Punë me dy bilance: një për shtetin, një për “mbretin”

Pensionist i vetmuar. Foto: Amarildo Topi Citizens Channel Pensionist i vetmuar. Foto: Amarildo Topi Citizens Channel

Shqipëria është vendi me performancën më të dobët në mbledhjen e të ardhurave në rajon. Kjo edhe pse taksat janë rritur, veçanërisht në vitet e para të mandatit “Rama 1” dhe barra fiskale është ndër më të lartat krahasuar me fqinjët ballkanikë. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se ne mbledhim vetëm 28.1% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, ndërsa vendet fqinjë, si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia grumbullojnë shumë më shumë, respektivisht 32.4 %, 40.5 % dhe 41.3 % të PBB-së.

Niveli i ulët në mbledhjen e të ardhurave dëshmon, jo vetëm për rendimentin e dobët të punës së administratës fiskale, por edhe për shkallën e lartë të informalitetit dhe evazionit. E thënë ndryshe, numrit të madh të bizneseve që nuk paguajnë apo atyre që punojnë me dy balance. Treguesi më i qartë i kësaj situate është zëri i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, aty ku Shqipëria është dukshëm dobët krahasuar me vendet e rajonit. Ne mbledhim nga ky zë vetëm 5.2% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto ose sa gjysma e mesatares së rajonit. Në Maqedoni nga kjo taksë mblidhen 8.4% e PBB-së, në Maqedoni niveli është 12.2 % e PBB-së, ndërsa në Serbi 12.5% e PBB-së.

Niveli i ulët i mbledhjes së të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është tregues i informalitetit të lartë të punës. E thënë ndryshe, faktit që një pjesë e punonjësve punojnë në “të zezë” dhe një pjese tjetër, nuk u deklarohen pagat reale, por sigurohen vetëm për pagën minimale, që përcaktohet me ligj (aktualisht është 24 mijë lekë në muaj).

Pasojat e dy bilanceve tek qytetarët

Ish zv.drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Flobenc Dilaver e konsideron ende shumë shqetësuese situatën me bizneset që operojnë më dy bilance. Kjo edhe pse qeveria, që prej shtatorit 2015 ka nisur luftën anti-informalitet dhe ku muajt e fundit, në fokus ka vendosur kompanitë e mëdha. “Edhe pse ka një ulje të lehtë në vitet e fundit përsa i përket përdorimit të dy bilanceve, sidomos në biznese të mëdha, përsëri mbetet problem ky fenomen për ekonominë shqiptare. Arsyeja e përdorimit është pothuaj gjithmonë e njëjtë: mos deklarimi i saktë i të ardhurave, kryesisht për të përfituar në pagesat e detyrimeve për tatimin e korporatave dhe dividentin. Situata mbetet problematike aq shumë, sa edhe FMN e ka prezantuar këtë shqetësim në disa takime me autoritetet e administratës tatimore, duke e konsideruar një nga elementët kyç të evazionit në bizneset e mesme, kryesisht, por edhe tek një pjesë e atyre të mëdha”, deklaron Dilaveri për Citizens Channel.

Pasojat e një situate të tillë i vuajnë qytetarët. Ata që sot punojnë në të zezë dhe që nuk sigurohen, nuk u njihen vitet e punës dhe rrjedhimisht, nuk përfitojnë pension kur arrijnë moshën. Ndërsa ata që sigurohen për pagë minimale, do të përfitojnë një pension minimal.

“Prania e punës me dy bilance (një për shtetin dhe një për ‘mbretin’, pra pronarin/pronarët- e kompanisë) tek ne është një realitet sa i trishtë, aq edhe i gjatë sa vetë tranzicioni shqiptar. Burime nga tatimet që nuk duan te dalin zyrtarisht, pranojnë se me bilance të trukurara punojnë rreth 80 për qind e sipërmarrjeve të mesme dhe të mëdha në Shqipëri. Dikush ka vetëm një ose disa zera kryesorë të ndryshuar në bilancin e dorëzuar pranë tatimeve, të tjerë ‘guxojnë’ më shumë dhe e trukojnë në shumicën dërrmuese, apo të gjithin! Kjo situatë nuk do të ishte e tillë, në rast se profesioni i ekspertit të çertifikuar kontabël nuk do të rridhte ujë nga të gjitha anët, në drejtim të degjenerimit të vlerave etike dhe morale. Edhe eksperti më i njohur apo me dije, jo të pakta në profesion, ‘dorëzohet’ përpara pagesave ‘shtesë, përtej FEE-së (honorarit) të zakonshme të pronarit të kompanisë ose drejtorit ekzekutiv. Nuk ka kontroll për punën e ekspertit kontabël, njëlloj sikurse edhe për punën e gjykatësit apo prokurorit. Vetë ekspertët ofrohen si trukues profesionistë”, argumenton për Citizens Channel, Fatos Çoçoli, ekspert për ekonominë.

Ish numri dy i Tatimeve, Flobenc Dilaveri shkon edhe më tej se mungesa e pensionit apo pensioni minimal, janë pasojat që mund të vujanë qytetarët nga bizneset që operojnë me dy bilance. “Efekte tek qytetarët patjetër që ka sepse ata humbin dy herë. Në fillim si qytetarë nga evazioni dhe pastaj, edhe si punëmares, pasi nuk u deklarohet paga e saktë e humbasin në pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shendetësore”, shpjegon ai.

Cfarë duhet bërë?

Ekspertët e gjejnë zgjidhjen tek forcimi i institucioneve shtetërore, atyre që e kanë detyrim ligjor që kontrollojnë dhe rregullojnë tregun. “Masa e parë është që nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, të paktën subjektet që aplikojnë për kredi të detyrohen që të aplikojnë me bilancin zyrtar. Së dyti, nga administrata tatimore i duhet kushtuar shumë më tepër kujdes procesit të pranimit të bilanceve, duke mos e konsideruar proces rutinë, por bazik e me shumë ndikim në të gjithë ekonominë. Së treti, duhet rritur ndërveprimi i strukturave të tatimeve me studiot kontabël apo ekspertët e pavarur për të kërkuar prej tyre (pasi në pjesën dërmuese ata hartojnë bilancet) hartimin e bilanceve reale, duke i penalizuar”, deklaron Dilaveri.

Çoçoli shkon më tej, teksa propozon një skemë për të disiplinuar bizneset dhe eleminuar dukurinë e dy bilanceve nëpërmjet kontrolleve shtetërore.

“Gjendja mund të fillojë të ndryshojë, vetëm nëse qeveria merr nismë dhe në varësi të Kuvendit, miratuar po prej tij, cakton një trupë kontrolluese të çertifikuesve të bilanceve tregtare në Shqipëri. Një lloj ‘vetingu’ dhe strukture me disa ekspertë të njohur, që do të pranojnë të jenë publikisht të paanshëm, pa konflikt interesi me punën e ekspertëve kontabël që do të vlerësojnë. Kjo është shumë e vështirë të realizohet në realitetin tonë, por do të shërbente si pikënisje për një ndryshim të gjendjes së patolerueshme që kemi. Numri i firmave që trukojnë bilancet e tyre është dy herë më i lartë në Shqipëri nga sa është në Maqedoni e Mal të Zi dhe disa here më i lartë nga vendet e tjera evropiane fqinjë, si Greqia dhe Italia”, shprehet Çoçoli.

Nuk duam apo nuk mundemi. Derisa sa të zgjidhet kjo dilemë, janë me mijëra ata që sot nuk sigurohen dhe që nesër, do të jenë një barrë për buxhetin e shtetit dhe rrjedhimisht, edhe për ata që paguajnë.

Autor: Aurora Sulçe

2 Comments on Punë me dy bilance: një për shtetin, një për “mbretin”

  1. Nje per shtetin nje per mbretin, por mbreti nuk eshte pronari thoji dilaverit,
    Mbreti jane drejtoret e ministrat. Evazioni qe bejne kapet nga tatimet, i marrin leke ne dore per ta mbyllur e ta nxjerre biznesin te paster, nje pjese nga keto para shkon te keta drejtore, te cilet po ashtu cojne pjesen te ministri cdo muaj, po pyete dilaverin se e ka marre kuoten rregullisht ne tatime….

  2. Flobensit i vente zarfat nga drejtorat e tatimeve cdo muaj. E ka pyetur ndonje here veten sa evazion lejojne ata qe te bejne para per flobensin dhe per veten. Tani na bejen sikur jane shenjtore qe ne kohen e tyre kane luftuar evazionin.

Leave a Reply

%d bloggers like this: