Gjykata legjitimon ndërtimin e HEC-ve në Valbonë

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka legjitimuar ndërtimin e HEC-ve në Valbonë. Pas një beteje ligjore disa mujore, paraditen e kësaj të premteje gjykata vendosi pro ndërtimit të HEC-eve, duke rrëzuar kërkesën e 27 banorëve të Luginës së Valbonës dhe Shoqatës “TOKA” që kërkonin pezullimin e punimeve.
Çështja gjykohej nga gjyqtarja Elvana Çiçolli, e cila në momentin e dhënies së vendimit nuk lejoi praninë e kamerave në sallë.

Pas përfundimit të seancës, banorët u shprehën se një vendim i tillë nuk do ti ndalonte aspak në përpjekjet e tyre për ndalimin e ndërtimit të HEC-eve. Catherine Bohne Selimaj nga shoqata “TOKA” deklaroi për Citizens Channel se një vendim i tillë nga gjykata pritej prej tyre, pasi nëse do të ishte pro tyre do të hapte një precedent të rrezikshëm edhe me shumë HEC-e të tjera të cilat po ndërtohen në të gjithë Shqipërinë.

Në muajin prill, në brendësi të Parkut Kombëtar të Valbonës, kanë nisur punimet për ndërtimin e një prej dy hidrocentraleve, që planifikon të fusë në tunel 3 kilometra të lumit Valbonë, në një prej segmenteve më të bukur dhe të pa prekur nga dora e njeriut.

Valbona është një burim të ardhurash për banorët e zonës, kjo falë turizmit që ka kjo zonë, duke u kthyer në një nga tre destinacionet kryesore të turizmit në Shqipëri. National Geographic në vitin 2017 e shpalli si një nga “9 Best Places in the World to Enjoy the Great Outdoors” (9 vendet më të mira në botë për turizmin në natyrë).

Autor: Sami Curri

Leave a Reply

%d bloggers like this: