Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Buxheti 2018: Rrugë për qytetin, jo për fshatin

Pas disa vitesh kursim, qeveria ka rikthyer vëmendjen tek rrugët. Përfundimi i marrëveshjes 3 vjeçare të bashkëpunimit me FMN-në që impononte konsolidim fiskal nëpërmjet tkurrjes së shpenzimeve, por edhe qeverisja pa aleatë, ku në mandatin e parë LSI ka mbajtur gjithmonë Ministrinë e Transporteve, ka bërë që qeveria “Rama 2” të dyfishojë fondet për infrastrukturën rrugore.

Në projektbuxhetin 2018 parashikohen 280 milionë euro për rrugët nga 130 milionë euro që ishte fondi në vitin 2017. Rritja prej 150 milionë euro në harkun kohor të një viti tregon jo vetëm nevojën për ndërtimin e rrugëve të reja, të lëna jashtë vëmendjes, për shkak edhe të projektit të Rilindjes Urbane, por edhe domosdoshmërinë për përfundimin e disa akseve rrugorë, të nisur vitet e fundit dhe që ende nuk kanë përfunduar.

Të tillë janë By Pass-i i Fierit, rruga e Lumit të Vlorës dhe aksi Qukës-Qafë Plloçë. Ndërkaq në listën e projekteve që do të financohen vitin e ardhshëm nga buxheti janë edhe By Pass-i i Vlorës dhe Unaza e Madhe e Tiranës, në segmentin e pandërtuar nga rrethrrotullimi i TEG-ut deri tek ai i Shqiponjës në Laprakë.

Përveç fondeve buxhetore, në infrastrukturën rrugore do të fokusohet edhe Programi 1 miliard dollarë i qeverisë nëpërmjet Partneritetit Publik Privat. Rrugët e para që do të ndërtohen në kuadrin e këtij programi, që në thelb është një koncension janë Rruga e Arbrit dhe aksi Vorë-Rrogozhinë.

BUXHETI PËR RRUGËT
Viti 2017                     130 milionë euro
Viti 2018                     280 milionë euro
Rritja vjetore               150 milionë euro

Fokusi te zonat urbane

Rrugët e përzgjedhura për t’u financuar vitin e ardhshëm janë të fokusuara kryesisht në zonat urbane. Ekspertët shpjegojnë se zonat rurale janë lënë si dytësore në listën e projekteve. Për Panajot Sokon, ish drejtor i Planifikimit Buxhetor në Ministrinë e Financave, kjo duket tek ulja e ndjeshme e financimeve buxhetore për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, një program i fokusuar kryesisht te zonat rurale. Në projektbuxhetin 2018, fondet për këtë program janë në nivelin e 50 milionë eurove nga 93 milionë euro që ishin në vitin 2015.

“Në këtë buxhet vihet re një zhvendosje e vëmendjes nga projektet e zhvillimit të zonave rurale në drejtim të zonave urbane. Duket se financimi i aksit të Lumit të Vlorës ka qenë i mjaftueshëm për programuesit, për avancimin e projekteve me destinacion zonat rurale. Zhvendosja e vëmendjes në fakt është e dukshme, mjafton të vërejmë rritjen që i është bërë fondeve të alokuara në projektet e Ministrisë së re të Infrastrukturës, në ‘kurriz’ të fondeve që vitet e kaluara kanë qenë destinuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, financuesin kryesor të projekteve me destinacion zonat rurale. Buxheti i këtij të fundit është pothuajse përgjysmuar krahasimisht me 2 vjet më parë”, shprehet Soko.

Ndërsa ish zv.ministri i Financave, Dritan Shano vlerëson si pozitive kthimin e vëmendjes së qeverisë tek projektet e rrugëve, si investime që përkthehen në përfitime shtesë për qytetarët. Kjo veçanërisht për akse rrugore që kanë vite që kanë nisur dhe që janë zvarritur në kohë.

“Çdo investim që përmirëson stokun ekzistues të infrastrukturës sonë rrugore, njehson dhe modernizon atë dhe kompleton vepra rrugore të zvarritura në kohë. Kjo ka ndikim të drejtëpërdrejtë pozitiv në ekonomi – rrit aksesin në treg, ul kohën dhe kostot e transportit e kështu me rradhë. Nga ky prizëm duhet parë kompletimi i By-Pass-it të Fierit, i cili përmirëson infrastrukturën e një prej zonave të rëndësishme bujqësore të Shqipërisë, siç është Myzeqeja, ndërsa gjithashtu, ndikon pozitivisht aksesin në bregdetin tonë jugor, një nga zonat më të pëlqyera turistike të Shqipërisë. Po ashtu, kompletimi i rrugës Qukës-Plloçë përmirëson aksesin në zonën e Korçës, ku bujqësia është një aktivitet mjaft i rëndësishëm dhe konkurrues, duke nxitur edhe aktivitetin e turizmit drejt kësaj zone, interesi për të cilën është rritur ndjeshëm në vitet e fundit”, shprehet Shano për Citizens Channel.

Kritik për listën e projekteve të rrugëve që do të financohen vitin e ardhshëm është Majlind Lazimi, sekretar për Çështjet Ekonomike në LSI. Sipas tij, qeveria nuk ka bërë një analizë të plotë kosto-përfitime në përzgjedhjen e akseve rrugore dhe as një vizion për ndërhyrjet që duhen bërë në rrugë të tjera në të ardhmen.

“Qeveria akoma nuk ka një masterplan të qartë të investimeve publike. Përzgjedhja e investimeve në infrastrukturë, bujqësi apo turizëm nuk është rezultat i një analize të integruar me kostot financiare dhe përfitimet përkatëse për ekonominë”, shprehet Lazimi. 

Investimet në infrastrukturën rrugore të zonave rurale janë të domosdoshme, pasi bëjnë lidhjen e tyre me tregjet dhe rrjedhimisht garantojnë shitjen e produkteve bujqësore. Mungesa e rrugëve konsiderohet një ndër problemet kryesore që hasin sot fermerët, gjë që u vu në dukje prej tyre edhe gjatë seancës plenare të Parlamentit Rural, që qeveria zhvilloi në fund të shtatorit.

 RRUGËT E PARASHIKUARA NË BUXHETIN 2018

  1. Rruga e Lumit të Vlorës


  2. By pass i Fierit


  3. By pass i Vlorës


  4. Aksi Qukës-Qafë Plloçë


  5. Unaza e Madhe e Tiranës

Synohet zhvillimi i turizmit

Zhvillimi i turizmit është një ndër prioritetet e shpallura të qeverisë në këtë mandat të dytë. Pas uljes së TVSH-së në 6% për këtë sektor, në funksion të turizmit do të vihen edhe një pjesë e rrugëve që do të financohen vitin e ardhshëm nga buxheti.

Bëhet fjalë kryesisht për By Pass-in e Fierit dhe atë të Vlorës, dy projekte të rëndësishme nëpër të cilat kalon edhe fluksi më i madh i turistëve drejt Jugut. Ish drejtori i Planifikimit Buxhetor në Ministrinë e Financave, Panajot Soko argumenton se përzgjedhja e këtyre dy projekteve për t’u financuar do të përmirësojë infrastrukturën turistike në vend dhe do të ndikojë pozitivisht tek turizmi. 

“Duket se në hartimin e këtij buxheti janë mbajtur parasysh projektet me impakt në turizëm. Avancimi i dy projekteve si bypass-i i Fierit dhe i Vlorës, si dy projekte që kanë një impakt të drejtpërdrejtë në infrastrukturën turistike, adresojnë përfundimisht dy probleme shumë të forta që kanë peshuar mbi industrinë e turizmit gjatë gjithë këtyre viteve”, shprehet Soko.

Ndërsa për Majlind Lazimin, përzgjedhja e rrugëve që duhen financuar nga qeveria duhet të kenë impakt jo vetëm në sektorë të caktuar, si turizmi, por në zhvillimin e zonës në disa plane. “Është e rëndësishme që zhvillimi urban apo rural të ketë si premisë afatgjatë sinergjinë mes infrastrukturës, turizmit dhe bujqësisë, në mënyrë që investimet publike apo private të kenë impakt të drejtëpërdrejtë tek qytetarët”, shprehet Lazimi.

Projektbuxheti 2018 pritet të miratohet në qeveri brenda kësaj jave, për t’iu nënshtruar më pas një diskutimi të hollësishëm në komisionet parlamentare në Kuvend, ku eksperienca e viteve të mëparshme ka treguar se gjithmonë ka pasur kërkesa dhe lobing nga deputetët për financimin e rrugëve apo edhe projekteve të tjera për zonat, ku janë zgjedhur.

Autor: Aurora Sulçe / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *