Universitetet 4 vite pa doktoratura, kërkimi shkencor peng i një VKM-je

Ndërsa Kryeministri Rama është treguar radikal dhe nuk e ka fshehur pakënaqësinë me punën e Akademisë së Shkencave duke deklaruar publikisht se do t’u ndërpresë fondet deri sa të reformohen, për ironi, që prej katër vitesh, qeveria që ai drejton ka bllokuar doktoraturat në universitetet publike, duke e lënë pa kërkim shkencor vendin tonë. 

Ata që aspirojnë të avancojnë në studimet e tyre të larta dhe të nisin doktoraturën në një nga universitetet publike shqiptare, që prej katër vitesh e kanë të pamundur. Kjo pasi procesi i çeljes së ciklit të tretë të studimeve të larta, është bllokuar nga qeveria Rama që në vitin 2013, kur socialistët erdhën në pushtet. Për drejtuesit e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, kjo ka penalizuar të gjithë trevat mbarëshqiptare që studimet doktorale i kryejnë në një pjesë të konsiderueshme në universitet tona.

Peng i një VKM-je

Gjithçka duket se është peng i një vendimi të Këshillit të Ministrave, që nuk po vjen. Në bazë të nenit 79, pika 7 të ligjit të arsimit të lartë, është Këshilli i Ministrave ai që nxjerr aktet normative dhe “miraton kriteret që duhet të përmbushë kandidati për fitimin e gradës shkencore “Doktor”, sipas përcaktimeve të këtij ligji, si dhe për fitimin e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”.  

Ky akt normativ, që do t’i hapte dritën jeshile kërkimit shkencor pranë universiteteve, në fakt duhet të kishte dalë që në tetor të vitit 2016, por ndonëse për pak ditë nis viti i ri akademik 2017-2018 universitetet nuk e dinë se çfarë bëhet me doktoraturat. Dhe edhe në parashikimet më optimiste, pra nëse miratohet kjo VKM, atëherë doktoratura mund të nisë më janar 2018.  

Dekani i fakultetit të Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës, Dhori Kule, kërkon që të tregohemi të kujdeshëm dhe më shumë se sa bllokim, ai e konsideron një vonesë. “Mua nuk më pëlqen ta quaj bllokim, pasi krijon keqkuptime, por sigurisht që ka një tejkalim të çdo afati ligjor. Në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë, është Këshilli i Ministrave ai që duhet të nxjerrë një akt normativ, që miraton kriteret për këtë cikël studimesh, dhe pa dalë ky akt normativ asnjë universitet nuk mund të nisë procedurat për hapjen e doktoraturave”, na shpjegon dekani Kule. 

Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

E megjithatë dekani i Ekonomikut është optimist që këtë vit të gjithë ata që duan të nisin doktoraturën do ta kenë këtë mundësi. “Ndonëse sipas ligjit, aktet normative duhet të kishin dalë një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të arsimit të lartë (ligji i ri hyri në fuqi në tetor 2015, kështu që aktet normative duhet të kishin dalë në tetor 2016), këtë herë kemi sinjale pozitive që qeveria do të miratojë aktin normativ që do t’u hapë rrugë studimeve të doktoraturës, sigurisht për ata që plotësojnë kriteret”, thotë Kule, duke shpjeguar se është e kotë të drejtosh gishtin e fajit drejt Ministrisë së Arsimit, pasi kjo është kompetencë vetëm e qeverisë.

Por Çlirim Duro, drejtor i kurrikulave dhe standardeve në rektoratin e Universitetit të Tiranës, nuk është aspak optimist. “Është shkelur çdo lloj afati ligjor dhe pa asnjë justifikim. Ne jemi gati, ashtu si çdo vit, kemi stafet, kemi profesorët, kemi miratuar procedurat, por mungojnë aktet normative. Kemi çdo ditë dhjetra të interesuar për të çuar më tej studimet e tyre të larta, por nuk mund t’ua ofrojmë këtë mundësi. Jo se nuk duam ne apo se nuk kemi kapacitetet, por sepse ende nuk janë miratuar aktet nënligjore që i hapin dritën jeshile studimeve doktorale. Të lësh një universitet pa studime doktorale është një mëkat i madh“, na thotë Duro, që po ashtu shton se moshapja e këtij cikli studimesh e ka penalizuar Universitetin e Tiranës.

Për dekanin e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi, gjithçka është një çështje ligjore. “Përderisa VKM-ja e Këshillit të Ministrave ende nuk ka dalë kjo është krejtësisht një çështje ligjore. Praktikisht nuk është akti që lejon, ecurinë e këtij cikli studimesh. Sigurisht që mungesa e ciklit të tretë të studimeve e ka dëmtuar shumë fakultetin pasi nuk funksionon një hallkë e rëndësishme, që ka ngecur që prej katër vitesh. Dhe këtu nuk është çështje vetëm që nuk po hapet një cikël studimesh, por ka efekte afatgjatë. Pavarësisht përpjekjeve që bëjnë persona të veçantë, për të ndjekur studimet doktorale jashtë vendit, numri i tyre është shumë i kufizuar, dhe ndonëse edhe aq sa janë, janë shumë të vyer në këtë situatë ku jemi, sërish ata nuk mjaftojnë në raport me kërkesat që pritet të ketë. Vazhdimësia është zgjidhja”, na thotë Laçi.

Ai është dakord që duhet të forcohen kriteret e përzgjedhjes së doktorantëve të rinj, por më tepër se sa numri, për dekanin e Filologjikut ka rëndësi që produktet që përgatitet gjatë punës doktorale të jenë të vlefshëm e cilësorë dhe që i përshtatet nevojave të shoqërisë. “Të gjitha këto janë të nevojshme, por të gjitha këto kanë ngecur. Dhe keni parasysh që këtu formohen doktorantë nga e gjithë hapësira mbarëshqiptare, jo vetëm ata që janë brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë. Këtu vijnë edhe nga Kosova, edhe nga Presheva, nga Bujanovci-Medgjeva, nga trevat shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe tek -tuk edhe nga diaspora, që do të thotë që problemi nuk është vetëm shtetëror por mbarëkombëtar”, sqaron Laçi i cili na thotë se në 3-4 vitet e fundit të funksionimit të doktoraturave kanë pasur mesatarisht çdo vit nga 20 doktorantë të rinj për çdo degë. 

Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Foto: E.K / Citizens Channel

Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Foto: E.K / Citizens Channel

Ndërsa sa i përket dyshimeve nëse po favorizohen apo jo një pjesë e universiteve private, Laçi përpiqet të jetë i kujdesshëm. “Rregullat e lojës duhet të jenë të drejta, të ndershme dhe transparente. Që do të thotë, universiteti publik dhe privat duhet të aplikojnë të njëjtat kritere aftësish dhe të kenë kërkesa të larta. Pse e them këtë? Nga informacionet që na vijnë në rrugë jo zyrtare rezulton se universiteti publik ka respektuar në maksimum kriterin e cilësisë të studimeve të mëparshme, dhe këtu i referohem konkretisht notës mesatare 8 që parashikohej si minum në ligj, nuk jam i sigurtë që këtë kriter e kanë respektuar universitete jopublike”, na thotë ai, ndërsa shpjegon se përsa i përket numrit të profesorëve që i duhet një universiteti jopublik për të udhëhequr doktorantët e rinj, ai shprehet se këtë jopublikët e bëjnë me “profesorë borxh”, por kjo praktikë nuk bie në kundështim me ligjin.

Bllokimi i doktoraturave

Doktoraturat në të gjitha universitete në vend janë bllokuar që në vitin 2013. Gjatë dy viteve të para, Ministria e Arsimit e drejtuar nga socialistët e sapoardhur në pushtet, u justifikua me pretendimin se universitetet do t’i nështroheshin një reforme të thellë dhe do të duhej që më parë t’i nënshtroheshin procesit të akreditimit dhe vetëm pas këtij hapi do të të mund të hapeshin kuotat për këtë cikël studimesh të larta të avancuara. 

Dhe në të vërtetë të gjithë universitetet iu nënshtruan një kontrolli nga Ministria e Arsimit, në përfundim të të cilit një pjesë u gjetën në shkelje flagrante ndaj edhe u mbyllën përfundimisht. Paradoksalisht me këtë situatë, në fillim të 2015, Ministria e Arsimit miratoi vendimin e Agjencisë së Akreditimit, për akreditimin e ciklit të tretë të doktoraturave të Universitetin Europian të Tiranës, duke i dhënë të drejtën për pranimin e 360 doktorantëve të rinj, por refuzoi kërkesën e Universitetit të Tiranës për nisjen e ciklit të tretë të studimeve me pretendimin se nuk plotësonte kriteret.

Vendim ky që hodhi hije dyshimi se dhënia e të drejtës për ciklin e tretë të studimeve vetëm një universiteti në vend, jopublik, në të vërtetë ishte favorizim i hapur. Ndërkohë që dy vitet e dyta, justifikimi është gjetur tek ligji i arsimit të lartë, i cili hyri në fuqi në tetor 2015 dhe pas një vit duhet të kishin dalë të gjitha aktet normative që e bëjnë kët ligj të zbatueshëm.

Mirëpo kur jemi në prag të nisjes së vitit të ri akademik, ende universitetet janë në errësirë të plotë nëse do të hapet kërkimi shkencor pranë universiteteve publikeapo universitetet po shkojnë drejt vitit të pestë pa ciklin e tretë të studimeve, doktoraturat.

Autor: E. K / Citizens Channel

Leave a Reply

%d bloggers like this: