Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

E mbijetuara e kancerit të gjirit: Asnjë rrezik nëse kontrolloheni në kohë!

Mobile

Me Oltianën nuk njihesha, por vetëm kisha dëgjuar të flitej për të. E njihja nëpërmjet një mikeshës time, e cila më kishte treguar një histori të dhimbshme por të suksesshme.

Arsyen e fundit të lumtur të kësaj historie, e kuptova menjëherë sapo takova Oltën, gruan e qeshur dhe me mjaft shije në të veshur. Ajo e jetonte jetën me të gjithë detajet e bukura dhe të shëmtuara të përditshmërisë.

E dalluam njëra-tjetrën edhe pse nuk njiheshim fizikisht, por takimi në atë lokal na përkiste vetëm neve, pasi atë mëngjes aty gjendeshim vetëm.

Pas përshëndetjes dhe ritualit të një buzeqeshje të lehtë mes të panjohurave, m’u duk sikur atë grua e njihja edhe më parë. Teksa nisëm të bisedonim, ajo porositi një çaj dhe unë kafenë e mëngjesit.

Vazhdoja të mos e lidhja historinë që më kishin treguar me atë grua të cilën e kisha përballë meje. Me një të folur të qetë por shumë të zhdërvjellët, me një portret të pastër dhe paqësor, dukej mjaft optimiste, optimizëm që e kish ndihmuar t’ia dilte mbanë.  Në mënyrë të pakontrolluar më doli edhe pyetja e parë: Si ia dole?

Rrëfimin e nisi me një buzëqeshje mbi betejën dhe fitoren.

Pesë vite më parë, kur nuk kishte mbushur ende të 36-at, në një ditë të ftohtë dimri në prag Krishtlindjeje, kishte shkuar të vizitonte e të festonte me të afërmit. Aty kuptoi se diçka nuk shkonte me trupin e saj.

Duke qenë mjeke dhe një grua që kryente rregullisht vizita mjekësore, niset menjëherë drejt spitalit onkologjik në Tiranë, për një kontroll më të specializuar.

Fytyra e trishtë e kolegëve i shuajti çdo dyshim, edhe pse ata nuk patën guximin t’ia thonin menjëherë. Pak ditë më pas, më 4 janar, vendosi të udhëtonte drejt Greqisë për t’u operuar.

Rezultatet e biopsisë ishin ato çka e tronditën më shumë: tani ajo duhet të përballej me faktin se kishte kancer të gradës së dytë. Si mjeke, Olta e dinte mirë se çfarë do të thoshte kjo diagnozë, ku mundësia për t’u shëruar ishte 85%.

Si një grua plot energji dhe optimiste e pandreqshme, përveçse të mbante veten me kurajo, i duhet të bënte psikologen edhe për familjen e saj. Tronditjen më të madhe duket se po e përjetonin ata. Nënë e dy fëmijëve, 11 dhe 5 vjeç, ajo sapo kishte marrë edhe një shtëpi të re.

Në luftën e përditshmërisë, në përpjekjet për të bërë doktoraturën dhe me dëshirën që në një të ardhme të largohej jashtë vendit, ajo kishte harruar edhe të kujdesej për veten. Lajmi i sëmundjes gjeti të papërgatitur jo vetëm Oltën por edhe bashkëshortin e saj, dhe të dy bashkë ishin përpara një dileme të madhe: a duhet t’ua jepnin fëmijëve këtë lajm?

Tashmë ishte kthyer në pamundësi fshehja e lajmit, pasi kimioterapia kishte nisur efektet e saj të para: rënien e flokëve dhe të vjellat e shpeshta. Një ditë kish harruar derën hapur, kur vështrimi i trishtë i djalit të vogël e rëndoi më shumë se sëmundja. Për ta kaluar me humor e sportivitet këtë situatë e shumë të tjera të ngjashme si dhe për të justifikuar edhe floket e shkurtër, u thoshte me shaka djemve që tani ishin bërë katër meshkuj në familje.

E megjithatë ajo nuk kërkonte keqardhje nga askush. As atëherë kur u dërgonte mikeve të saj në Whatsapp fotografi dhe u thoshte: “Mos e lini veten tuaj pas dore. E shikoni si jam katandisur? Pa flokë, pa vetulla…”

Tashmë kanë kaluar thuajse 5 vite. Djemtë e Oltës janë rritur edhe më shumë, me bashkëshortin përjeton çdo ditë një marrëdhënie të bukur, ia doli mbanë të marrë doktoraturën.

Edhe pse e fitoi betejën, Olta nuk lë pas dore kontrollet e vazhdueshme mjekësore, ashtu siç mban nën kontroll punën që zhvillon çdo ditë në laborator si mjeke mikrobiologe. Ajo e fitoi betejën, por lufta e saj vazhdon…

Oltiana

Me një popullsi prej rreth 3 milion banorësh dhe rreth 7,700 raste të reja të kancerit të diagnostikuar çdo vit, kërkesa e Shqipërisë për trajtimin e kancerit tejkalon në masë të madhe kapacitetin në dispozicion.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, kjo është arsyeja pse kanceri vret shumicën e njerëzve në vend pas sëmundjeve kardiovaskulare. Për çdo tre persona në Shqipëri që humbën jetën nga sëmundjet e zemrës ose të gjakut, në vitin 2016, një prej tyre ishte me kancer.

Olta është një shembull suksesi, prej së cilës unë mësova shumë. Një grua e fortë njësoj si gratë që kanë ndryshuar historinë e botës. Njësoj si Mbretëresha Victoria, Catherinë e Rusisë, Elizabeth e Anglisë, Maria Theresa e Austrisë. Olta është një frymëzim për të gjitha gratë.

Apeli i saj është i qartë: Pak kohë nga jeta juaj për të bërë ekzaminimin dhe ju do të jeni gjithnjë të shëndetshëm.

Autor: E. L / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *