Bujqësia pa rrugë, por prioritet në letër

Të gjithë flasin për bujqësinë: ata që merren me tokën, ata që konsumojnë prodhime toke, ata që kërkojnë votat në emër të tokës dhe ata që janë paguar dhe paguhen nga xhepat tanë për ta zhvilluar tokën.

Nga të gjitha qeveritë, pa përjashtim, bujqësia është konsideruar një sektor prioritar. Dhe jo pa qëllim. Në të është e punësuar mbi 41% e popullsisë dhe jep 22% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Por a është zhvilluar në këto vite bujqësia dhe a ka pasur një vizion për të?

Për të dhënë një përgjigje, mjafton të analizosh shifrat e buxhetit. E thënë ndryshe, paratë që jepen nga arka e financave publike për këtë degë të ekonomisë, që konsiderohet prioritare. Në vitin 2017, nga buxheti janë dhënë për bujqësinë 10 miliardë e 171 milionë lekë. Në vitin 2016, shuma ishte 10 miliardë e 188 milionë lekë. Për investime, shkon vetëm gjysma e kësaj shifra. Më saktësisht këtë vit, vetëm 5.2 miliardë lekë.

Çfarë ndodh në terren me fermerët?

Në më pak se një orë udhëtim me makinë nga Tirana në drejtim të Lushnjes, syri të kap serat e para. Të vogla, pothuajse ngjitur afër njëra tjetrës, ato dëshmojnë për një nga problemet më të mëdha të bujqësisë shqiptare: fragmentarizimin e tokës. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë flasin për rreth 300 mijë sera në të gjithë vendin. Janë me mijëra familje fermere, që përpiqen të jetojnë me atë ngastër toke. Një vit mbjellin domate, e vitin tjetër, nëse domatet nuk u shitën, mbjellin kastravecë e cdofarëlloj kulture tjetër bujqësore. E nesërmja nuk është e sigurtë, pasi nuk ka treg.  

“Bëjmë prodhim me bollëk. Por nuk ka treg. Ne prodhojmë domate. Kosto e prodhimit me sera, pleh kimik, plasmasë shkon rreth 350 lekë. Ndërsa ne në shumicën e rasteve e shesim domaten me 200 lekë se nuk e blen njeri. Vetëm një ose dy herë arrijmë ta shesim me 400 lekë që mbulojmë edhe humbjet”, tregon një nga fermeret që takuam në Lushnje.

Ajo punon çdo ditë në serë. Jeta e saj dhe e familjes janë të lidhura me tokën. Ndihma e vetme janë krahët dhe shpresa se e nesërmja do të jetë më e mirë ose të paktën, me pak më shumë fat, aq sa për të shitur prodhimin. Nuk i njohim subvencionet e shtetit. Shteti ka para për të mëdhenjtë, për ne jo. Ne me forcat tona”, shprehet i indinjuar një tjetër fermer, që me tokën dhe serën ushqen familjen.

Muaj të tërë mundi e lodhje dhe kursime të të investuara në tokë dhe sera, që për shumë prej tyre nuk sigurojnë asnjë fitim. Në mungesë të tregut, në Lushnje, Korçë, Devoll, prodhimet e pashitura të domateve, mollëve dhe qepëve hidhen në lumë.

“I kam hedhur në kanal 40 kuintalë domate se nuk u shitën. Kokrra e madhe, e shëndoshë, prodhimi shumë i mirë, gjynah, iku dëm. Më shumë hedhim në kanal sesa shesim”, tregon fermerja.

Ndërkohë, në tregjet e Tiranës, vetëm një orë larg nga fshtarat e Lushnjes, aty ku domatja e pashitur hidhet dhe kur në rastin më të mirë shitet me 40 lekë për kilogram, prodhimi vendas mungon. Domatet që shiten rëndom në tezgat e tregtarëve janë ato të importit me cmime gati 3 fish më të shtrenjta. Një kilogram domate shitet sot nga 100-120 lekë për kilogram.

Mungesa e politikave për sektorin

Duke e konsideruar të vështirë gjendjen ku ndodhet sot bujqësia, ekspertët e shpjegojnë atë me mungesën e politikave të duhura nga ana e shtetit. Nuk ka rrugë për të afruar fermerin me tregun, nuk ka qendra grumbullimi për prodhimin, subvencionet janë me pikatore. Bujqësia si një sektor prioritar duket se është e tillë vetëm në letra.

“Fermeri shqiptar ndodhet në një situatë shumë të vështirë, ku nga njëra anë promovohet të kultivojë produktet bujqësore, pasi sektori do të jetë prioritar nga ana e qeverisë dhe më pas, ndodhet në paradigmën e pamundësisë të shitjes së produktit përfundimtar. Kjo për shkak të një mungese logjistike, ku duket se qendrat grumbulluese nuk kanë arritur funksionalitetin e plotë. Gjithashtu, mungesa e rrugëve e bën të pamundur që fermerët të transportojnë vetë produktet bujqesore drejt tregjeve me pakicë dhe shumicë. Ndërsa konsumatorët gjenden para faktit që të konsumojnë kryesisht produkte importi, ndërkohë që produktet e fermerëve shqiptarë hidhen poshtë, duke shtuar koston e një sektori që ende nuk po sheh dritën jeshile”, shprehet për Citizens Channel, Esmeralda Ballesha, eksperte për çështjet e bujqësisë.

Problemet me sektorin janë reflektuar tek ecuria e tij. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar u rrit me 4.06%, Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me vetëm 0.13 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Në tremujorin e parë 2017, rritja vjetore e sektorit ishte 1.14%.

Bujqësia është një ndër ata sektorë që zhvillohet në terren, tek toka, prodhimi dhe jo në salla konferencash e dokumente strategjish. Më shumë se kushdo, këtë gjë e dinë fermerët. Ata të tregojnë si ta zhvillosh bujqësinë. Duhet vetëm t’i dëgjosh…

Prodhimi bujqësor në Shqipëri. Burimi: INSTAT

Prodhimi bujqësor në Shqipëri. Burimi: INSTAT

Autor: Aurora Sulçe* / Citizens Channel

*Autorja është moderatore dhe autore e emisioneve ekonomikë “Ekopolitikë” dhe “Para dhe Pasuri” në televizionin Ora News

Leave a Reply

%d bloggers like this: