Tregu i Selitës, vazhdojnë përplasjet mes komunitetit Rom dhe policisë bashkiake

Tregëtarët të Komunitetit Rom dhe Egjiptian protestojnë duke bllokuar Rrugën e Kavajës në Tiranë, Prill 2016. Foto: F. Kaca Tregëtarët të Komunitetit Rom dhe Egjiptian protestojnë duke bllokuar Rrugën e Kavajës në Tiranë, Prill 2016. Foto: F. Kaca

Pjestarë të komunitetit Rom që shesin rroba të përdorura në tregun e Selitës prej më shumë se 6 muaj po përplasen me Policinë Bashkiake sepse kjo e fundit nuk i lejon të ushtrojnë aktivitetin.

Shkak është bërë kalimi aty pranë i një segmenti të Unazës së Madhe. Bashkia e Tiranës e cilëson zënie hapësire publike dhe tregëtim të paligjshëm, ndërsa për ata që shesin aty, vendi i vetëm ku mund të nxjerrin të ardhura për familjet e tyre.

Gjatë muajit shtator situata është e rënduar me përplasje fizike mes shitësve dhe policisë bashkiake. Episodi i fundit i përplasjes u shënua të martën e javës së shkuar pasi një pjestar i komunitetit Rom pretendonte se një polic bashkiak i kishte kërkuar katër parfume që të mos i vendoste gjobë dhe e kishte goditur me radiomarrësen në kokë.

E ema e të riut Rom, i cili u shoqërua në polici pas konfliktit, tregon për Citizens Channel se në momentin e përplasjes, polici ishte në gjendje të dehur dhe nuk ishte hera e parë që bënte një sjellje të tillë.

“Ai polici vjen gjithmonë tek ne. Na ofendon shumë rëndë dhe na merr mallin. Atë ditë ai na  kërkoi 4 parfume që të mos na vendoste gjobë. Djali po e filmonte dhe ai e goditi me radiomarrësen, më pas ne u përfshim në konfliktin fizik të gjithë si tregtarë. Djalin tim e thirrën në polici për të sqaruar çështjen e mbajtën 2 ditë në rajon dhe më pas e liruan. Disa ditë më vonë djalin ma thërrasin në Prokurori dhe nuk e di se çfarë po ndodh”, tregon Nafije Brahimas.

Nafije Brahimas duke folur për Citizens Channel. Foto: Brejdon Xhavarra

Nafije Brahimas duke folur për Citizens Channel. Foto: Brejdon Xhavara

Pjestarë të komunitetit Rom e Egjiptian prej vitesh ushtrojnë aktivitetin e tregëtimit të rrobave të përdorura në zonën e Selitës. Në këtë treg të improvizuar janë rreth 100 tregëtarë Romë e jo Romë, për të cilët është vendi i vetëm ku mund të sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre. 

Për muaj me rradhë Policia Bashkiake e Tiranës ka ushtruar presion për lirimin e hapësirës dhe në shumë raste ka sekuestruar mallin dhe ka gjobitur tregëtarët. 

Tregëtarët të mbështetur nga aktivistët e komunitetit Rom dhe Egjiptian, kanë kërkuar informacion zyrtar nga Bashkia e Tiranës se çfarë do të ndodhë me familjet që si burim të vetëm të të ardhurave kanë shitjen e rroba dhe sendeve të përdorura, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare.

Për pjestarët e komunitetit Rom në këtë zonë është goditja e dytë në pak vite. Tri vite më parë shtëpitë e 60 familjeve u prishën për shkak se ishin në gjurmën e  Unazës së Madhe. Shumë nga këto familje jetojnë vetëm duke shitur rroba dhe sende të përdorura.

Shumë prejt tregëtarëve Romë të pyetur për mikrofonin e Citizens Channel treguan se Policia Bashkiake i ka kërcënuar se do të sekuestrojë mallin, do të vendosë gjoba dhe deri në shoqërimin në rajon për ata që nuk binden.

Hane Jashari që shet aty prej dhjetë vitesh, ashtu si shumë shitës të tjerë, kërkon që bashkia të hapë një treg të ri. “Ne duam një treg ku mund të shesim pa frikë nga policia. Jemi gati të paguajmë edhe një takse modeste në muaj,vëtëm të na lejnë të shesin pasi është e vetmja mundësi punësimi për ne dhe familjet tona”, thotë ajo për Citizens Channel.

Hane Jashari duke folur për Citizens Channel. Foto: Brejdon Xhavarra

Hane Jashari duke folur për Citizens Channel. Foto: Brejdon Xhavara

Autor: Brejdon Xhavara*

*Autori është aktivist i komunitetit Rom dhe Egjiptian

Leave a Reply

%d bloggers like this: