Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bllokimi i dyqaneve të mishit rikthen në kujtesën e qytetarëve vitet e vështira të komunizmit

Prej mëse tri javësh në qarkun e Dibrës janë mbyllur të gjitha pikat e tregtimit të mishit, për shkak se mungon një thertore e liçensuar. Kjo ka ardhur pas një urdhri të Ministrisë së Bujqësisë që ndalon të gjitha pikat e tregtimit të mishit që të bëjnë edhe therjen e kafshëve.

Bllokim i dyqaneve të mishit në Peshkopi, Bulqizë, Klos dhe Burrel ka shkaktuar një problem shumë të madh në sigurimin e mishit. Qytetarët përballë një situate të tillë nuk harrojnë që të të kujtojnë edhe periudhën e komunizimit, që të gjeje mish në treg ishte një sfidë më vete, në këto kushte prej gati një muaj edhe ata po kujtojnë të kaluarën.

Citizens Channel kontaktoi edhe me drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Dibër Z. Agron Cara. Ai deklaroi se urdhëri është i prerë, asnjë tregtar i mishit nuk do të bëjë edhe therjen e kafshëve.

“Në Dibër pak ditë më parë ishte edhe ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ku u trajtua ky problem edhe me tregtarët e mishit në Peshkopi. Asnjë subjekt i tregtimit të mishit nuk do bëj edhe therjen. Një masë e tillë vjen për rritjen e kushteve higjeno-sanitare të tregtimit të mishit. Aktualisht në qarkun e Dibrës nuk ka asnjë subjekt të liçensuar për kryerjen e therjes. Tregtarët e mishit mund ta bëjnë therjen e kafshëve në Tiranë ose në Lezhë, ku ka thertore të autorizura për këtë punë”, deklaroi Cara për Citizens Channel.

Petrit Hoxha që jeton në Vajkal të Bulqizës, pensionist, që kohën e lirë e kalon duke punuar në bujqësi, tregon për Citizens Channel se ai shet një viç në disa muaj me 750 lekë kilogramin e mishit. “Kam një muaj që dua të shes një viç, por ato kasapët nuk ma marrin e ta therin se janë të bllokuar, kaq di unë. Për ne është një dëm ekonomik se me ato lekë që fitonim e i jepnim një shtyrje ekonomisë së familjes. Tani duhet ta presim për vete”, tregon Hoxha për Citizens Channel.

Inspektor i AKU gjatë një kontrolli në një dyqan mishi në qytetin e Peshkopisë. Foto: AKU Diber

Fadil Lika që ka një pikë tregtimi të mishit në Bulqizë, shprehet shumë i indinjuar për një vendim të tillë që është marrë nga qeveria. “Këtu nuk merret vesh se çfarë bëhet. Jam në rregull me çdo dokumentacion që kërkon shteti. Jam munduar maksimalisht që të plotësoj çdo kusht higjeno-sanitar që kërkohet nga shteti. Por e kotë, unë dhe të gjithë ata që merren me një punë të tillë, kemi tri javë që dyqanet i kemi të mbyllura. Një dëm shumë i madh për ekonominë tonë familjare që ka rënë përtokë”, deklaroi Lika.

Për Likën është e pa pranueshme që therja të bëhet në Lezhë ose në ndonjë qytet tjetër. “Është absurditet një vendimi i tillë. Merre viçin nga fshati më i thellë e shko there në Lezhë. Kjo do një makinë të përshtatshme për një punë të tillë. Pa llogaritur këtu edhe pjesën e kostos ekonomike që shtohet disa fish për ne, e në fund sa shkon kilogrami i mishit? Nga 1500 deri në 2000 lekë. Më thuaj kush e blen me këtë çmim mishin me një situatë të vështirë ekonomike që ndodhen familjet dibrane”, shprehet Lika për Citizens Channel.

Shkëlqim Canga, veteriner në Bulqizë, kontaktuar nga Citizens Channel u shpreh se një aksion i kësaj forme është shumë i domosdoshëm për rritjen e kushteve të higjenës për produktet e mishit, por në Dibër jemi në një situatë të tillë që nuk kemi as edhe një thertore të liçensuar.

“Ka një kosto shumë të lartë që një tregtar ta marr një viç nga fshatrat e thella të Bulqizës ose Dibrës dhe ta dërgoj në Lezhë, e nga Lezha ta sjell në Bulqizë për tregtim. Përpos kësaj, problemi qëndron edhe tek transporti i mishit që kërkon kushte optimale frigoriferike për ruajtjen e cilësisë. Por në një situatë të tillë, ku në Dibër nuk ka asnjë thertore të liçensuar, duhej menduar që pikat e tregtimit të mishit, ashtu siç kanë vepruar deri më sot, t’ju lihen si detyrë që të plotësojnë standardet higjeno- sanitare që kërkohen për therjen e mishit, deri në momentin kur të jetë zgjidhur problemi i një thertorje të liçensuar. Pa marrë zgjidhje ky problem nuk mund të kalohet në një masë të tillë ndaluese të therjes së mishit në të gjithë Dibrën”, u shpreh Canga për Citizens Channel.

Dyqan mishi i mbyllur. Foto: Sami Curri

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti e ka kritikuar aksionin e qeverisë për mbylljen e thertoreve në të gjithë vendin. Në një deklaratë bërë prej tij pak ditë më parë, Panariti u shpreh se një aksion i tillë i shërben vetëm një grupi superbiznesesh, të cilët rritën ndjeshëm importin e mishit, brenda një jave. Sipas tij ky vendim nxjerr tërësisht jashtë loje qindra blegtorë dhe tufat e tyre të bagëtive, pasi është favorizuar mishi i importit.

Mungesa e mishit në treg ka krijuar një probleme edhe për restorantet e zonës. Citizens Channel u ndal tek disa restorante në aksin rrugor Tiranë – Peshkopi, ku pronarët deklarojnë se prej javësh janë në një situatë të vështirë dhe produktet e mishit detyrohen që t‘i marrin nga Tirana.

Abuzimet

Një situatë e tillë ka hapur rrugën për abuzime. Citizens Channel ka mësuar në terren se disa tregtarë të mishit kanë filluar të bëjnë therjen e mishit gjatë natës, për t‘i shpëtuar syrit të autoriteteve. Por gjithashtu nëpër fshatra banorët kanë filluar që të bëjnë vetë prerjen e mishit e duke e shitur atë në afërsi të zonës ku jetojnë. Gjithashtu edhe futjen e mishit nga importi, banorët e shohin si rrezik, sidomos kur bëhet fjalë për produktet e mishit që vijnë nga Maqedonia.

Tregtarët e mishit ngrejnë dyshime se e gjithë kjo zhurmë po bëhet vetëm e vetëm që një subjekt i caktuar të marrë monopolin në treg për therjen e mishit dhe më pas t’i vendosin çmimet si të duan. „Kjo normalisht do të bjerë si kosto shtesë tek blerësi, sepse ne do të ruajmë fitimin“, deklarojnë tregtarë të ndryshëm të mishit në Bulqizë dhe Dibër.

Një gjë e tillë mohohet kategorikisht nga drejtori i AKU-së në Dibër, Agron Cara. Sipas tij grupet e punës së institucionit që ai drejton kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren për të parë nëse një masë e tillë ndalimi në pikat e tregtimit të mishit po zbatohet. “Ku do ta çojnë mishin që gjoja e therin natën, a do ta shesin!? Po gjatë gjithë ditës grupet e punës janë në terren dhe në mënyrë kategorike nuk mund të bëhet një gjë e tillë”, deklaroi Cara për Citizens Channel.

Por një histori abuzimi me mishin në Dibër është edhe kontrabanda e mishit nga Maqedonia. Kafshët e gjalla futen nga zona e Maqellarës, që është zonë kufitare me Maqedoninë. Burime të Citizens Channel që kërkuan të ruhej anonimati, deklarojnë se një mish i tillë përfundon në qyetet e mëdha, pasi Dibra duke qenë një zonë e vogël, i bën lehtësisht të identifikueshëm tregtarët e mishit dhe se nga vjen mishi që ata shesin.

Autor: Sami Curri

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *