Bankat –  Klientët ankohen, ekspertët kërkojnë nxitje të konkurrencës

Banka e Shqipërisë.

Nëse ke vendosur të hysh në një marrëdhënie kontraktuale me bankat e nivelit të dytë, ji i kujdesshëm gjatë aktit të firmosjes së kontratës! Lexo dhe sqaro gjithçka! Janë këshilla nga klientët të cilët e perceptojnë marrëdhënien me bankat tregtare në Shqipëri si abuzuese për klientin dhe favorizuese për vetë bankat.

Ditmiri është një burrë rreth të 50-ave, ekonomist me profesion dhe njohës i mirë i sistemit financiar bankar dhe jo bankar. Në vitin 2009 ka marrë kredi për shtëpi në një nga bankat e nivelit të dytë. Sipas kontratës së firmosur në 3 vitet e para, Ditmiri duhet të paguante 6 % interes fiks dhe në vitin e IV e mbrapa interesi do të ishte Euribor + 3,75%.

Ditmiri thotë për Citizens Channel se, për shkak të krizës europiane, vlera e euriborit ra.

”Në bazë të kontratës, banka duhet të më njoftonte se kontrata ishte në favorin tim. Unë pas vitit të tretë përfitoja kredinë me interes 1 % që ishte euribori + 3,75 interesi fix = 4,75 %. Jo vetëm që banka nuk më njoftoi, por kur unë shkova të kërkoja të drejtën time përfundova në debate të thekshme me drejtoreshën e degës ku kisha marrë kredinë. Edhe pse isha i pajisur me njohuri të thelluara mbi fushën, nuk arrita të fitoja të drejtën time. Kërcënimi i bankës për rezistencën time të drejtë ishte se do të më përfshinte në regjistrin e kredive të këqija nëse unë refuzoja të paguaja kredinë me interes 8, 25 % që e vendosi vetë banka. Marrëveshja e vetme që bëra me bankën ishte se nuk do të paguaja 2 % penalitet nëse do të arrija ta shlyeja kredinë njëherësh. Dhe këtë besoj e arrita pasi ata nuk e mendonin që unë do të arrija ta shlyeja menjëherë kredinë e marrë 3 vite më parë,”- tregoi ai.

Sipas Ditmirit, konsumatori është i pambrojtur. Interesat e kredive bankat i ndryshojnë në mënyrë arbitrare pa asnjë konsultim me Bankën e Shqipërisë.

Kurse Arbana, një vajzë rreth të tridhjetave, tregon se për shkak të një overdrafti të papaguar në kohë, një nga bankat e nivelit të dytë muaj më parë i bllokuan llogarinë ku merrte pagën pa paralajmërim.

”Kisha marrë një overdraft në një nga bankat tregtare në Tiranë. Për shkak se për një periudhë të gjatë mbeta pa punë, nuk munda të paguaj overdraftin e marrë. Një ditë kur shkova të tërhiqja para në bankomat kuptova që nuk mundja. Mësova ditën e ardhshme se më ishte bllokuar llogaria për shkak të overdraftit të papaguar. Nuk kisha marrë asnjë paralajmërim. Për dy muaj rresht nuk mu la në llogari as minimumi jetik konform ligjit.” thotë Arbana për Citizens Channel.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Alban Zusi, i cili zotëron edhe biznes, thotë për Citizens Channel se komisionet bankare janë shumë të shtrenjta për standardin shqiptar. Sipas tij janë në nivelet e vendeve të Bashkimit Europian.

”Unë u derdhja pagat punonjësve të mi të fabrikës në një nga bankat e nivelit të dytë, sipas ligjit në fuqi. Çdo punonjësi, ajo bankë u mbante për mirëmbajtje llogarie 300 lekë në muaj. E di se çfarë do të thotë për një kryefamiljar 300 lekë në muaj kur rroga e tij mujore është 25.000 lekë në muaj?! Bëra marrëveshje me një bankë tjetër, e cila më dha një çmim më të arsyeshëm për mirëmbajtjen e llogarisë së punonjësve, të cilat do t’i paguaj unë.”- tregon Zusi.

Çfarë thonë ekspertët

Sipas ekspertëve, bankat abuzojnë me klientët në lidhje me transparencën, kontratat që nuk zbatohen në interes të klientit, mungesën e informacionit, shkronjat e vogla në fletën e kontratës, ndryshimi i kontratës gjatë rrugës, trajtimi i njëanshëm. Ata thonë gjithashtu se kur humbet banka e mbron veten, ndërsa kur humbet klienti, banka nuk i thotë.

Elvin Meka, ekspert për sektorin bankar e njëkohësisht pedagog, thekson se konkurrenca mes bankave është në çdo aspekt të veprimtarisë së tyre dhe kjo sikundër në çdo lloj sektori apo industrie.

”Pas shpërthimit të krizës financiare globale në 2008, shkalla e rrezikut në ekonomi, por dhe të klientëve me të cilët përballen bankat në Shqipëri, si dhe në gjithë botën, nuk ka njohur ulje, përkundrazi është rritur. Këtë e tregon më së miri dhe treguesi jo i ulët i huave me probleme gjatë këtyre viteve”.

Elvin Meka, ekspert për sektorin bankar. Foto: Private Citizens Channel Albania Ekonomia

Elvin Meka, ekspert për sektorin bankar. Foto: Private

Meka vijon më tej sqarimin për Citizens Channel se gjatë viteve të fundit bankat kanë ulur shumë koston e grumbullimit të fondeve dhe po mbajnë nën kontroll të rreptë kostot operacionale dhe ulur në minimumet historike fitimin neto (normën e kërkuar e kthimit të aksionarëve), ajo që për fat të keq nuk është ulur është pikërisht niveli i  rrezikut që merr përsipër banka.

Kjo shpejgon pak a shumë “rezistencën” që ka bërë ulja normës së interesit për klientët e bankave. Në momentin që bankat në Shqipëri do të vlerësojnë dhe perceptojnë një rrezik më të ulët për ekonominë dhe klientët, atëherë do të shikojmë dhe një ulje të këtij elementi përbërës.”

Eksperti Artan Gjergji thotë se kjo situatë shpjegohet ndër të tjera edhe me konkurrencën e dobët. ”Për shkak të konjukturës së tregut në Shqipëri kërkesa për kredi është gjithmonë më e lartë se oferta nga bankat. Kështu që bankat edhe dalin me fitim edhe nuk rrezikojnë shumë. Sepse gjithmonë çmimi rritet (norma e kredisë) kur ka shumë kërkesë. Zgjidhja? Nxitja e konkurrencës” ,  shpjegon Artan Gjergji për Citizen Channel.

Eksperti Gjergji shikon si zgjidhje të situatës de-regulimim dhe bërjen sa më të thjeshtë të procedurave të hyrjes në treg të operatorëve të rinj banka apo konkurentë me bankat siç janë institucionet e mikrokredisë. Gjithashtu sipas Gjergjit një elemenet që do të nxiste konkurrencën në treg është krijimi i një banke investimesh nga shteti.

E fundit por jo më pak e rëndësishme për ekspertin Artan Gjergji është rritja e nivelit të përgjëgjësisë dhe llogaridhënies së bankave dhe kjo do të ndodhte përmes krijimit të një Ombudsmani  për  sektorin  bankar, i cili do të ishte një derë ku konsumatorët të arrinin  të  adresonin  ankesat  e  tyre  në  lidhje  me  pretendimet  për  abuzime  nga  operatorët financiarë. Këtë gjë ai e ka deklaruar që në 2011 në lidhje me të njëjtin debat.

Si përgjigjet Banka e Shqipërisë?

Banka e Shqipërisë thotë për Citizens Channel se bankat e nivelit të dytë aktualisht veprojnë në kushtet e një biznesi konkurrues. ”Kuadri ligjor/rregullator i BSH nuk ka përcaktuar kufinj minimalë apo maksimalë për normën e interesit për kredinë dhe në tërësi për komisionet, me përjashtim të disa kufinjve maksimalë për komisionet e parapagimit të kredisë konsumatore dhe hipotekare si dhe pagesave në lekë.”- citohet në përgjigjjen e Bankës së Shqipërisë për Citizen Channel.

Banka Qendrore thekson në përgjigjjen e saj se “Banka dhe dega e bankës së huaj administrohen dhe drejtohen mbështetur në parimet e tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme. Asnjë subjekt apo person publik nuk duhet të ndërhyjë në mënyrë të paautorizuar për të ndikuar në administrimin dhe drejtimin e bankës ose degës së bankës së huaj, përveç rasteve të zbatimit të akteve nënligjore të Bankës së Shqipërisë, ekzekutimit të urdhrave të organeve gjyqësore ose kur një gjë e tillë parashikohet me ligj” .

Ekspertë të tjerë mendojnë se ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë për uljen e kostove të transfertave në lekë ka ardhur si pasojë e politikës për De-Euroizimin dhe jo si nxitje për të reduktuar kostot e transfertave bankare.

Sipas këtyre ekspertëve argumenti i mësipërm reflektohet tek kostot e transfertave në valutë të huaj që janë shumë të larta. Ata thonë që edhe pse Banka e Shqipërisë pretendon për një liri tregu, në përgjigjen e saj zyrtare e hedh poshtë këtë parim kur thotë se ka kufizuar komisionet e transaksioneve në lekë. Sipas ekspertëve, enti rregullator (Banka Qëndrore) ka aplikur një politikë me dy standarde.

Autoriteti i Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës ka vënë re disa pengesa në tregun bankar në disfavor të konsumatorëve dhe të konkurrencës së tregut. Nga hetimi i bërë këtij tregu në vitet 2014-2015, rezulton se ka konkurrencë të dobët.

Normat relativisht të larta të fitimit të bankave në kushtet e stanjacionit të kreditimit; interesa shumë të ulëta të depozitave (deri në 0.55 % mbi bazë vjetore nën nivelin e inflacionit); diferenca  relativisht të larta mes interesave të kredive dhe depozitave; tendencës në rritje të interesave të letrave me vlerë të qeverisë, në kushtet e një politike lehtësuese monetare; rritja e komisioneve për pagesat kryesisht brenda vendit etj, e kanë detyruar Autoritetin e Konkurrencës të hetonte tregun bankar.

Portofoli i kredise

Portofoli i kredisë së sektorit bankar sipas llojit, vit 2014. Burimi: Autoriteti i Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës thekson se në një treg të maturuar, për të rritur nivelin e konkurrencës në treg dhe rritjes së mundësisë së zgjedhjes konsumatore, duhet të krijohen lehtësira për lëvizshmërinë e klientëve duke ulur kostot “bllokuese”. Kosto të cilat e detyrojnë klientin të qëndrojë pranë një banke, si për shembull komisionet për mbyllje llogarie; kosto shtesë në rast të transferimit të pagës nga një bankë në një bankë tjetër; komisione/ penalitete për mbylljen para kohe të kredisë; humbjen e interesit në rast të mbylljes para afatit të një depozite me afat; kosto administrative për klientin si kohë, rimbushje formularësh, përgatitje dokumentacioni, etj. Gjithashtu kërkohet edhe rritja e transparencës duke i bërë më të kuptueshme këto kosto për klientin.

“Por gjatë rrugës së hetimit u vunë re edhe gjëra të tjera, për të cilat ne u kemi dërguar disa rekomandime Bankave të Nivelit të Dytë, Bankës së Shqipërisë, Shoqatës së Bankave. Kemi patur bashkëpunim pozitiv deri tani. Janë disa gjëra për të cilat reflektohet shpejt dhe disa të tjera që duan kohën e tyre. Ne po punojmë për përpilimin e raportit të cilin do ta prezantojmë në Kuvend”, thotë në një komunikim për Citizens Channel, Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit të Konkurrencës Diana Dervishi. 

Autor: Sabina Veizaj* / Citizens Channel

*Autorja është gazetare në redaksinë e emisionit Top Show në Top Channel.

Leave a Reply

%d bloggers like this: