Ekspertët: Aksioni i AKU për bllokimin e thertoreve i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë ushqimore

Në një njoftim në faqen zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, mësojmë se nga 67 pika therjeje të mishit të kontrolluara, 58 prej tyre janë mbyllur, ndërkohë që janë vendosur 10 gjoba dhe për 9 të tjerat janë lënë paralajmërime. Dhe kjo vetëm për periudhën 12-17 tetor të këtij muaji.

Por a zgjidhet çështja e sigurisë ushqimore vetëm me këto aksione?

Genc Juka, drejtori i parë i AKU-së, dhe që e ka mbajtur këtë post për thuajse 3 vite me rradhë (janar 2010- nëntor 2012) thotë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nevojë urgjente të përmirësohet, por ai është skeptik për mënyrën se si kryhet kjo reformë.

Genc Juka, ish-drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushiqmit. Foto: Private

Genc Juka, ish-drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushiqmit. Foto: Private

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i vetmi institucion përgjegjës për shërbimin karantinor në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që kryeministri Rama ka thënë se do të heqin inspektorët e AKU-së në kufi. Nëse ndodh kjo atëherë unë them me bindje të plotë që do të cënohet siguria kombtare, dhe vendi ynë do të rrezikohet nga futja e infeksioneve nga më të çuditshme. Pasi shërbimi karantinor pikërisht këtë objektiv: të monitorojë situatën në kufi të çdo gjëje që futet në vendin tonë. Ndaj unë mendoj që kështu siç është nisur nuk jemi në rrugë të mbarë”, na shpjegon Juka.

Ajo që ka frikë Genc Juka duket se ka ndodhur tashmë. Prof.Dr. Kristaq Bërxholi, pedagog pranë Fakultetit të Veterinarisë në Universitetin Bujqësor denoncon një rast konkret se çfarë mund të ndodhë nëse neglizhohet shërbimit karantinor.

“Para disa muajsh, një fermer, importoi disa lopë cilësore dhe me prodhimtari të lartë. Dakort deri këtu. Tani fillon ajo që unë do e quaja “çmenduri”, papërgjegjshmëri, etj. Lopët u vendosën në karantinë në Lushnjë, pra në qendër të vendit, ndërkohë që ata janë futur ose nga porti, ose nga rruga tokësore, – shpjegon prof. Bërxholli. – Si mundet që këto kafshë, pavarësisht se mund të jenë të pastra nga infeksionet, të qarkullojnë për qindra kilometra të tëra për t’u futur në karantinë, kur të gjithë e dinë që në vendin tonë qarkullon LSD (LSD është dermatoza nodulare e gjedhit, një sëmundje infektive virale, me karakter shpërthyes dhe fatale për gjedhin), e mjaft infeksione te tjera. Tani fillon pjesa tjetër.  Këto lopë u importuan nga një vend i pastër nga infeksioni i LSD. Si është e mundur që këto lopë të qëndrojnë 21 ditë në karantinë dhe të mos vaksinohen? Dhe tani që ato janë prekur nga LSD, kush do të përgjigjet për këtë? Kush mban përgjegjësi për mos vaksinimin apo mos urdhërimin e vaksinimit të tyre?”, pyet me të drejtë prof. dr. Bërxholi.

Esmeralda Ballesha, eksperte e sigurisë ushqimore dhe që ka drejtuar për disa vite Shoqatën e Industrisë Ushqimore është edhe më drastike. Për të “AKU nuk ka funksionuar në asnjë lloj drejtimi”.

“Sa i përket mishit situata është jashtë kontrollit. Ne nuk eksportojmë mish, ose ekportojmë shumë pak, pasi ne nuk kemi sistemin e gjurmueshmërisë së tij. Në vend që të merren masa, në fakt AKU dhe pushteti vendor ka vite që bëjnë ping-pong përgjegjësish sa i përket ligjit për pikat e therjes. Unë e njoh se si funksionin kjo industri nga brenda dhe mund të them se ka raste flagrante. Duhet të ketë me emergjencë marrje masash dhe duhet të ketë transparencë se çfarë ndodh me të dhe jo t’u vendoset një gjobë sot dhe të hapin dyqanin nesër”, na shpjegon Ballesha.

Esmerlada Ballesha, eksperte e sigurisë ushqimore. Foto: Private

Esmerlada Ballesha, eksperte e sigurisë ushqimore. Foto: Private

Sipas saj duhet të ketë rregulla të forta për ata që merren me ushqimin, pasi rrezikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë shëndetin e popullatës. “Nuk mund ta bëjë sipërmarrjen kushdo, por sidomos kur bëhet fjalë për ushqimet. Duhen draftuar disa strategji paralele, pasi siguria ushqimore nuk është vetëm një drejtim. Bujqësia tek ne ka shumë probleme, pasi ata që janë ngarkuar me këtë punë nuk dinë të punojnë. Është dramatike që ne akoma nuk kemi të certifikuar loboratorët që na bëjnë analizat”, përfundon Ballesha.

Fondet e Bashkimit Evropian

Për drejtorin e parë të AKU-së Genc Juka, i cili thotë se BE nuk i ka kursyer fondet, por pala shqiptare nuk ka ditur si t‘i përdorë, një pjesë e madhe e përgjegjësisë shkon tek individët që zgjidhen në krye të këtij institucioni të rëndësishëm.

“Institucioni merr fizionominë e atij që e drejton. Nuk mund të vësh në krye të një institucioni njerëz inkopetentë dhe që nuk e njohin fushën dhe të presësh rezultate. Kur u hap fillimisht AKU, në kuadrin e përafrimit të legjislacionit me vendet e BE-së, Bashkimi Evropian na mbështeti në ngritjen dhe konsolidimin e sistemeve. U dhanë 8 milionë euro për ngritjen e godinave të laboratorëve, por gjithçka mbeti me kaq. Janë ngritur godinat, por nuk u pajisën kurrë me laboratorë”, thotë për Citizens Channel Juka.

Sipas tij asokohe inspektorët u pajisën me 60 laptope dhe çdo inspektim ishte i detyruar të hidhej online me të gjitha të dhënat në mënyrë që të kishim një kronologji jo vetëm të inspektimit, por edhe se çfarë kishte bërë subjekti. Sipas tij kjo gjë ka kohë që nuk funksionon më dhe askush nuk e di se çfarë ndodh me rastet që gjenden në shkelje.

As profesor Bërxholi nuk është optimist me reformat e ndërmarra nga qeveria e tanishme në drejtim të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ai e shikon shërbimin veterinar që do t’i atashohet AKU-së si “thembrën e Akilit”. 

Prof.Dr. Kristaq Bërxholi, pedagog pranë fakultetit të Veterinarisë në Universitetin Bujqësor. Foto: Private

Prof.Dr. Kristaq Bërxholi, pedagog pranë fakultetit të Veterinarisë në Universitetin Bujqësor. Foto: Private

“Pa shërbim veterinar nuk ka siguri ushqimore, – shprehet Bërxholi, – pasi siguria ushqimore nuk fillon as në thertore e as në tavolinë, por në fushë. Problemi as nuk fillon e as nuk mbaron tek thertorja, por tek strukturat që kryeministri Rama po i shkatërron me drejtues jo sipas vendit që duhet, po sipas asaj që atij i duhet”, thotë profesori i Veterinarisë.

Sipas tij, edhe zgjedhja e re që bëri kryeministri Rama në krye të AKU-së është një tregues i qartë se ai nuk e ka prioritet sigurinë ushqimore, por vetëm demagogji.

“Ky vendim është po aq jo bashkëkohor dhe krejt i papërshtatshem sa dhe aspak koherente me direktivat e BE-se për sigurinë ushqimore dhe shërbimin veterinar. Në të njëjtën ditë që vetë kryeministri Rama shpalli konkursin për drejtor spitalesh (bile edhe me statusin e pensionistit) me kushtin që të jetë mjek nga profesioni, për sigurinë ushqimore, po atë ditë, emëron një person, pa konkurs, në krye të AKU-së, me profesion ekonomist, i cili nuk ka as informacionin më të vogël se çfarë janë këto dy sektorë mjaft të rëndësishëm dhe jo më ta drejtojë atë. Ky veprim, por edhe e gjithë taktika që po përdoret, është një ofendim për të gjithë specialistët që merren me sigurinë ushqimore dhe veterinarinë”, deklaron për Citizens Channel Bërxholi.

Kritik deri në fund ai i kujton kryeministrit Rama se “siguria ushqimore dhe mjekësia veterinare, nuk është vetëm mbyllja e një lokali apo thertoreje, por siguria ushqimore, para se gjithash, është shkencë e mirëfillte dhe këtë shkencë nuk mund ta bëjë kushdo. Unë nuk e kuptoj se nga cilat parime është nisur kryeministra Rama kur emëroi një ekonomist në krye të këtyre shërbimeve, apo meqë ka thënë se veterinerët janë kasapë, të paktën të kishte vendosur në krye një përgjegjës kasapësh”, përfundon Bërxholi.

Autor: E. K / Citzens Channel

 

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: