Papunësia detyron qytetarët e Fierit të dalin të shesin në trotuare

Në fund të rrugës Ramiz Aranitasi shumë pranë tregut të hapur rishtazi nga Bashkia e Fierit, Zajde Xhemaj ka dyqanin e saj ku shet fruta dhe perime. Historia e kësaj 56 vjeçareje nuk ndryshon shumë nga ajo e grave të tjera të cilave u ka rënë barra e mbajtjes së shtëpisë. Nënë e dy djemve, 25 dhe 27 vjeç, punon pothuajse gjithë ditën pasi të dy djemtë janë të papaunë.

“Puna ka shkuar në zero”, thotë ajo për Citizens Channel. Tatimet, sigurimet, qiraja e dyqanit, pagesat e ujit dhe të dritave bëjnë që asaj t’i mbetet fare pak fitime për vete.

Shqetësim për të është edhe konkurrenca e pandershme nga fshatarëve që zbresin përditë nga fshatrat e Plugut dhe të Krapsit për të shitur prodhimet e tyre bujqësore.

“Ja shikoje edhe vetë atë gruan që shet aty. Ç’a t’i bëj unë asaj?”, ankohet Zajdeja për një grua plakë që shiste në trotuar rreth 10 metra larg dyqanit të saj. Më tej si për ta mbyllur ligjëratën e saj, shumë e indinjuar ajo të thotë: “Po nuk ka qeveri dhe as bashki, se të kish nuk do t’i linte njeri të shisnin rrugëve. Unë e kam ndarë mendjen do gjej numrin e telefonit dhe do flas vetë me kryeministrin se ndryshe nuk bëhet.“ 

Në rrugën përballë shkollës industriale “Petro Sota”, rrugë për të cilën Zajdeja na tha se ishte kthyer në një treg, gjejmë vetëm dy fshatarë. Konstandin Puftja, njëri prej burrave të moshuar që shiste buzë rrugës në trotuarin ende të pa sistemuar, thotë se vjen çdo ditë nga Plugu për të shitur ato pak produkte të bahçes së tij.

Fshatarë duke shitur në një nga rrugët e Fierit. Foto: Gëzim Hoxha

Fshatarë duke shitur në një nga rrugët e Fierit. Foto: Gëzim Hoxha

Tregu i Bashkisë

Për të hehur shitësit nga trotuaret Bashkia e Fierit ka ndërtuar një treg të ri fruta-perimesh në dalje të qytetit. Tregëtarët kanë sistemuar produktet e tyre dhe ambjenti duket i pastër, por mungojnë blerësit.

Ish-muratori Arben Zyka, 52 vjeç, prej një muaji ka tezgën e tij në tregun e ri. Ai na tregon se nuk e bën me qejf këtë punë, por është i detyruar. “Ndërtimi mbaroi! Nuk ka më punë.” Para se të hapej tregu i ri nga bashkia, së bashku me të shoqen shisnin në tregun lëvizës nëpër lagje të ndryshme të qytetit, por tani për ca të ardhura më tepër, ata janë ndarë në tregje të ndryshëm.  

Shefi i Policisë Bashkiake të Fierit Pëllumb Llakaj, thotë se shitësit ambulant janë sistemuar të gjithë në tregun e ri të frutave dhe të perimeve. Kur i tregon shqetësimin e tregëtarëve të licensuar për ata që shesin në trotuare, ai e pranon se edhe mund të ketë mbetur ndonjë tek tuk që shet rrugëve dhe trotuareve por nuk shikon tezga që zaptojnë trotuaret. “Bëhet fjalë për ndonjë fshatar që zbret nga fshati me 2 – 3 kile spinaq dhe ca kokrra vezë, i shet ato dhe ikën në shtëpi.”

E për t’i vërtetuar dhe kundërshtuar njëherësh fjalët e shefit të policisë bashkiake, nuk të duhet të bësh ndonjë gjë tjetër veç një shëtitje pas orës 18 në mbrëmje në rrugën Skënderbeu. Nuk është e vështirë të shikosh një dyzinë shitësash të cilët shesin në trotuar fruta, perime, telefona celularë, misra dhe fara të pjekura madje edhe peshq.

Tregu i ri në Fier. Foto: Gëzim Hoxha

Tregu i ri në Fier nuk frekuentohet nga qytetarët. Foto: Gëzim Hoxha

Mungesa e një vendi pune detyron shumë qytetarë të Fierit dhe nga zonat përreth të shesin në trotuaret e qytetit. Për Shërbimin Kombëtar të Punësimit çdo person që siguron një të ardhur është i punësuar.

Edlira Doko, drejtoresha e ktij shërbimi për qytetin e Fierit, thotë për Citizens Channel se “ata mund të quhen të vetëpunësuar dhe me shumë gjasë nuk figurojnë fare në listat tona të të papunëve. Nëse dikush që nuk kërkon shërbimin tonë për gjetjen e një pune por përshtatet në tregun e saj duke hapur ndonjë biznes të vogël apo vetëpunësohet në një biznes familjar, është i vetë përjashtuar. Ne e përfshijmë sërish këtë person në listat e të papunëve vetëm nëse ai kërkon ndihmë për gjetjen e një tjetër pune apo të një punë më të mirë”.

Autor: Gëzim Hoxha / Fier

Leave a Reply

%d bloggers like this: