Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Elbasani prej një muaji në emergjencë mjedisore, banorët ankohen se nuk po merren masa

Elbasani ka më se një muaj që ka shpallur emergjencën mjedisore për shkak të ndotjes, por banorët thonë se gjendja nuk ka ndryshuar aspak. Ata kërkojnë ndihmë se po mbyten nga ajri i ndotur i industrisë së rëndë.

Nisma ka ardhur pas ankesave të shumta të banorëve të zonave të Bradasheshit dhe Vidhasit, të cilët janë më të prekurit nga mbetjet toksike, jo vetëm nga tymrat e që çlirohen nga fabrikat e inustrisë së rëndë, por prej disa muajsh është hapur edhe një rafineri e përpunimit të naftës. Banorët thonë për Citizens Channel se kjo e fundit mund të dëmtojë jo vetëm shëndetin e tyre, por edhe tokën bujqësore.

Emergjenca mjedisore

Emergjenca mjedisore u shpall në zonën e ish-kombinatit metalurgjik nga Këshilli Bashkiak pas propozimit të kryebashkiakut Qazim Sejdini në mbledhjen e 19 tetorit 2017. Këshilltarët përcollën në mbledhje shqetësimin e qytetarëve të kësaj zone, sipas të cilëve disa prej kompanive operuese në këtë zonë, nuk përdorin filtrat pluhur thithëse duke bërë që situata të jetë shqetësuese.

Kryetari Sejdini mbështeti shqetësimin e ngritur, duke shtuar se ky është një shqetësim i ngritur disa herë edhe nga Bashkia. “Nga kontrollet që Bashkia e Elbasanit ka bërë në këtë zonë rezulton se njëra nga kompanitë nuk i përdor filtrat, ndërkohë që edhe kompani të tjera më të vogla shkaktojnë ndotje”, tha Sejdini.

Madje, ai propozoi shpalljen e emergjencës mjedisore, vendim i cili u mbështet nga të gjithë këshilltarët. Këshilli Bashkiak ngriti një grup pune, i përbërë nga specialistë të mjedisit, i cili do të ndjekë nga afër situatën në këtë zonë dhe problematikat do t’i përcillen Ministrisë së Mjedisit. Sejdini tha se do të mbështesë nismën për të shpëtuar banorët e kësaj zone nga ndotja.

Në Bradashesh dhe Vidhas

Vendimi u prit me pozitivitet nga banorët e Bradasheshit dhe Vidhasit, por sot që ka kaluar më shumë se një muaj nga kjo iniciativë, ata thonë se nuk kanë parë asnjë specialist në zonën e ish-metalurgjikut.

“Gjithë fabrikat po na helmojnë. Rafineria e naftës që është bërë tani, Kurumi, plus edhe dy ferro kromet e rinj që janë për momentin”, tregon Kujtimi branor i fshatit Bradashesh.

“Po i shohin të gjithë që vetëm nëpër spitale po shkojnë përditë, por kjo ndotje ndikon edhe tek kafshët, edhe ato po helmohen”, vijon më tej ai për Citizens Channel.

Kujtimi duke folur për Citizens Channel. Foto: E.Gj
Kujtimi duke folur për Citizens Channel. Foto: E.Gj

Kujtimit i cili shet frutat e kopshtit të tij buzë rrugës së metalurgjisë futet tek kategoria që shpresat po i shuhen dita-ditës për zgjidhje ndaj nuk është entuziast për vendimin e Këshillit Bashkiak

“Me një valixhe lekë besojmë se mbyllet ky muhabet. Vijne të masin ndotjen por shifrat devijojnë rrugës”, përfundon ai.

“Tymra kemi sa të duash, por skemi ku të ankohemi. Kujt t’i themi? Ramës apo Sejdinit? Nuk ka ardhur njeri që të masi ndotjen, ndërsa kalamajt dhe ne sëmuremi, por nuk e dimë nëse kemi prej ndotjes. Megjithatë tymi i metalurgjisë këtej vjen”, rrëfen Xhemilja 75 vjeçarje.

Arben Stafa mjeku në qendrën shëndetësore Bradashesh, thotë se “rastet që vijnë në qendrën shëndetësore me simptoma të ndryshme si azëm, probleme frymëmarrje, njolla në lëkurë etj, janë të shumta”.

“Thuajse çdo javë kemi rastë të tilla nga banorët e kësaj zonë, e cila duhet thënë se është shumë e ndotur dhe kjo ndikon në shëndetin jo vetëm të fëmijëve por edhe të të rriturve”, thotë ai për Citizens Channel.

Ndërsa banorët e fshatit Vidhas duket se janë ata që kanë një konflikt të dukshëm interesi kur behët fjalë për këto kompani e më konkretisht me rafinerinë.

Banorët e kësaj zonë të varfër që jeton vetëm me pak bujqësi e blegtori, janë punësuar pranë kësaj kompanie, si për tu ‘mbyllur gojën’ e për të bërë kësisoj një pakt midis ndotjes dhe bukës së fëmijëve.

Këtu banorët nuk pranojnë të flasin nga frika sepse dikush është roje, dikush tjetër shef turni, përgjegjës e kështu me radhë.

Megjithatë heshtjen e këtyre të fundit e thyejnë ata që janë emigrantë. Gentjan Lleshanaku  tregon se zona më e ndotur është zona e Bradasheshit. “Është zona më e ndotur në botë, flitet për Tiranën gjoja për makinat por ne që hamë helmet e të gjithëve të fabrikave këtu,” tregon ai.

Matësit e ndotjes, larg zonës së  ish-metalurgjikut

Por për matjen e ndotjes, Bashkia Elbasan ka vendosur edhe disa aparate në zona të ndryshme, që monitorojnë 24 orë cilësinë e ajrit në qytet dhe të dhënat janë online për çdo qytetar, apo subjekt që ka interes t’i njohë ato.

Sipas Bashkisë së Elbasanit, aparaturat matëse janë vendosur në 5 pika të ndryshme të qytetit ku është menduar se ajri është më i rënduar. Por sipas specialistëve, këto aparatura janë të lëvizshme dhe do të ndryshohen nëse lind nevoja. Ky fakt u përmend edhe në mbledhjen e 19 tetorit të këshillit bashkiak të Elbasanit.

Konkretisht, kryebashkiaku Sejdini tha se “Bashkia e Elbasanit gjithashtu ka instaluar aparate matëse të ndotjes në disa pika në qytet, një prej të cilave edhe në zonën e ish kombinatit metalurgjik, të cilat do të japin një pasqyrë të saktë të gjendjes së mjedisit. Monitorimi 24 orë i gjendjes së mjedisit do të çojë më pas në përcaktimin e shkaqeve dhe marrjen e masave”.

Duke u nisur nga ky fakt i përmendur nga vetë kryebashkiaku, ne kontrolluam këtë aplikacion për të parë sesi paraqitet gjendja e ndotjes.

Vendndodhja e aparateve matës të ndotjes në Elbasan. Citizens Channel
Vendndodhja e aparateve matës të ndotjes në Elbasan.

Nga verifikimi i kryer në faqen dedikuar nga Bashkia Elbasan për sensorët e ndotjes së ajrit (http://79.106.162.242:3392/sensoret/vizitor.php) rezulton se ndryshe nga sa deklarohet se janë vendosur aparatura matëse në pesë pika të ndryshme, janë publikuar vetëm 4 të tilla. Pra, të dhënat e një aparature matëse nuk janë publikuar online, ndërsa katër të tjerat janë vendosur brenda Unazës së Elbasanit dhe asnjë prej tyre nuk është në zonën e ish-metalurgjikut, në të cilën është shpallur emergjencë mjedisore.

Pika më e afërt me këtë zonë është ajo e rrethrrotullimit pranë lumit të Zaranikës. Të dhënat e saj tregojnë se janë nën maksimumin e lejuar, krahasuar në normat europiane. Disa të dhëna që janë mbi normat europiane janë regjistruar nga aparatura e vendosur pranë Universitetit të Elbasanit, siç është dioksidi i karbonit.

Debati në Këshill

Por, ky konstatim ka sjellë dyshime edhe te këshilli bashkiak, i cili më 20 nëntor u mblodh sërish për të diskutuar mbi vendimin që u mor një muaj më parë.

Ekspertët e bashkisë pretenduan sërish se cilësia e ajrit në Elbasan po monitorohet nga 5 aparaturat e cilësisë së ajrit që janë të vendosura në disa pika te qytetit, pavarësisht se online dalin vetëm të dhënat e katër prej tyre. Inxhinierët prezantuan në Këshill Bashkiak nismen dhe rezultatet e para.

“Jemi jashtë pritshmërive. Treguesit këtë kohë, tregojnë që Elbasani është brenda parametrave”, tha inxhinieri Vladimir Kareci. Por, këshilltarët e opozitës dhanë sugjerimet e tyre për zonat ku është e nevojshme të vendosen aparaturat.

“Aparatet të zhvendoseshin për të matur edhe njëherë situatën, duke nisur nga unaza e Elbasanit dhe deri te Kombinati Metalurgjik dhe Fabrika e Çimentos”, kërkoi Blendi Himçi, këshilltar i PD. Një premtim i tillë është marrë nga grupi i punës, por nga ana tjetër mësohet se zona e ish kombinatit metalurgjik është në monitorim edhe nga Ministria e Mjedisit, por rezultatet nuk janë bërë publike.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse këto aparate matëse do të zhvendosen në zonën e shpallur si emergjencë mjedisore, apo do të vazhdojnë të masin ndotjen në qytetin e Elbasanit, duke dhënë kështu rezultate pozitive për kompanitë, të cilat vijojnë të pashqetësuara aktivitetin e tyre.

Autor: E.GJ / Citizens Channel 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *