Ministria e Mjedisit ndal masakrën mjedisore në Malin e Tomorrit

Pas denonicimit në media të masakrës mjedisore në Malin e Tomorrit ka reaguar Ministria e Mjedisit, e cila ka gjobitur dhe pezulluar 12 guroret që ushtronin aktivitet për shfrytëzimin e gurit dekorativ.

Masat ndaj tyre janë ndërmarrë paraditen e së dielës (19.11) gjatë inspektimit në terren të një ekipi me inspektorë të Inspektoriatit Mjedisor dhe përfaqësues të Agjencisë së Mjedisit dhe Zonave të Mbrojtura.

I pranishëm në këtë inspektim ministri Blendi Klosi tha se “përveç gjobitjes dhe revokimit të lejes mjedisore, i gjithë dokumentacioni i tyre do të kalohet në sitë dhe sipas shkeljeve të konstatuara do të merren masa të ashpra deri në ndjekje penale”.

Duke parë situatën nga afër ai paralajmëroi një reformë të plotë së bashku me institucionet e tjera shtetërore në ndryshimet ligjore dhe lejet mjedisore për biznesin e guroreve. “Ne nuk mund të lejojmë që këto gurore të shfrytëzojnë në mënyrë barbare një nga pasuritë më të bukura natyrore të Shqipërisë që është Mali i Tomorrit. Ne nuk mund të lejojmë që këto gurore, si shumë gurore në Shqipëri, të shfrytëzojnë pasuritë natyrore jashtë çdo kriteri mjedisor. Do të reduktohen në mënyrë të menjëhershme të gjitha lejet mjedisore të dhëna për guroret të cilat janë jashtë kritereve. Do të kërkohet evidentimi i problematikave të gurores, duke parë lejet dhe mënyrën sesi shfrytëzohen këto gurore, pasi këto duhet të kenë një leje të mirëpërcaktuar, mënyrë pune të mirëpërcaktuar dhe mbrojtje mjedisi të përcaktuar me ligj”, theksoi Klosi.

Ministri Belndi Klosi gjatë inspektimit në Malin e Tomorrit. Foto: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

Ministri Belndi Klosi gjatë inspektimit në Malin e Tomorrit. Foto: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

Gjithashtu Ministri Klosi theksoi se lufta kundër guroreve që shkelin lejet mjedisore është një nga pikat kryesore të aksionit 6- mujor, “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”.

Denoncimi i emisionit Fiks Fare

Fiks Fare denoncoi shkatërrimin e Malit të Tomorrit nga guroret e mermerit, në afërsi të fshatit Mëlovë, në Skrapar. Banorët e pakët të këtij fshati ankoheshin për kushtet e vështira të jetesës si pasojë guroreve të mermerit, të cilat xhirojnë miliona euro. Ata pretendojnë se guroret u kanë prishur shtëpitë, të mbjellat dhe gjithçka përreth.

Lejet e para për shfrytëzimin e mermerit në këtë zonë janë dhënë në vitin 2005, ndërsa deri më sot janë dhënë 12 leje.

Mali i Tomorit është shpallur park kombëtar me një vendim të Këshillit të Ministrave më datë 18 korrik 2012. Guroret e fshatit Mëlovë dhe në Grykën e Dëvrisë u lanë jashtë parkut, megjithëse janë pjesë e Malit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: