Djegia e mbeturinave, rrezik për shëndetin e banorëve të Shkodrës (Video)

Mbeturinat në Shkodër digjen në mes të ditës në qiell të hapur. Pavarësisht situatës asnjë institucion nuk merr masa për të ndaluar rrezikun e vazhdueshëm që i kanoset mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve.

Pothuajse çdo ditë zona pranë fshatit Bardhaj të njësisë administrative të Rrethinave mbulohet nga tymi që çlirohet nga djegia e mbeturinave. Ato hidhen dhe digjen në shtratin e lumit Kir, vetëm pak kilometra larg qëndrës së qytetit të Shkodrës.

Në orët e para të mëngjesit përgjatë rrugës së Bardhajve konstatohen re tymi si pasojë e djegies se mbetjeve, ndërsa banorët e zonës ankohen se pavarësisht thirrjes për të ndërhyrë deri më tani situata vijon të mbetët e njejtë.

“Kjo nuk është vetëm kjëtu por gjithkund në ish- komunën Rrethina. Tash spo merr askush masa për këtë punë, fshatrat janë mbuluar nga mbeturinat dhe ndërsa njerëzit janë shumë të pakënaqur me bashkinë”, thotë për Citizens Channel, Kolë Doci, banor i fshatit Bardhaj.

Sipas Kolës “ndonjëherë duket sikur ka një mjegullinë, por në fakt është tymi i mbeturinave që njerëzit djegin njerëzit vend e pa vend”.

Tymi që del nga djegia e tyre është i pranishëm në orët e para të dites, ndërsa natën djegia bëhet më e madhe dhe gazrat që çlirohen përshkojnë kilometra të tëra drejt qytetit të Shkodrës. 

E kontaktuar nga Citizens Channel, bashkia e Shkodrës bën të ditur se “mbetjet në të shumtën e rasteve digjen nga përsona endacakë, të cilët djegin mbetjet për të nxjerrë skrap dhe kontrolli i tyre është pothuajse i pamundur pasi ata djegin në vende të ndryshme të qytetit”. Sipas bashkisë djegia e mbeturinave nuk lidhet me çështjen e pastrimit por me situatën ekonomike që ka kjo shtresë.

Efektet e dëmshme

Tymi i krijuar nga djegia e paligjshme e mbeturianve në periferinë e qytetit të Shkodrës është mjaft i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.

Ky fakt bëhët i ditur nga mjeku onkolog Ardian Dajti i cili flet për pasojat fatale të djegies së mbeturinave. “Djegia e mbeturinave sjell shpërberje toksike prej së cilës një përqindje e lartë shndërrohet në karbon, e ky i fundit ka rrezikshmëri të lartë të kancerit.” Sipas mjekut Dajti “kanceri i mushkërive ka numrin më të lartë të të prekurve në qytetin e Shkodrës në krahasim me llojet e tjera të kësaj sëmundjeje”.

Rrezikshmëria pranohet edhe nga institucione të tjera të shendetësisë në Shkodër. Sipas shefit të higjenes pranë drejtorisë së shendetit publik, Burim Gjyli, në varësi të lëndës që digjet gjendet edhe lloji ndotësit. “Lëndët kancerogjene çlirohen nga djegia e trikotazheve me ngjyra, ndërsa nga djegia e disa lloje mineralesh ndoten ujrat nëntokësore”, thotë ai për Citizens Channel.  

Nga ana tjetër Inspektoriati i Mjedisit pasi ka kryer procedurat për kundravajtje administrative ndaj bashkisë Shkodër, në disa raste materialet i ka referuar edhe pranë prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër për zjarrëvënie të qëllimshme, por pavarësisht kësaj situata vijon të mbetet e njëjtë.

Autor: Elvis Nabolli

Leave a Reply

%d bloggers like this: