Dëshironi të ndaloni lajmet e rreme? Mos i shpërndani!

Çështja e lajmeve të rreme arriti majat vitin e kaluar, kur kandidati për president, Donald Trump, i etiketonte raportimet nga mediat amerikane CNN dhe New York Times si Fake News (lajme të rreme).

Sidoqoftë, termi “lajm i rremë” është problematik dhe shumë kompleksitete qëndrojnë midis këtyre dy fjalëve të thjeshta. Si fillim, lajmi ka për qëllim të jetë një raportim objektiv i ngjarjeve faktike, kështu që lajmi i rremë është përkufizim i diçkaje kontradiktore.

“Lajm i rremë” në kuptimin formal të tij mund të përdoret për t’iu referuar raportimeve të lajmeve që janë të pavërteta, të fabrikuara dhe të llogaritura për të mashtruar. Sidoqoftë, shumëllojshmëria e platformave mediale në të cilat kemi akses sot kanë krijuar forma të ndryshme përmbajtjesh që mund të konsiderohen si lajme të rreme.

Studiuesi i medias Renee Hobbs identifikon gjashtë lloje të ndryshme të lajmeve të rreme:

⇒ Dizinformimi.  Është informacion i rremë i prodhuar me qëllim mashtrimin, si përshembull  adoleshentët maqedonas që publikuan lajme të rreme pro-Trump gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në SHBA, për të përfituar të ardhura online.

⇒ Propaganda. Është informacion i njëanshëm i prodhuar për të çuar përpara një kauzë politike, si rasti i përdorimit të videove në internet nga grupi terrorist i Shtetit Islamik në Irak dhe Siri me qëllim rekrutimmin e anëtarëve.

⇒ Hoaxes janë përmbajtjet e përpunuara tekstualisht dhe vizualisht që përmbajnë mesazhe imponuese me qëllim mashtrimin e konsumatorëve.

⇒ Satira ose paroditë janë përmbatje të krijuara qëllimisht për tu dukur si zhanerët e mediave konvencionale por që përcjellin kritika ose mesazhe armiqësore. Ato mund të kalojnë në sarkazëm, ose ekzagjerime të ashpra, faqja amerikane The Onion dhe New Nation e Singaporit janë shembujt më  të mirë.

⇒ Pasiguritë në gazetari janë informacione të cilat janë jo të plota, të paverifikuara ose thjesht gabim.

⇒ Lajmet partizane janë përmbajtje që kornizojnë mesazhin  për të favorizuar interesat e individëve ose subjekteve të veçanta në mënyrë që të ndikojnë opinionin publik.

Secila nga format e mësipërme të lajmeve të rreme kërkon që konsumatorët e medias të aplikojnë lloje të ndryshme të njohurive dhe aftësive për të dalluar qëllimin e mesazhit dhe burimin e tij, në mënyrë që ata të mund ta kuptojnë kur mashtrohen ose manipulohen.

Por çfarë çmimi ka lajmi i rremë në shoqëri?

Merrni shembullin frikën ndaj shëndetit të shkaktuar nga ushqimet e kontaminuara ose produktet medicinale të skaduara.  Këto mashtrime mund të marrin formën e një paralajmërimi nga një “viktimë” shoqëruar nga fotografi ilustruese ose video. Viktima mund të flasë kundër blerjes së produktit dhe të akuzojë dyqanin për shitje të mallrave të skaduar. Individët të tjerë më pas shpërndajnë postimin nëpërmjet rrjeteve të tyre sociale si Facebook, WhatsApp ose Twitter.

Çdo person i cili shpërndan postimet është automatikisht pjesë e mashtrimit pasi po ndihmon në përhapjen e tij.  Mashtruesit (hoaxes) sigurojnë jetën e tyre duke tërhequr klikime dhe vjen momenti kur postimi ‘peshkohet’ nga faqet e lajmeve dhe përmbajtja kthehet në virale duke fituar shumë shikueshmëri.

Kompanitë e përfshira në mashtrim kanë humbje financiare dhe reputacionale. Entet rregullatore duhet të ndërhyjnë për të rivendosur besimin e publikut në sigurinë ushqimore dhe shëndetit publik. Përveç kostove sasiore, këto lajme shkatojnë edhe dizinformim.

Si mund ta ndalojë shoqëria përhapjen e lajmeve të rreme?

Një strategji që nxit qytetarët e zakonshëm, sektorin publik dhe korporatat për të punuar së bashku në ndalimin e dizinformimin do të ishte vendimtare.

Mediat që bazojnë punën e tyre në raportimin e ndershëm dhe që ndjekin parimet e etikës së raportimit të lajmit mund të ndikojnë tek publiku duke e pajisur me kompetenca për të njohur lajmet e rreme. Një rritje e ndërgjegjësimit ndaj lajmeve të rreme do të eleminonte përhapjen e mëtjeshme të dizinformimit.

Media duhet të ushqejë publikun me informacionin e duhur për t’u mundësuar atyre të dallojnë paragjykimet, mashtrimet, lajmet e rreme ose shumë partiake dhe trillimet në përmbajtjet mediatike.

Numri i lajmeve të rreme ka të ngjarë të rritet, duke pasur parasysh politikat komerciale për të krijuar përmbajtje të rreme që shumë shpejt kthehen në virale.

Platformat si Facebook dhe Twitter do ta kenë gjithnjë e më të vështirë verifikimin e përmbajtjeve që marrin. Pavarësisht përdorimit të kontrolleve automatike ndaj lajmeve të rreme, gjykimi mes përmbatjeve që janë plotësisht mashtrim dhe atyre që nuk janë të qarta nëse janë mashtrim apo jo, do të ishte më i plotë nëse do të realizohej nga lexuesit kritikë.

Për shembull, në zgjedhjet në Indonezi, Turn Back Hoax ishte një përpjekje ku qytetarët e shqetësuar punonin së bashku për të mbledhur dhe demaskuar mashtrimet që përhapeshin në mediat sociale. Në të vërtetë, një sistem hibrid që kombinon shkathtësinë e gjykimit njerëzor me forcën e pajisjeve elektronike, do të ishte ideal.

Asnjë arsenal armësh kundër lajmit të rremë nuk është i plotë pa një mbështetje nga njerëzit për të arritur gjetjen e lajmit të rreme dhe për ta bindur publikun të ndalojnë shpërndarjen e lajmeve të cilat nuk kanë mundësi t’i verfikojë.

Si fillim, përdoruesit e medias sociale duhet të mendojnë përpara se të shpërndajnë. Së pari verifikoni nëse burimi është i dyshimtë. Nëse keni dyshime, mos e shpërndani!

Përshtati në shqip Marinela Lina

Artikulli origjinal

Leave a Reply

%d bloggers like this: