetë në moshë, e ka kapur tensioni dhe ka thënë “Më prisni deri sa të qetësohem!” Kjo është marri more”, na thotë i irrituar nga neglizhenca e pushtetit një nga banorët e Torovicës.

Jetët e 5 mijë banorëve të kësaj zone, janë lënë në dorë të dy infermiereve që shërbejnë në këtë qendër shëndetësore, pasi mjeku vjen një herë në të rrallë. Në shumicën e rasteve, ata shpjegojnë se shkojnë në spitalin e Lezhës, që ndodhet 22 km larg, por rruga është krejtësisht e amortizuar dhe udhëtimi zgjat deri në një orë  e 30 minuta.

“Kur ke një njeri të sëmurë për një minutë e fiton ose e humbet betejën me sëmundjen, jo më 1 orë e gjysëm deri sa të shkosh në spital”, thonë banorët.

Mungesa e mjekëve

Arben Ristani, Drejtor i shëndetit publik të Lezhës, thotë se prej vitesh ka bërë kërkesa për një mjek për këtë zonë, por ende nuk është gjendur një zgjidhje.

“Problemi i qendrës shëndetësore të Torovicës është i vjetër, po ku të gjesh mjekë? I kam bërë me dhjetra kërkesa Ministrisë së Shëndetësisë, por ende nuk kemi gjetur një zgjidhje. Për momentin, kam rimarrë në punë një mjek që ka dalë në pension. Por ai nuk shkon çdo ditë, por dy herë në javë, pasi nuk mbulon vetëm Torovocën, por edhe një fshat tjetër, që po ashtu nuk ka mjek. E di që kjo nuk është zgjidhje, por çfarë të bëjmë? Më mirë se pa mjek fare”, na thotë Ristani.

Sipas tij, largimet masive të mjekëve këto vitet e fundit nga Shqipëria po lënë pa shërbim shëndetësor jo vetëm zonat e thella, por edhe spitalet e qyteteve. “Unë kam nevojë jo vetëm për një mjek për Torovicën, por kam edhe 4-5 qendra shëndetësore të tjera pa mjekë. Por problem nuk janë vetëm fshatrat, mungesa në mjekë ka edhe vetë spitali i Lezhës. Mjekët e rinj që diplomohen nuk kthehen të punojnë në rrethe, ndërkohë që dy-tre vitet e fundit janë larguar rreth 400 mjekë nga Shqipëria. Dhe kjo është katastrofë e nëse nuk ndërhyhet do të vazhdojë të lerë pa mjekë shumë zona edhe në vitet në vazhdim!”, shpjegon Ristani.

Godina në gjendje të mjeruar

Dikur një ndër zonat me të zhvilluara të Lezhës, Torovica sot duket se është krejtësisht jashtë axhendës së zhvillimit të rajonit. Përveç mungesës së mjekëve, për të cilën banorët e kësaj zone thonë se nuk kanë lënë derë pa trokitur, edhe amortizimi i godinës dhe kushtet në të cilat atyre u ofrohet shërbimi shëndetësor mbetet një problem shqetësues për ta.

 “A e shikoni se në çfarë gjendje është qendra shëndetësore? Dhe si mund të pretendosh që aty të marrësh shërbim? Ne shkojmë për t’u mjekuar, por po të futesh brenda vetëm sëmundje merr. A e di si është brenda? Mizerje! S’ka asgjë, vetëm dy infermieret”, na thonë banorët teksa këmbëngulin që ta shohim nga brenda qendrën.

Por ajo është e kyçur për momentin, pasi infermierët kanë shkuar për një vizitë mjekësore në fshat, e mjeku nuk ka ardhur këtë ditë. Por pamja që të ofrohet është shumë e mjerë dhe shumë larg imazhit që duhet të ketë një qendër shëndetësore.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *