Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Stop përbaltjes ndaj Universitetit të Tiranës, vlerësimi i nxituar dhe jo real

Nga Prof. Aleko Miho*

Këto ditë u njohëm me Raportin përfundimtar të vlerësimit institucional të Universitetit të Tiranës, material tepër teknik me 25 faqe, i hartuar në prill 2017 nga një ekip i përbërë nga 4 përfaqësues të huaj të ngarkuar nga agjencia britanike Quality Assurance Agency (QAA), dhe nga 2 ekspertë shqiptarë të ngarkuar nga agjencia shqiptare e akreditimit (APAAL).

Për lexuesin e thjeshtë dua të saktësoj se sipas këtij Raporti, standardet shtetërore të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri janë 5: organizimi dhe menaxhimi i institucionit; burimet (resourcing); kurrikulat; mësimdhënia, mësimi, vlerësimi dhe kërkimi; studentët dhe mbështetja e tyre.

Ndërsa kriteret e vlerësimit nga ekipi për përmbushjen e këtyre standardeve ishin 4: janë përmbushur; janë relativisht përmbushur; janë përmbushur pjesërisht; nuk janë përmbushur. Sipas ekipit vlerësues, UT në tre nga fushat e mësipërme i përmbush relativisht standardet (burimet, kurrikulat, dhe studentët), dhe në dy të tjera i përmbush pjesërisht ato (organizim dhe menaxhim; dhe mësimdhënie). Megjithatë, ekipi vlerësues arrin në përfundimin se standardet shtetërore të cilësisë në UT plotësohen pjesërisht. Kjo ka bërë që agjencia jonë e akreditimit t’i japë një vit kohë institucionit për të përmbushur shumë nga kërkesat për plotësimin e këtyre standardeve.

E parë në vetvete për UT-në, këtu nuk ka asgjë të keqe, mendoj unë. Të gjithë ne që punojmë në UT e ndjemë se ka shumë mangësi dhe mbetet shumë për të bërë. Por ajo që nxit zemërimin ndaj këtij Raporti është se, krahasuar me shumë institucione arsimore të larta (IAL) publike dhe private në vend, UT del më i dobëti në raport me përmbushjen e standardeve.

Harrojnë ekspertët që Shqipëria është aq vend i vogël sa të gjithë e njohim mirë njëri-tjetrin, pavarësisht nga ato që mund të thonë të tjerët në raportimet e tyre! Po ky zemërim është edhe ndaj gjithë përbaltjes me të cilën e përcjellin sot zëra në median e shkruar dhe atë elektronike. Po vazhdoj më konkretisht më poshtë.

Vlerësimi relativ institucional i IAL-ve i nxituar dhe joreal

The visit took place over three days/Vizita u bë për mbi tre ditë (f. 3)’, ky është një konstatim i parë që të bie në sy në Raportin e vlerësimit të Universitetit të Tiranës. Por UT është institucioni më i madh në Shqipëri. Si mundet një gjë e tillë!? Sado me përvojë të jetë ekipi i ekspertëve vlerësues, nuk mundet kurrë të japë mendim duke parë vetëm sipërfaqen, ose edhe atë për së largu! Në rast se për UT-në kanë përdorur rreth tre ditë, për shumë nga institucionet e tjera në vend ekipi duhet të këtë qëndruar vetëm për disa orë!

Këtë e them se edhe pse vetë kam qenë para pak vitesh në grupin e punës për vetëvlerësimin e fakultetit (FShN, UT). Është bërë punë e madhe dhe për disa muaj me radhë, dhe me një grup të gjerë pedagogësh. Dhe vërtet materiali i grumbulluar qe shumë i madh. Kjo për një fakultet! Mos të harrojmë se vetë FShN ku unë punoj prej mbi 30 vite, është sot më i madh se dhe shumë nga vetë IAL-të e tjera publike apo private të vendit të vlerësuara nga ekipi. Po për gjithë 6 fakultetet e institucionit? Kjo bëhet edhe më e vëshirë kur i gjithë informacioni është në gjuhën shqipe!

Do të thotë se në vizitën e tyre ekipi vlerësues ka mundur të shohë vetëm formën dhe aspak përmbajtjen, nuk kanë mundur për tre ditë të shohin as fasadat e institucioneve tona të përhapura kudo në Kryeqytet, jo më të njihen realisht me atë që bëhet brenda tyre.

Nëse ekspertët vlerësues kanë përdorur të njëjtat standarde kohore edhe për institucionet e tjera në vend, mund të them se ky vlerësim është i nxituar dhe aspak real. Menjëherë më lind e drejta të them që gjykimet e dhëna këtu, jo se nuk qëndrojnë, por janë të paragjykuara, jo realisht të vërtetuara në një institucion gjigant të arsimit të lartë si UT, sidomos kjo në raport me gjithë institucionet e tjera publike dhe private në vend.

Për këtë më vjen keq për kolegët e agjencisë britanike, për profesionalizmin e tyre, dhe natyrisht, edhe më shumë për agjencinë tonë të akreditimit, por dhe për kolegët shqiptarë në grupin e vlerësimit që bëhen palë në vlerësime të tilla!

Kush është realisht UT?

Është pa diskutim universiteti më i madh jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në gjithë rajonin. Nuk ka moshë të madhe krahasuar me shumë universitete europiane, por për Shqipërinë është i pari, dhe sivjet mbush 60 vjet përvojë. Është universiteti që mbijetoi në një tranzicion shumë të vështirë, kur të gjitha ndërmarrjet e tjera publike u mbyllën dhe u shkatërruan pa nam e nishan.

Mësimi nuk u ndërpre asnjë minutë edhe në ditët më të rënda të historisë së tranzicionit. Unë bashkë me kolegët e mi kemi bërë roje natën në mes të plumbave të 1997-ës për të ruajtur fakultetin tonë nga marrosja e asaj kohe.

Shumë nga (pseudo)analistët e sotëm kritikë të UT flinin ngrohtë në pambuk në atë periudhë, ose ia kishin mbathur gjetkë! Pa dyshim që kjo gjendje është pasojë e një politike qeverisëse të gabuar që ka ndjekur ky vend në historinë e tij të vështirë. E megjithatë shumë nga parlamentarët, ministrat, dhe ekipet e tyre të punës në vite kanë sot në xhep diplomën e UT-së.

UT është institucioni nga i cili kanë dalë thuajse të gjitha IAL-të e tjera publike të vendit. Si këta, por edhe IAL-të private mbahen sot me Planet tona Mësimore dhe Programet Lëndore, të marra hua prej nesh; tekstet tona dhe gjithë materialet e tjera të mësimdhënies shërbejnë edhe për këta, herë kjo e dukshme dhe herë e fshehur. Shumë nga personeli ynë akademik jep mësim në këta institucione; shumë kolegë punojnë me mëditje edhe në universitetet private për të plotësuar të ardhurat që në UT mbeten tepër të ulëta!

A mundet ju të ekipit të akreditimit të më sillni një shembull për ndonjë rast të kundërt për këtë? Madje, për absurditetin e kësaj kohe tranzicioni dhe të vendimmarrjes naive dhe të paaftë, pedagogë nga institucionet tona, të cilët sipas Ligjit për publikun dalin në pension pleqërie, merren me shumë dëshirë nga IAL-të private duke i vendosur në poste drejtuese!

Pra ka dy qëndrime në këtë vend – një për publikun (shihet si djali i njerkës) dhe një për privatin (sot biri i vërtetë, i dhëmshur dhe fatlum)! Kush e dëgjon këtë bën kryq! Mirë ose keq në UT gjen edhe dy laboratorë kërkimorë të ngritur, dhe ekspertë me përvojë që punojnë! Më sillni një të tillë që është jashtë UT-së!

Pavarësisht nga vështirësitë, ne nuk i kemi ndërprerë praktikat mësimore apo shkencore me studentët. Gjithë këtë nuk e bëj të hap debat me IAL-të tona; me ato publike jemi bashkëvuajtës në të njëjtën barkë; kurse me IAL-të private jemi në dy sisteme të ndryshme për fat të keq, aspak komplementare si kërkojnë të thonë, por në konkurencë të pastër me njëri-tjetrin, për sa kohë luftojmë për të tërhequr secili sa më shumë studentë pranë vetes!

Sot nga sa duket njëri është ‘delja e zezë’ që ka ‘dalë nga binarët’, kurse tjetri ‘shkëlqen’ dhe ‘shyqyr që e kemi, që të nxjerrë vendin nga prapambetja!’ Për këtë dua t’i tregoj ekipit dhe agjencive përkatëse se janë të nxituar në përfundimet e tyre krahasuese, për të mos thënë se i kanë paragjykuar ato me dëshirë!

Dështimet në UT janë dështime edhe të vetë politikës dhe shoqërisë shqiptare

Megjithatë, edhe një herë unë e pranoj se institucioni ynë nuk është i përsour dhe ka shumë nevojë për përmirësim. Dhe mund të pohoj se shumë nga konstatimet qëndrojnë në thelb. Por kjo nuk bëhet aspak me ultimatum dhe vendime ekipesh sado profesionale dhe ‘fair’ ato të jenë!

Nëse ka mangësi dhe dështime në UT, ato janë dështime edhe të vetë politikës, vendimmarrjes dhe nivelit arsimor të gjithë shoqërisë shqiptare. Për këtë duhet të ndiejë përgjegjësi edhe vetë qeveria dhe ministria përgjegjëse, por dhe vetë agjencia e akreditimit, si dhe gjithë vendimmarrja. Le të sjell disa shembuj për këtë:

Ligji 80 (2015) i arsimit të lartë u quajt si arritje e madhe nga politika! Për fat të keq jo! Ligji shpall të mirëqënë tre sisteme IAL-sh, nga dy që ishin në ligjin e mëparshëm: publik, privat dhe tani edhe i pavarur! Kot thonë ‘përvojë e përparuar’, kjo është përvojë gjithmonë shqiptare! Vazhdojmë të ecim në rrugë të pashkelura si gjithmonë ne shqiptarët! Shqipëria vazhdon të mbajë një numër shumë të madh të IAL-ve për 1000 banorë, madje e ka fuqizuar atë më tej.

Arsimi i lartë nga një e drejtë e barbartë publike, sot është me ligj një e drejtë e pabarabartë, si është realisht edhe për gjithë pjesën tjetër të sistemit arsimor! Kush i ka xhepat plot mund të paguajë për fëmijën e tij që të ndjekë diplomën e pëlqyer dhe universitetin e duhur. Për fat të keq, konstatoj se kjo zgjedhje për shumë shqiptarë bëhet edhe verbërisht, në dëm edhe të cilësisë së diplomës! Të tjerët, duan apo nuk duan le të shkojnë te universiteti publik, sistem ky i lënë në mëshirë të fatit për vite, ashtu si do them dhe më poshtë!

E megjithatë, për hir të së vërtetës, pjesa më e madhe e studentëve në vend studiojnë në universitetet publike, dhe shumica e tyre kërkojnë të vijnë në UT. Kjo është ‘halë në sy’ për konkurencën e pastër sot të ‘shitësve të lulelakrës’, nga buron edhe kjo përbaltje e institucionit në dritë të diellit.

Tjetër fakt: Jemi prej muajsh duke hartuar Statutin e ri të UT-së. Bie në sy dyzimi i pushteteve drejtuese që mbështet Ligji për IAL-të publike. Në nenin 39, pika 1, thuhet se ‘Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare, …’. Më poshtë në Nenin 51, Pika 1, thuhet se ‘Administratori është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit …’. Si lidhen këto dy aspekte mes tyre? Por pjesa akademike është shumë e varur nga ajo administrative, nga ajo financiare, kurse ajo adiministrative duhet gjithmonë të jetë në shërbim dhe nën urdhërat e pjesës akademike, madje me shumë përulje!

Bëhet fjalë për universitet të nderuar kolegë, me personel akademik dhe me mijëra studentë në vit, të cilët vijnë tek ne, formohen në pak vite në gjithë drejtimet dhe dalin në jetë, jo për një ndërmarrje prodhuese dosido! Për këtë ata edhe vetë paguajnë nga xhepi i tyre! Për fat të keq, vemë re se Ligji sot nuk ta jep këtë mundësi! Kjo lë shkas për ngërçe rrugës, sidomos në rastet kur palët nuk bien dakord!

Kushdo qoftë, pjesa akademike e këtij bipoli Akademik-Administrim përbëhet nga intelektualë, gjithmonë me përvojë në mësimdhënie, por edhe në drejtim, prandaj dhe zgjidhen në mënyrë kolegjiale. Edhe për këtë, pjesa akademike nuk mundet të jetë kurrësesi honorifike, duhet gjithmonë të jetë kyesore në këtë bipol të krijuar nga ligji!

Në të kundërt le të zgjedhim administratorë të tillë nga bota jonë universitare në gjithë nivelet e drejtimit universitar! Kam përshtypjen se në ligj është ngatërruar fjala anglosaksone ‘kancelar’ me funksionet e një drejtuesi universiteti të zgjedhur me një votë legjitime nga gjithë personeli akademik dhe studentët.

Sado të zotë, me përvojë dhe të ndershëm të jenë administratorët, të tillë si këta në universitetet publike, ata gjithmonë mbeten nënpunësa të emëruar nga një Bord, edhe ky Bord si i tillë po prej Ligjit është disi heterogjen në përbërje dhe interesa. Nuk mundet kurrë që një administrator të jetë fuqiplotë në menaxhimin e fondeve të një institucioni publik pa një bashkëpunim të ngushtë dhe kontroll njëkohësisht, madje shumë të rreptë, nga pjesa akademike, e përfaqësuar drejtpërdrejt nga Rektori, Rektorati, Senati, Dekani, Dekanati, madje dhe Përgjegjësi i Departamentit, deri dhe vetë profesori i fundit në Departament. Nuk mund të jetë ndryshe!

Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet autonomia, tepër e trumbetuar, për IAL-të publike. Ndoshta kjo mënyrë dyzimi në këtë Ligj shkon për rektorët e emëruar në universitetet private! Atje Rektori duket më shumë si figurë formale, që emërohet, ka funksion të thjeshtë këshillimor në strukturën ku ata ndodhen. Por edhe tek universitetet private, ai që vendos është Pronari i tij!

Ja disa fakte më shumë

Kemi mbi 20 vjet që fjala ‘Kampus’ u lakua nga Rektorët e radhës në programet e tyre, u animua në faqen e UT-së në mënyrë marramendëse, por asnjëherë nuk u bë realitet. A ishte kjo për fajin e UT-së? Mendoj kurrë! Ku do t’i gjente fondet UT për të plotësuar nevojat e veta për infrastrukturë? Asnjëherë vendimmarrja nuk i ktheu realisht sytë nga arsimi i lartë.

Ministritë përgjegjëse ishin të kënaqura që institucioni shtonte kuotat për të tërhequr studentët, por vepronte në mënyrë të kundërt me fondet, duke i ulur ato. Në vite qeveritë kanë dhënë për UT nga buxheti i shtetit vetëm rrogat e punonjësve, dhe kjo jo për të 12 muajt e vitit!

Gjithë të tjerat institucioni i ka zgjidhur nga të ardhurat e studentëve, duke filluar nga plotësimi i rrogës për punonjësit, pagesën e mbingarkesës mësimore të shtuar në vite, e deri te shkumësat, te bankat, kimikatet, qelqurinat, te lyerja, etj. etj. IAL-të publike mbahen në këmbë vetëm me rreth 460 euro për student në vit, e cila pjesërisht mbulohet nga buxheti i shtetit dhe pjesërisht nga tarifa e shkollimit. Kjo shifër është shumë herë më e ulët se sistemi ynë privat dhe se të ardhurat e institucioneve të tjera të ngjashme në rajon.

Vështirë që me këto të ardhura një institucion të zgjerojë hapësirat, të përmirësojë kushtet në auditore, laboratore dhe në zhvillim praktikash mësimore-shkencore në përputhje me shtimin e numrit të studentëve dhe me kërkesat e kohës.

Për më tepër, pas viteve 1990-të kuotat e studentëve janë shtuar, kjo falë rritjes së kërkesës për diplomat tona dhe si rrjedhojë edhe e traditës së mirë të trashëguar nga UT. Natyrisht, shtimi i kuotave të pranimit ka plotësuar edhe nevojën e brendshme për të rritur të ardhurat. Në këtë mënyrë, UT sot ka mbi 23 mijë studentë (sipas Raportit), shifër që është shumëfish i para viteve 1990-të.

Ndërkohë hapësirat për mësimin janë shtuar shumë më pak, krahasuar me shtimin e studentëve, shtimin e diplomave, me shtimin e cikleve dhe të kohëqëndrimit në auditor. Si thashë më sipër, shumë më pak janë shtuar edhe të ardhurat që ka caktuar buxheti i shtetit në këto vite, aspak në përputhje me shtimin e numrit të studentëve, por dhe me kërkesat e kohës.

Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt’, te kjo thënie e mënçur e popullit e mbyll këtë koment për Raportin e vlerësimit. T’i japim hakën atij që e meriton! Jemi një vend i vogël, tepër i vuajtur, por dhe tepër i etur për dije. Le të ulemi një copëherë dhe ta shohim njëri-tjetrin drejt në sy, pa paragjykime dhe përbaltje. Të bëjmë më të mirën për të ndihmuar atë që duhet dhe aq sa duhet. Arsimi, veçanërisht arsimi i lartë, është faktor kyç për ekonominë dhe mirëqënien e vendit, dhe këtu UT ka pa diskutim rol shumë të rëndësishëm.

*Profesor në Departamentin e Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

*Titulli i opinionit është i redaksisë së Citizens Channel, titulli origjinal: “Vlerësimi institucional i IAL-ve i nxituar dhe joreal”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *