Nertila Zabzuni, 10  vjeç, është shtruar në pediatrinë e Qendrës Spitalore Nënë Tereza në Tiranë. Ajo vuan nga sindromi nefrotik prej tri viteve dhe ende është duke u trajtuar me dialize.

Nertila vjen nga një familje që nuk njeh asgjë tjetër veç vuajtjeve. Familja e saj jeton në Pogradec, në një shtëpi me qira në varfëri të plotë. Nëna e saj nuk mundet të dëgjojë e të flasë, ndërsa babait të saj gjatë punës i ndodhi një aksident ku humbi një dorë dhe si pasojë u bë i paaftë për të punuar.

Në të gjithë këtë histori ajo që po e përjeton më së shumti është Nertila, sepse nuk ka njeri ta ndihmojë. Ajo ka pothuajse tri muaj që është e shtruar në spital dhe mjekët thonë se gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar por duhet të vijojë me dializën tre herë në javë.

E vetmja mënyrë që Nertila të gëzojë shëndet të plotë është transplanti i veshkave. E ëma e saj rezulton me të njëjtin grup gjaku por duhet të bëjë edhe ekzaminimet e tjera nëse do të rezultojë dhuruese ose jo.

Për të gjitha këto asaj i nevojitet shumë ndihmë prandaj i është drejtuar me një letër Kryeministrit Edi Rama, të cilën po e publikojmë të plotë më poshtë.

Xhaxhi Edi Rama,
Unë që po të shkruaj këtë letër quhem Nertila Zabzuni dhe jam 10 vjeç. Tani ndodhem tek Spitali Nënë Tereza. Jam shtruar këtu pasi jam e sëmurë me një sëmundje që nuk e di emrin por thjesht shoh që marr gjak çdo ditë. Ndjej që më dhembin shumë veshkat, edhe fytyra edhe barku më fryen shumë. Vajza e tezes që kujdeset për mua dhe po më ndihmon të shkruaj këtë letër thotë se sëmundja quhet sindromi nefrotik.
Xhaxhi Edi familja ime jeton në Pogradec, por vij në Tiranë vetëm për të marrë gjak. Mami im është e sëmurë, nuk dëgjon dhe nuk flet dot. Babi im është me një dorë të gjymtuar sepse e ka vrarë kur ishte në punë. Babi im nuk mund të punoj më, as për mua, as për motrën dhe vëllain tim të vogël dhe ne nuk kemi shumë gjëra për të ngrënë. Ne hamë disa ushqime që mami i merr pasi ikin tregtarët nga tregu. Unë do të kisha edhe një motër të vogël por ajo nuk jeton më, pasi ishte e sëmurë dhe vetëm dy muaj qëndroi me ne. Unë qava shumë për motrën time, edhe për babin tim pasi dëgjova nënën që tha që babi ishte i sëmurë me kancer dhe do të operohej në nofull.
Unë jam shumë e vogël, por arrij të kuptoj shumë mirë që familja ime po vuan shumë. Edhe tani që unë jam në spital e di që ata janë mërzitur shumë sepse u bënë 3 vjet që unë jam e sëmurë. Mua më ka marrë shumë malli që të shkoj në shkollë dhe të luaj me shoqet e mia. Por nuk mundem, pasi doktori më ka thënë se duhet shumë kohë që unë të shërohem. Unë nuk dua të rrij më këtu, ndihem shumë keq dhe vetëm qaj. Nuk qaj para njerëzve sepse nuk dua t’i mërzis se unë jam e fortë dhe do të duroj derisa të mos marr më gjak por të jem shumë e shëndetshme. Unë dua të dal jashtë këtyre mureve dhe dua të rritem shpejt që të ndihmojë familjen time. Ata nuk kanë asnjë njeri dhe unë duhet që të kujdesem për ta. Unë dua të rritem shpejt sepse dua që të bëhem doktoreshë dhe të ndihmoj të gjithë fëmijët që janë të sëmurë. Unë do të shërohem apo jo xhaxhi Edi?!
Të lutem më ndihmo që të shërohem edhe të jetoj edhe unë një jetë plot ngjyra. Më ndihmo që të ndihmoj familjen time. Të lutem xhaxhi Edi më bëj të buzëqesh sërish dhe të jem e lumtur.
Të falenderoj shumë xhaxhi Edi!
Nertila Zabzuni

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu