Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Durrës, autobusë urbanë pa sisteme ajrimi, të ndotur dhe sjellje jo etike e fatorinove

Udhëtimi me mjetet e transportit publik në Durrës, përbën një sfidë më vete për këdo, që nuk ia lejon buxheti të ketë një makinë. Në qytetin më të madh bregdetar në vend me 200 mijë banorë dhe vetëm 37 km larg kryeqytetit, sistemi i transportit urban karakterizohet nga probleme serioze për konsumatorin. Autobusë pa sisteme ajrimi, të ndotur dhe sjellje jo etike e fatorinove, janë disa ndër shqetësimet që rendisin qytetarët.

Një raport i Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, thekson se mungesa e sistemit të ajrimit dhe kondicionerëve si dhe papastërtia në mjete, konsiderohen ndër problemet kryesore.

Shpesh herë në dyshemenë e autobusëve apo midis sediljeve vihen re mbeturina, bishta cigaresh, letra apo shishe uji. Gjatë pikut të verës papastërtia e bënte edhe më të vështirë udhëtimin. Pluhuri dhe vapa, së bashku me aromat për shkak të mungesës së dritareve, iu vështirësonin frymëmarrjen pasagjerëve, duke shkaktuar asfiksi për disa, por edhe probleme serioze për të gjithë alergjikët.

Referuar raportit, pasagjerët nuk kanë mundësi të informohen rreth vendndodhjes së stacioneve. Pavarësisht detyrimit ligjor, për publikimin e rregullores në gjuhën shqipe, në autobusë arrin ta kuptosh atë, vetëm nëse njeh gjuhën gjermane apo frënge. Edhe pse tek urbanet e rinj që janë në qarkullim, janë të dukshme vendet për Personat me Nevoja të Veçanta, si individët me paaftësi fizike, të moshuarit po gratë shtatëzëna, sërish këto të fundit vështirë se arrijnë të ulen në sediljet e dedikuara për ta.

 

Autobusë të tejmbushur, që ndalojnë kudo

Në varësi të atobusëve numri i pasagjerëve që mund të gjejnë një vend për t’u ulur varion nga 20 në 29 persona. Të tjerët qëndrojnë në këmbë, madje në shumë raste, kalohen të gjitha limitet, duke arritur deri në 50 vetë. Brenda autobusëve nuk ka tabela që të orientojnë pasagjerët se ku janë stacionet e linjës përkatëse. Teksa njoftimi me pajisje audio, do të konsiderohe luks, në shumë raste pasagjerët mësojnë për vendndodhjen vetëm kur ndalohet mjeti.

Kaosin e shton edhe mospërcaktimi i qartë i stacioneve apo mungesa e vijëzimeve të verdha që tregojnë vendndalimin e autobuzëve, gjë që duket se vjen si pasojë e investimeve në infrastrukturën publike. Për shkak të rregullimeve për ndërtimin e sheshit Veliera tek Porti, stacioni që ka qenë aty është eliminuar fare. Kjo ka sjellë rritje të distancës mes stacioneve dhe për pasojë autobusi shpesh ndalon sipas kërkesave të udhëtarëve, në mes të rrugës, duke provokuar aksidente.  

Fatorino me sjellje të pahijshme, ndonjëherë të dehur

Si të mos mjaftonte mungesa e kushteve dhe higjienës në autobusë, udhëtarëve u duhet të përballen shpesh edhe me sjelljet e pahijshme të fatorinove.

Nga monitorimet ditore të kryera nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”, rezulton se sjellja e fatorinove është problematike dhe në shumë raste është sjellje diskriminuese kundrejt minoritetit Rom. Problemet më të mëdha vihen re në orët e vona, kur komunikimi i tyre shpeshherë është jo etik.

Në faqen e Qendrës “Konsumatori Shqiptar” në rrjetet sociale, kanë ardhur një sërë ankesash qytetarët për sjelljen e fatorinove. Një zonjë rrëfen situatën e pakëndshme të krijuar në mjet, kur fatorino dhe shoferi ishin të pirë. Përvec komunikimit të pahijshëm të stafit të urbanit, ajo tregon panikun që përjetuan të gjithë pasagjerët. “Ishte e frikshme.U trembëm të gjithë, pasi shoferi nuk arrinte të mbante siç duhet kontrollin e mjetit.”

Raporti “zgjon” bashkinë dhe kompanitë e transportit publik

Shpeshherë, barrierat administrative dhe ekonomike të pajustifikuara pengojnë përfshirjen e shumë operatorëve privatë duke sjellë përqendrimin e shërbimeve dhe zbehjen e konkurrencës, gjë e cila pasqyrohet drejtëpërsëdrejti në cilësinë e shërbimit të ofruar. Sikundër është cituar në Progres Raportin për Shqipërinë në vitin 2016 nga Komisioni Europian në lidhje me transportin është i nevojshem përafrimi me acquis për detyrimet e shërbimeve publike, duke përfshirë kontratat e shërbimit publik. Shqipëria nuk ka transpozuar ende legjislacionin për rregullat e orarit përgjatë sezonit të verës, si dhe nevojitet përmirësimi i kapaciteteve administrative në të gjithë sektorët e transportit.

Raporti i monitorimit, i kryer në dy faza me mbështetjen e “Lëviz Albania”, synoi rritjen e përgjegjshmërisë së strukturave të pushtetit vendor për të siguruar një transport rrethqytetas cilësor dhe të aksesueshëm, veçanërisht në tre linjat e targetuara: Durrës – Plepa – Durrës;  Durrës – Currila – Durrës dhe Durrës – Universiteti A.Moisiu – Durrës.

Pavarësisht problemeve, raporti i monitorimit ka vënë në lëvizje bashkinë e Durrësit dhe drejtuesit e kompanive që ofrojnë shërbimin e transportit publik në këtë qytet, duke sjellë disa ndryshime pozitive. Konkretisht është zgjatur orari i shërbimit të ofruar, me rreth dy orë. Në një nga linjat u zëvëndësuan mjetet e vjetra me autobusë të rinj, në të cilët ka edhe sedilje për persona me nevoja të vecanta. Faturinot, edhe pse jo të gjithë, janë pajisur me uniformë përkatësë, ndryshe nga ajo që u konstatua në monitorimin e parë, ku askush nuk e zbatonte rregullin për të veshur uniformën.

Autor: D.H / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *