Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjykata vendos rikthimin në punë, por ligji nuk mbron ish-nëpunësit civilë

Doriana Daraku nga Tirana, në vitin 2008, u emërua si specialiste në Sektorin e Auditimit pranë Drejtorisë së Auditimit të Brendshëm në Bashkinë e Tiranës. Asokohe juristja e re, që kishte nisur të ndiqte nga afër edhe rastet e shumë të larguarve nga puna duke u ofruar konsulencë ligjore, as nuk do t’a imagjinonte se shumë shpejt  do të ishte një prej tyre.

Në vitin 2011, kryetari i ri i bashkisë i asaj kohe, vendos lirimin nga detyra të nëpunëses civile, me argumentimin se “nuk ishte punësuar konform kushteve të përcaktuara për audituesin e brendshëm”.

“Largimi im nga puna kishte motive të qarta politike”, thotë juristja për Citizens Channel.

Nga ajo kohë Doriana, ka kaluar me radhë të gjitha shkallët e gjyqësorit, madje çështja e saj ka mbërritur deri në Gjykatën Kushtetuese.

Doriana Daraku. Foto: Private Citizens Channel
Doriana Daraku. Foto: Private

Komisioni i Shërbimit Civil ka vendosur sistemimin e juristes në një pozicion tjetër, vendim ky i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Por gjithçka është rrëzuar në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, vendim të cilin Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën. Nga maji i vitit 2015 çështja është kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Nisur edhe nga rasti i saj Doriana, i është përkushtuar tashmë çështjeve civile, e më konkretisht atyre që kanë të bëjnë me largime të padrejta nga puna.

“Edhe pse kanë kaluar mëse dy vite, që çështja është kthyer në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, nuk është bërë ende gjykimi, kështu që mbetem në pritje të vënies në vend të së drejtës sime”, rrëfen ajo për Citizens Channel.

Fluks padish në Gjykatën Administrative të Apelit 

Paditë si ajo e Dorianës janë të shumta. Mesatarisht pesë ish nëpunës të administratës i drejtohen çdo ditë Gjykatës Administrative të Apelit, për të ankimuar vendimin e Shkallës së Parë.

Për periudhën Janar – Korrik 2017 pranë kësaj gjykate janë depozituar 897 çështje të reja që lidhen me largimet me puna, me objekt që nga “Shpërblim dëmi të shkaktuar nga zgjidhja e menjëhershme e kontratës së punës”, “Rikthimi në vendin e mëparshëm të punës” e deri tek “Pavlefshmëria e masave disiplinore ose gradave”.

Largimet e padrejta nga administrata, shpesh për motive politike, vazhdojnë të shtojnë kostot në kurriz të taksapaguesve. Në fund të vitit 2015, vlera e përllogaritur për t’ju kthyer ish-nëpunësve që kishin fituar gjyqet, sipas Ministrisë së Financave arrinte në 30 milionë dollarë.

Largimet nga puna, në 80% të rasteve në Apel humb administrata

Muajt pasues të zgjedhjeve të përgjithshme në vendin tonë, tradicionalisht janë shoqëruar me bum shkarkimesh në administratën publike. Ndonëse shpeshherë pushimet janë “fshehur” nën termin ristrukturim institucioni apo reformë, vendimet e gjykatave administrative flasin në shumë raste për të kundërtën, duke i konsideruar largime të padrejta dhe duke dhënë vendime në favor të ish-punonjësve.

Referuar të dhënave të Gjykatës Administrative të Apelit, në periudhën janar-korrik 2017, vendimet e formës së prerë për mosmarrëveshjet në marrëdhëniet e punës zënë 32% të volumit të përgjithshëm.

Në këtë hark kohor, Gjykata Administrative e Apelit ka dhënë 3591 vendime, nga të cilat rreth 1200 kanë pasur objekt marrëdhëniet e punës dhe kundërshtimin e masave disiplinore ose heqjen e gradave.

Pas shqyrtimit të dosjeve, 957 ish-nëpunës të administratës publike, që  përbëjnë 80% të apelimeve në 7 muajt e parë të vitit, kanë fituar kundrejt institucioneve publike, kryesisht qëndrore, duke marrë dëmshpërblim në një masë të caktuar page ose dhe vendim për rikthim në punë.

Këto çështje janë depozituar në Gjykatën Administrative të Apelit kryesisht në vitin 2015.  Nëse llogaritet edhe koha kur ato janë gjykuar në shkallën e parë, del se largimet nga puna të paditësve janë kryer pas ndërrimit të qeverive në vitin 2013.

Gjykata vendos rikthimin në punë, por ligji nuk mbron ish-nëpunësit

Gjatë shqyrtimit të dosjeve në 7-muajt e parë të vitit, Gjykata e Apelit Administrativ ka vendosur që 126 të shkarkuarve t’u paguhet rroga deri në momentin e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës. Por thuajse në të gjitha rastet, edhe pse me vendimet e gjykatës në duar, nuk kanë mundur të rifitojnë të drejtën e tyre. Kjo bën që për të njëjtin vend pune në administratë, taksapaguesit të paguajnë dy here, për atë që ka aktualisht postin dhe ish-nëpunësin, që i jep të drejtë gjykata.  

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon rehabilitimin, por për shkak të mungesës së bazës ligjore detyruese për institucionet, praktikisht ka mbetur e pazbatueshme.

Neni 44 i  Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: “Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve.”

Por teksa është sanksionuar në Kushtetutë, çfarë e pengon rikthimin e ish-nëpunësve në pozicionet e mëparshme, kur gjykata ua jep këtë të drejtë?

Ermir Dobjani, ish Avokat i Popullit, një nga ekspertët e njohur të së drejtës administrative në vend, e konsideron problem serioz mosrespektimin e parimit të rehabilitimit.

“Ky është një problem i madh, sepse shpeshherë qytetarë të ndryshëm kanë më shumë nevojën e rehabilitimit, jo thjesht të marrjes së disa pagave. Ata kërkojnë të rikthehen në vendin e tyre të punës, kur janë hequr në mënyrë të padrejtë. Ky parim nuk është parashikuar në legjislacion, ndoshta për interesa të politikave të momentit, në rastet e ndërrimit të pushtetit, kur nuk ka dashur të kthejë në vendet e punës njerëzit, por është mjaftuar vetëm me dhënien e disa apo pagave të një viti sipas verdiktit të gjykatës. Shteti është dëmtuar shumë edhe nga pikëpamja financiare, sepse janë paguar dy individë për të njëjtin pozicion në administratë shtetërore”, thotë Dobajni për Citizens Channel.  

Gjatë muajve janar-korrik 2017 gjykata u ka dhënë të drejtë rikthimi në punë 126 ish-nëpunësve, por në sa raste është ekzekutuar vendimi? Për të marrë përgjigjen e kësai pyetjeje ne iu drejtuam  kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita.

“Ne nuk jemi në dijeni të rasteve të ekzekutimit të vendimeve, pasi procesi i ekzekutimit mbikqyret nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë. Sigurisht që në praktikën gjyqësore ka raste kur përmbaruesit gjyqësorë paraqesin kërkesa për marrje masash administrative në rastet e mosekzekutimit dhe këto kërkesa paraqiten në Shkallë të Parë, ndërsa në Gjykatën e Apelit vijnë mbi bazë ankimi. Ekzekutimi i vendimit është i rëndësishëm jo vetëm për rivendosjen e të drejtës së subjektit por edhe për shkak të kostos financiare që e shoqëron mosekzekutimin e tij”, deklaroi Selita për Citizens Channel.  

Vendimi për rikthim në punë jepet nga gjykata, por rezulton i pazbatueshëm. Çfarë duhet bërë në një situatë të tillë?

“Institucioni që e ka larguar nga puna, mbart detyrimin për t’a rikthyer në punë. Ky institucion është i detyruar t’a ekzekutojë detyrimin e vendosur me vendim gjyqësor të formës së prerë, dhe ne rastet e pamundësisë objektive, vendimi duhet të ekzekutohet sipas përcaktimeve të ligjit në rastet e shkrirjes apo suprimimit të pozicionit të punës, duke i ofruar nëpunësit civil një pozicion të barasvlefshëm, me pozicionin e punës që ka pasur në momentin e largimit nga shërbimi civil”, vazhdon më tej Selita.

Ligji “Për nëpunësin civil (ndryshuar me ligjin nr.178/2014), në nenin 66/1 parashikon se vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë zbatohen menjëherë nga njësia përgjegjëse. Por kur rikthimi në detyrë është objektivisht i pamundur, atëherë ata regjistrohen në një listë pritjeje deri në sistemimin e tyre në një pozicion të rregullt në shërbimin civil.

Për të qënë konform me këtë parashikim ligjor, institucionet i regjistrojnë ish- nëpunësit fitues në listat e pritjes, ku mbeten për vite me radhë, pa mundur të rehabilitohen.

Reforma në administratën publike

Reforma në administratën publike është një nga proceset e domosdoshme për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në vazhdimësi qeveritë e kanë shpallur si prioritet reformimin e administrates publike. Në muajt e fundit të vitit 2013, pak kohë pas miratimit të ligjit “Për nëpunësin civil”, ish-ministrja e Inovacionit Milena Harito, e cilësoi administratën publike si të politizuar prej 70 vitesh dhe premtoi një reformim rrënjësor të saj. Për këtë arsye por edhe si e vetmja mënyrë për të ofruar një shërbim civil të qëndrueshëm, profesional dhe me cilësi për qytetarin, dy vite më parë, u miratua edhe “Strategjia Ndërsektoriale e Reformës ne Administratën Publike 2015-2020”. Ajo mbështetët në katër shtylla; në politikbërje, në shërbimin civil dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe në procedurat administrative.  

Por sa ia kanë dalë këto nisma të reformojnë administratën publike? Dosjet e panumërta në gjykata të të larguarve nga puna dhe fitorja e tyre në më të shumtën e rasteve, dëshmojnë për rezultatet e deritanishme.

Autor: Dafina Hysa*

*Autorja është gazetare dhe modertare pranë televizonit me profil ekonomik SCAN

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *