Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tatimorët dhe AKU bllokojnë shitësit e vegjël, në Shqipëri futet mish kontrabandë

Nesti, rreth të 65-ave, me përparësen e bardhë e cila tek-tuk mbart vraga të kuqërremta mishi, qëndron i mbështetur tek banaku i vogël i dyqanit të tij ku rrallë futet ndonjë njeri.

Edhe pse ka të paktën 5 vjet që ushtron aktivitetin e tij në një nga rrugët dytësore të Unazës së Re, rrezikon të mbetet pa punë. Për shkak të neglizhencës së tij, mosinformimit apo për shkak të përfitimit. Nesti është i bindur që në veprimtarinë e tij nuk sheh ndonjë gabim kundrejt ligjit.

“Më kanë ardhur tatimorët, tëcilët më kanë kërkuar faturat e TVSh-së dhe më kanë paralajmëruar për ta mbyllur dyqanin me të cilin mbaj familjen prej 7 vetash. Unë mishin dhe pak bulmet që kam, i marr tek një i afërmi im në fshat që nuk ka biznes. Ai i ka për familjen. Kur i teprojnë, ia marr unë”, shprehet Nesti për Citizens Channel.

Për Arben Shkodrën, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Dhomave të Prodhuesve Shqiptarë, sektori i bujqësisë është i pafiskalizuar në masën 90 % të tij.

“Bujqësia është sektori më informal në vend. Instrumenti kryesor duhet të jetë regjistri elektronik. Duhet të ekzistojë gjurmueshmëria. Duhet të zbatohet ligji për Bashkësinë Bujqësore, që edhe fshatari që ka një ose dy lopë për përdorim familjar, nëse ka tepricë e dërgon tek “kooperativa” ku i nënshtrohet të gjitha analizave të mundshme, matrikullohet, kalon të gjithë zinxhirin e gjurmueshmërisë dhe shkon tek përdoruesi fundor”, thotë Shkodra për Citizens Channel.

Ndërsa Alban Zusi, kreu i shoqatës “Albanian Food Industry”, deklaron se tregu është i lirë dhe kushdo mund të shesë e blejë produkte dhe nënprodukte blegtorale. Sipas tij, në rastin e Nestit dhe kolegëve të tij çështja është e zgjidhur me autofaturim. Sipas Zusit, në këtë rast ndryshon vetëm çmimi, nëse tregtari e merr pa faturë produktin nga fermeri që i ka produktet për përdorim familjar. I merr më lirë sepse do ta shkarkojë TVSH-në tek blerësit. Në rastin kur do të furnizohej tek një fermer nga i cili do të merrte faturë, do ta merrte me gjithë TVSh, pra çmimi do të ishte më i shtrenjtë.

Shpjegimin më tej e thellon për Citizens Channel Artur Papajani, drejtor i Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

“Gjithë thelbi i skemes është: fermerët që janë objekt i skemës së kompensimit, duhet të pajisen me një numër identifikimi (NIPT), lëshuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore ku ushtron aktivitetin fermeri për të përfituar nga kjo skemë, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim.”

Sipas tij, ky regjistrim dhe certifikata e NIPT-it lëshuar fermerit është e vlefshme vetëm për qëllime të përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë sipas këtij ligji.

Çdo përdorim i NIPT-it të lëshuar fermerit nga ana e tij apo nga persona të tjerë për qëllime të tjera të ndryshme nga ajo e përcaktuar në këtë udhëzim është në kundërshtim me qëllimin e përdorimit të tij. Ndërsa blerësi i produkteve bujqësore sipas këtij udhëzimi(grumbullues/përpunuesi) është person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në dhe i nënshtrohet regjimit normal të TVSH-së.

“Blerësi, person i tatueshëm, për çdo furnizim të produkteve bujqësore, të marrë prej fermerit, në përputhje me këtë udhëzim, lëshon një faturë tatimore me TVSH sipas formatit të miratuar të faturave nga organi tatimor, në të cilën evidenton si shitës, shitësin fermer (prodhues bujqësor), NIPT-in e fermerit dhe të dhënat e tjera të kërkuara sipas faturës. Vlera totale e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit fermer, përfshirë normën e kompensimit e cila është 20%. TVSH-ja e shënuar në faturë prej 20% përbën normën e kompensimit të fermerit. Kjo TVSH është e zbritshme për grumbulluesin dhe ky është një avantazh për të. Njëkohësisht vlera e tatueshme në faturë, pa TVSH, njihet si shpenzim i zbritshëm. Kompensimi i akorduar i paguhet fermerit nga blerësi, person i tatueshëm, përkundrejt furnizimeve të kryera”, sqaron drejtori Papajani.

Gjatë një vëzhgimi në dyqanet e tregtimit të mishit në kryeqytet kishte disa syresh të ngjashëm me rastin e Nestit. Disa subjekte të tjerë të mbyllur nga AKU gjatë aksioneve të fundit.

“Unë mishin e marr në Ersekë. Bagëtitë i marr të gjalla dhe i ther në thertoren e Korçës. E kanë bërë shumë të mirë, me të gjitha kushtet. Më përpara i therja në pikat e therjes në Ersekë, por tani janë mbyllur nga AKU. Thertorja e Korçës aktualisht është e vetmja për të gjithë atë zonë”, thotë për Citizens Channel Agroni, i cili e ushtron veprimtarinë e tij në një dyqan përballë ish- Ekspozitës.

Pjesa më e madhe e subjekteve që ne vëzhguam e merrnin bagëtinë të gjallë dhe e therrnin në thertore. E pyetur për situatën, AKU sqaron për Citizens Channel se ligji i ri e përjashton therjen në dyqanet e mishit. Vetëm thertoret njihen me ligj.

Sipas AKU-së, një nga kriteret gjatë aksionit të Autoritetit në subjektet e shitjes së mishit ka qenë edhe fatura e TVSH-së. AKU nuk preferon të japë statistika për këtë segment tregu.

Në Shqipëri hyn mish kontrabandë

Në Shqipëri hyjnë kafshë dhe mish kontrabandë, kryesisht nga Maqedonia. Madje është konstatuar se kanë hyrë edhe kafshë të ngodhura me grupin e atyre bagëtive që janë transportuar ilegalisht në territorin shqiptar.

Këtë e konfirmon Albanian Food Industry. Tri javë më parë ka hyrë në territorin shqiptar nga Maqedonia një grup me 13 bagëti, mes të cilave edhe një e ngordhur. Janë kapur duke i transportuar për në Korçë. Ndërsa AKU në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe SHISH po bashkërendojnë punën për të shmangur fenomenin e importit ilegal të bagëtive në Shqipëri.

Po ku furnizohen aktualisht subjektet e tregëtimit të mishit?

Mësojmë nga Abanian Food Industry se miti i pikave të grumbullimit ka rënë. Nuk është se ato mungojnë aktualisht, por nuk kanë ekzistuar. Më parë kasapët shkonin nëpër male, ku gjenin bagëti për të therur. Edhe tani kasapët mund të veprojnë njësoj, por janë të detyruar të kalojnë procesin e matrikullimit.

Pra, sipas ligjit në fuqi asnjë kasap nuk mund t’i dërgojë bagëtitë në thertore të pamatrikulluara. Në këtë mënyrë janë disiplinuar therjet e janë fuqizuar thertoret e gjithashtu po garantohet mish për tregun qoftë nga tregu i brendshëm, qoftë nga importi legal i kafshëve të gjalla.

Harta e importuesve të mishit

Aktualisht janë shtatë importues të mishit të derrit që merren ekskluzivisht vetëm me importin e mishit të kësaj kafshe. Janë katër importues të bagëtive të trasha, të gjedhit që importohen kryesisht nga Maqedonia dhe Bullgaria. Ndërsa mishi i ngrirë ka rreth 15-të importues, të cilët janë ata tradicionalët që importojnë kryesisht nga BE, Kanadaja dhe Amerika.

AKU dy javë më parë kreu procedurën e asgjësimit të një sasie mishi mbi 2 ton, të bllokuara gjatë inspektimeve të atyre ditëve, pasi rezultonte pa vulë veterineri dhe certifikatë origjine. Asgjësimi u bë tek frigoriferët e një firme në rrugën Arbanë-Vishnje, aty ku mishi ndodhej i magazinuar. Sasia prej 2 tonësh u hodh në Landfillin e Sharrës.

AKU deklaroi se pas inspektimit dhe asgjësimit të mishit, në gjithë vendin janë mbyllur 83 subjekte ku është konstatuar produkti i pakontrolluar.

Autor: Sabina Veizaj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *