Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studentët braktisin auditorët për të përballuar jetesën e shtrenjtë të Tiranës

Facebook-u, Snapchat-i apo Instagram-i të bëjnë të besosh se pothuajse çdo student është duke bërë një jetë fantastike nëpër baret e kryeqytetit apo klubet e natës. Por realiteti është krejt tjetër.

Jetesa në konvikte pa ngrohje, dhoma të vogla dhe tualete të përbashkëta në gjendje të mjerueshme ku uji i ngrohtë është luks; ndarja e qirasë për apartamentet e vegjël dhe të shtrenjtë të Tiranës; kequshqyerja nëpër fast-food-et ose byrektoret e Tiranës; blerja e veshjeve dhe këpucëve të përdorura, janë ana tjetër e medaljes.

Dushi në një nga godinat e vajzave në Qytetin Studenti.

Ata që përballen më së shumti me këto kushte janë studentët që vijnë nga rrethet, të cilët përveç tarifës së shkollimit, duhet të përballojnë edhe shpenzimet e jetesës, çka është mjaft e vështirë të mbulohet nga prindërit. Prandaj shumë prej tyre detyrohen të punojnë si kamariere/ë, banakiere/ë, operatore/ë në call center, shpërndarës picash, etj.

Të ardhurat mujore që ata nxjerrin nga këto punë me kohë të pjesëshme nisin nga 15 mijë deri në 45 mijë lekë të reja në muaj. Pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave shkon për ushqyerjen dhe pagesën e qirasë.

Sipas Anketës së Buxhetit Familjar 2016 të publikuar nga INSTAT më 30 tetor 2017, pothuajse 55% e të ardhurave të shqiptarëve shkojnë për zërat „Ushqime dhe pije jo-alkoolike“ dhe „Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira“.

Po sipas kësaj ankete qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum, ku një familje shpenzon mesatarisht 85.344 lekë në muaj.

Shpenzimet për arsim zënë një pjesë shumë të vogël, vetëm 4,4 % të buxhetit. Peshën më të madhe në këtë kategori sipas INSTAT e zënë pagesat në lidhje me kategorinë “Master (niveli i parë dhe i dytë)”, 68,3 %.

Ndërpreja e studimeve si zgjidhje për të përballuar jetesën

Kleodora Elmasllari, studente e gazetarisë është përballur me këtë shqetësim. “Kur fillova fakultetin nuk kisha të ardhura. Pjesa më e madhe e studentëve kanë familje që i mbështesin, unë nuk e kam. Për këtë arsye më duhej të punoja. Sepse vendimin për studimet e larta e mora vet, me dëshirën time pa më imponuar askush dhe asgjë. Mendova se njëkohësisht që do të kryeja studimet, do të mundesha edhe të punoja por rezultoi mendim i gabuar për dy arsye: 1- Oraret e fakultetit 2- Kërkesat e bizneseve ku kërkoja të punësohesha. Për këto arsye puna mori më tepër përparësi. Nuk ka punë më pak se tetë orë në kushtet e mia, sepse kështu funksionon. Lodhja fizike e ajo psikologjike nga njëra anë dhe nevoja e domosdoshme për para nga ana tjetër, më çuan drejt braktisjes së fakultetit. Nuk i përballoja dot studimet, nuk kisha kohë fizike për të lexuar si dhe ndjeja mungesë dëshire dhe fuqie për të vazhduar. Nëse nuk ke asnjë lloj të ardhure nuk ke asgjë”, tregon Kleodora për Citizens Channel.

Ku ka humbur Karta e Studentit?

Një iniciativë e krijuar për lehtësimin sadopak të kosotove të studentëve është ndërrmarrë që në vitin 2007 nëpërmjet Kartës së Studentit.

Karta e Studentit ka qenë një detyrim i Ministrisë së Arsimit prej vitit 2007 në Ligjin e  Arsimit të  Lartë, por prej 10 vitesh asnjë nga ministrat e arsimit nuk ka marrë angazhim serioz për implementimin e plotë të ligjit.

Me anë të përdorimit të saj studentët mund të përfitojnë shërbime të ndryshme publike dhe private, falas ose me çmime të reduktuara në librari, njësi të shërbimit kulturor, transport, restorante, kinema etj.

Karta e studentit është një e drejtë e mohuar që garantohet nga neni 100 i Ligjit të Arsimit të Lartë ku thuhet:


  1. Studentët e institucioneve të arsimit të lartë të pajisen me kartën e studentit. Me anë të saj studentët përfitojnë lehtësime dhe shërbime me çmime të reduktuara sipas përcaktimeve të bëra me vendim të Këshillit të Ministrave.



  2. Ministria përgjegjëse e arsimit përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimit të kartës së studentit.



  3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet parashikuara në buxhetin e shtetit për ministrinë përgjegjëse dhe njësitë e qeverisjes vendore që mbulojnë shërbimet e ofruara ndaj studentëve.


Françeska Muço, anëtare e bordit të Kongresit Rinor Kombëtar tregon për Citizens Channel arsyet pse Karta e Studentit nuk po implementohet.

“Prej shumë kohësh karta e studentit është përfolur por asnjëherë nuk është vënë në zbatueshmëri.  Ajo filloi si një Kartë Bashkiake Studenti pra vetëm për studenët e Tiranës, por në të vërtetë Karta e Studentit synohet për të gjitha bashkitë që kanë universitete. Sipas një studimi të ndërmarë nga organizata Avokati i Rinisë se sa e vlefshme është Karta e Studentit në nivel bashkie, rezultoi se nuk ishte e tillë sepse 83% e studentëve nuk e kishin marrë dhe pjesa tjetër e studentëve nuk e dinin që kjo ishte një e drejtë ligjore që vinte nga Ministria e Arsimit dhe jo nga Bashkia. U ndërmorë një peticion ku më shumë se njëmijë studentë e firmosën, në të cilën kërkohej që ligji për kartën e studentit të zbatohej dhe si përgjigje ishin vetëm disa takime ku këto grupe interesi u ftuan por pa asnjë përgjigje, jemi akoma në pritje. Unë mendoj se gabimi qëndron në keqadresimin e çështjes dhe në mosndarjen e kompetencave”, shprehet Françeska Muço.

Autor: Marinela Lina

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *