INSTAT: Rritet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri

Ndërsa qeveria flet për një rritje ekonomike, në fakt familjet shqiptare kanë gjithmonë e më pak lekë në duar për të përmbushur nevojat e tyre më elementare. Sipas Instat, gjatë 2016-ës, familjet shqiptare shpenzuan 3.5 % më pak para se në 2015-ën duke rritur dhe thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.

Sa lekë harxhon një familje shqiptare

Shqiptarët mendojnë ende për të “mbushur barkun”. Të paktën kështu duket nga Anketa e Buxhetit Familjar 2016, publikuar nga INSTAT dy javë më parë,  sipas së cilës gjysma e parave që ka në dispozicion për një muaj një familje shqiptare shkon për ushqime dhe pije jo-alkoolike. 

Por duket se sasia e parave që kanë pasur mundësi të shpenzojnë shqiptarët për mirëqenien e familjes së tyre nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me deklaratën e qeverisë shqiptare që foli për një rritje ekonomike me sufiçit përgjatë 2016-ës (rritja ekonomike u deklaruar 3.4%) . Sipas anketës së buxhetit të familjeve shqiptare, ndonëse shpenzimet për këtë kategori zinin 45.2 % të totalit që një familje kishte në dispozicion, sërish ata ishin 3.5 % më pak se sa 2015-a. 

Më konkretisht,  INSTAT, vlerëson se shpenzimet mesatare për konsum të një individi janë rreth 20 mijë lekë në muaj nga të cilat 9 mijë lekë shkojnë për konsum ushqimor.

tabela 2 struktura

Por çfarë ushqimesh blihen me 9 mijë lekë?

Vendin e parë e zënë shpenzimet për “Qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë”, të cilat duket se nuk mungojnë në asnjë tryezë të familjeve shqiptare, duke i marrë 18.1 % të buxhetit. 

Me 17.5 % të buxhetit, në vend të dytë renditen shpenzimet për  “Bukë dhe drithëra” si dhe “Mish e nënprodukte”, të ndjekura nga shpenzimet për perime që zënë 13.9% të shpenzimeve dhe  frutat me 8 % të shpenzimeve.  

Shpenzimet për grupin “Pije alkoolike dhe duhan”, përbëjnë 3.4 % të buxhetit, ndërsa “duhani” zë peshën kryesore me 62.6 %.

Grupi “Restorante dhe hotele”, që përfaqëson konsumin jashtë shtëpisë, përbën 4.4 % të buxhetit. Përqindjet e shpenzimeve për restorante përbëjnë pjesën më të madhe, rreth 89% ,  ndërsa shpenzimet për hotele vetëm 11 %.

Diferencat

Por edhe vetë brenda këtij buxheti modest ka diferenca të theksuara midis qarqeve. Sipas Instat, në vitin 2016, një familje harxhoi një buxhet prej 73.143 lekë. Lista kryesohet nga qarku i Tiranës, ku në 2016 një familje shpenzoi mesatarisht 85 mijë lekë në muaj, që ndiqet nga Durrësi me 78 mijë lekë dhe Shkodra me 75 mijë lekë në muaj. Qarku me buxhetin më të vogël familjar është ai i Gjirokastrës me 57 mijë lekë, i cili është qarku që pësoi uljen më drastike të të ardhurve familjare nga 74.993 që e kishte më 2015-ën,  i ndjekur nga Elbasani me 58 mijë lekë në muaj.

Po sipas anketimit të Instat ka diferenca të mëdha edhe mes të pasurve dhe të varfërve, diferencë që ka ardhur duke u thelluar edhe më.  90 % e familjeve harxhojnë një buxhet mujor prej 64 mijë lekësh në muaj, ndërsa 10 % e familjeve shpenzojnë një buxhet mujor 159 mijë lekësh.

“Shpenzimet mesatare për konsum tregojnë se në vitin 2016,  shpenzimet mujore të të “pasurve” u rriten me 14.6 %,  në krahasim me rritjen e shpenzimeve mesatare të pjesës tjetër që u rritën 0.6 % në krahasim me 2015. Si rrjedhim, raporti për këtë tregues, paraqet një rritje të pabarazisë nga 2.2 në 2.5  krahasuar me 2015″ – thuhet në anketën e Instat, trend i cili pasqyrohet edhe tek shpenzimet mesatare të konsumit për frymë që thelluan “pabarazinë nga 3.3 në 3.5, krahasuar me vitin 2015”.

tabe 3 sipas qarqeve

Shërbimet e tjera

Me 10.2 %  të totalit të buxhetit, qiraja, faturat e energjisë së ujit dhe të dritave është grupi i dytë më i madh për të cilin shkojnë paratë e një familje shqiptare. Ngrohja vazhdon të gllabërojë një pjesë të madhe të parave të familjeve shqiptare.  50.3 %  të këtyre shpenzimeve shkojnë për pagesën e energjisë elektrike dhe 17.3 % për përdorimin e lëndëve të tjera si gaz, naftë dhe dru zjarri.

Sa i përket shpezimeve të tjera,  4.8 % e buxhetit të një familje shkon për “Veshje dhe këpucë”, 5 % e buxhetit harxhohet për “Mobilim, pajisje shtëpiake”, shpenzimet për arsimim zënë 4,4 % të buxhetit, ndërsa grupi “Komunikim” ku përfshihet telefon, internet i kushton çdo muaj 3.3 % të buxhetit një familje, ndërkohë që shpenzimet për “Shëndetin” renditen nga fundi me 3.4 % e totalit të  buxhetit mujor. Interesant është fakti peshën më të madhe e zë blerja e medikamenteve me rreth 75.4 % dhe vetëm pjesa e mbetur shkon për kujdes shëndetësor.

Autor: E.K / Citizens Channel

Leave a Reply

%d bloggers like this: