Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kanceri i gjirit – një dënim me vdekje për gratë shqiptare

Nga Marinela Lina*

“Ju keni kancer”, thënë nga një mjek, shkakton emocione të ndryshme në varësi të vendit ku jeton. Nëse në vendet e Evropës Perëndimore një grua do të fillonte të mendonte se cilën metodë të trajtimit duhet të zgjedhë, në Shqipëri ka më shumë gjasa të mendojë për funeralin. Edhe pse kanceri i gjirit është një sëmundje e trajtueshme dhe e kurueshme, në Shqipëri është ende një dënim me vdekje në shumë raste.

Kanceri është vrasësi i dytë më i madh në Shqipëri

Me një popullsi prej rreth 3 milion njerëzish dhe rreth 7,700 raste të reja të kancerit të diagnostikuar çdo vit, kërkesa e Shqipërisë për trajtimin e kancerit tejkalon në masë të madhe kapacitetin në dispozicion. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, kjo është arsyeja pse kanceri vret shumicën e njerëzve në vend pas sëmundjeve kardiovaskulare. Për çdo tre njerëz në Shqipëri që vdiqën nga sëmundjet e zemrës ose të gjakut në vitin 2016, një vdiste nga kanceri.

Kur shohim situatën gjatë viteve të fundit, ka disa përmirësime: për çdo 17 vdekje nga kanceri në vitin 2012 ka një më pak në vitin 2016. Megjithatë, edhe pse tendenca e përgjithshme për vdekjet e kancerit është në rënie, situata është alarmante.

Nëse shohim në detaje se si ka ndryshuar tendenca për lloje të ndryshme të kancerit, vihet re se lloje të caktuara të kancerit po rriten. Për shembull, kanceri i lëkurës është ai që vret më shumë njerëz çdo vit. Për çdo 5 persona që vdiqën nga karcinoma në vitin 2012, ka pasur një më shumë në vitin 2016. Por kjo është gjithashtu një lloj shumë i rrallë i kancerit, jo ai që vret shumicën e shqiptarëve.

Kërcënimet e fshehura: llojet më fatale të kancerit nuk janë gjithmonë ato më të zakonshme

Ndërsa kanceri i gjirit dhe i prostatës janë më të zakonshmet në mesin e njerëzve në Shqipëri, kanceri i mushkërive është deri tani shkaku kryesor i vdekjes së kancerit për popullatën. Ndërmjet 2012 dhe 2015, kanceri i mushkërive vrau shumicën e shqiptarëve, dyfishin se çfarë bëri lloji i dytë fatal, kanceri i stomakut. Kanceri i gjirit ishte i 7-ti më fatali nga kancerat.

Por mos u mashtroni nga ky kurth statistikor: nëse marrim parasysh vetëm gratë që kanë vdekur nga kanceri, tabloja  është e ndryshme. Kanceri që vret shumicën e grave në Shqipëri çdo vit është kanceri i gjirit. Ky është gjithashtu lloji më i zakonshëm i kancerit që një grua mund të marrë.

Statistikat

Sipas onkologut të Spitalit Nënë Tereza, Prof.Dr.Helidon Mina, shkaqet kryesore të vdekjeve të kancerit në Shqipëri shpjegohen jo vetëm nga gjenetika, por edhe nga stili i jetës: dieta jo e shëndetëshme, pirja e duhanit dhe obeziteti. Të gjitha çojnë në rritjen e shanseve për të marrë kancer. Duke krahasuar Shqipërinë me Italinë fqinje, Prof. Mina theksoi se Italia ka ushqime shumë më të shëndetshëme, ndërsa Shqipëria ka një rritje të pranisë së hormoneve në produktet që konsumojnë njerëzit.

Sipas të dhënave të Global Health Data Exchange, gratë shqiptare në pesëdhjetat e tyre të hershme janë grupmosha më e mundshme për të zhvilluar këtë sëmundje. E frikshme, çdo 1 në 50 gra shqiptare midis 50 dhe 54 vjeç do të ketë kancer të gjirit. Veçanërisht, kur u pyet për këtë gjë, Prof. Mina tregoi një trend tjetër, që ende nuk është parë në statistikat zyrtare: ai tha se vitet e fundit ka dëshmuar një rritje të kancerit të gjirit midis vajzave të reja.

Por ka diçka të gabuar me sistemin që e kthen llojin më të zakonshëm të kancerit në një dënim me vdekje. Sëmundja është e shërueshme dhe madje mund të parandalohet.

Kanceri i gjirit

Si të shmanget vdekja nga kanceri i gjirit?

Ndërsa Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza është një ndër dy  qendrat e vetme për trajtimin e kancerit në vend, sëmundja është një shqetësim në rritje për njerëzit. Jo vetëm për shkak se nuk ka mjekë dhe pajisje të mjaftueshme për ta trajtuar atë, por edhe për shkak se shumica e njerëzve në Shqipëri janë diagnostikuar shumë vonë.

Sipas mjekut onkolog Helidon Mina, arsyeja pse kanceri i gjirit është më fatali për gratë në Shqipëri është për shkak të neglizhencës së vizitave tek mjeku. “Ata nuk vijnë për vizita në fillim të shqetësimeve që shfaqen në trupin e tyre, por i lënë pas dore derisa shkojnë në fazat e fundit të kancerit kur shqetësimet janë më të mëdha”, thotë doktor Mina.

Më shumë se gjysma e rasteve diagnostikohen në fazën e tretë dhe të katërt të kancerit. Në këtë pikë simptomat kanë përparuar tashmë, gjë që e bën trajtimin më të shtrenjtë dhe më pak efektiv. Prandaj, shanset janë të larta për të vdekur.

Ndërkohë, zbulimi i hershëm mund të shpëtojë jetën. Radiografi i Klinikës Orthodhokse Dr.Vladimir Titka, shprehet se diagnostikimi i kancerit të gjirit me mamografi është mënyra më efektive për të kuruar tumorin. Kjo nuk ndihmon në parandalimin e kancerit, por mund të ndihmojë në zbulimin e kancerit herët, kur është më i shërueshem. Sidoqoftë, mamografia nuk është e disponueshme në nivelin publik të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri, por vetëm palpimi i gjirit. Kjo mundësi e kufizuar e diagnostikimit të kancerit, vret çdo vit gratë.

Në të njëjtën kohë, ka shumë gjëra që çdo grua në Shqipëri mund të bëjë për të ulur rrezikun e prekjes nga kanceri i gjirit. Gjëja e parë është që të bëj vetë-ekzaminim dhe, në rast shqetësimi, të shkoj në spital. Sipas specialistëve, shenjat më të shpeshta të fillimit të kancerit të gjirit janë ndryshimet në pamjen apo ndjenjën e gjirit: gunga, nyje të forta ose trashje brenda gjoksit ose nën krahë, ënjtje, ngrohje e pazakonshme, skuqje ose errësirë e gjirit, ndryshim i madhësisë ose formës së gjirit.

Rekomandime të tjera përfshijnë ndryshime në stilin e jetës cka do të ndihmonte parandalimin e kancerit të gjirit të tilla si: mbajtja e peshës në kontroll, qëndrimi fizikisht aktiv, mospirja e duhanit dhe ushqyerja me gji. Megjithatë, faktori më i madh i rrezikut për të marrë kancerin e gjirit është vetëm të qenit grua. Dhe sa më e vjetër të jetë, aq më të larta janë rreziqet për tu prekur. Prandaj, grave në pesëdhjetat e tyre të hershme u rekomandohet të kryejnë mamografi çdo vit. Kjo është mënyra se si mund të zbulohet kanceri – dhe pastaj, me shpresë, shërohet.

*Ky artikull u shkrua në kuadër të trajnimit Datajournalism Institute në Tiranë nga 10 korriku deri me 4 gusht 2017, një bashkëpunim i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe UNDP Albania.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *