Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dorëheqja e mjekëve në QSUT, firmosin edhe 4 të tjerë: Ikim me 5 janar nëse nuk përmirësohen kushtet

Një letër publike e 8 mjekëve të urgjencës së QSUT për dorëheqje kolektive ka mjaftuar për të nxjerrë në pah majisjen e shërbimit të ku shpëtohet jeta në spitalet tona.

Të mbipopulluara tej çdo kapaciteti, me pacientë që shpesh herë e marrin shërbimin ulur në karrige apo korridor, me staf shumë minimal në krahasim me kërkesat, listës së bluzave të bardha që kërcënojnë me dorëheqje i janë shtuar pasditen e së mërkurës edhe katër mjekë të tjerë nga shërbimi i urgjencës në QSUT. I vetmi që nuk e ka firmosur ende këtë peticion, është shefi i shërbimit Edmond Zaimi.

Kanë qenë dyndjet e shumta të pacientëve, pas situatës së përmbytjeve, që kanë shkaktuar edhe reagimin ekstrem të 8 mjekëve të shërbimit të urgjencës në QSUT.
Petrit Vargu, një nga mjekët që ka firmosur, na shpjegon se Situata është më shumë se Dramatike. “Dje kishim 70 pacientë, me kartelë në dorë që prisnin të shtroheshin. Ndërkohë kemi vetëm 9 dhoma me kapacitet dy shtretër secila. Në këtë situatë i ngjeshëm dhomat dhe i bëmë me nga 4 shtretër, që nuk është e rekomandueshme për shëndetin e të sëmurit dhe pavarësisht kësaj kishim edhe 70 të tjerë që prisnin të shtroheshin. Epo kjo situatë është absurde, as ne nuk punojmë dot dhe as të sëmurit nuk i shërbehet”, na shpjegon kardiologu i urgjencës së QSUT-së, Petrit Vargu.

Citizens Channel ka mësuar se gjatë ditës së djeshme, listës së firmëtarëve me 8 mjekë i janë shtuar edhe 4 bluza të bardha nga ky shërbim, i cili ka në total 13 mjekë. I vetmi që nuk ka firmosur është shefi i shërbimit, Edmond Zaimi.

Ai duket se ka një qasje krejtësisht tjetër me vartësit e tij. “Mjekët janë të lirë të bëjnë çfarë të duan. Unë nuk kam firmosur asnjë letër, pasi unë i shërbej një institucioni dhe jo halabakërisë, – thotë për Citizens Channel, shefi i urgjencës së QSUT-së, Edmond Zaimi. – Unë di që të gjithë jemi në krye të detyrës dhe i vetmi problem që duhet të zgjidhim ne si mjekë është të përpiqemi t’u shërbejmë sa më mirë të sëmurëve. Këto të tjerat janë çështje menaxhimi që dalin jashtë kompetencave të shërbimit tonë, dhe janë kompetencë e drejtuesve të spitalit. Kur kemi filluar këtë punë e kemi marrë përsipër që t’u shërbejmë të sëmurëve në çdo kohë dhe në çdo situatë, kush nuk e bën dot është problem i tiji”, na thotë Zaimi.

Për Vargun letra e tyre nuk është kërcënim, por vetëm një kërkesë bazike. “Ne kërkojmë kushte më të mira pune për t’u shërbyer pacientëve. Nuk po kërkojmë as rritje rroge, as shtim stafi, nuk po bëjmë as presion, nuk e kemi braktisur vendin e punës. Nëse këto kërkesa nuk reflektohen, atëherë më 5 janar ne japim dorëheqjen, jo se duam, po me këto kute nuk mund tu shërbejmë të sëmurëve. Me sa duket problemi aktualisht po shkon drejt zgjidhjes, por kjo është një zgjidhje e imponuar dhe unë jua garantoj se nëse nuk merret seriozisht kjo çështje atëherë në të njëjtën situatë do të jemi edhe në shkurt”, na shpjegon Vargu.

Aktualisht për të shtensionuar situatën e krijua nga mbipopullimi në ugjencë, pacientët e urgjencës po i shpërndajnë nëpër shërbimet e tjera.

Problemet e mbartura të urgjencës

Nuk është hera parë që urgjenca përballet me flukse të tilla pacietësh. Madje edhe ankesat më të shumta të qytetarëve për shërbimin shëndetësor, lidhen me rastet e trajtuara në urgjencë pasi aty vendoset beteja për jetë a vdekje. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja e shpalli prioritet të tij reformimin me themel të urgjencës, por përveç blerjes së disa autoambulancave, asgjë tjetër nuk ndryshoi.

Isuf Kalo që është marrë për një kohë të gjatë me procesin e akreditimit të spitaleve e shikon situatën e krijuar në urgjencën e QSUT-së, si majën e ajsbergut të problemeve reale të këtij shërbimi.

“Urgjenca nuk është vetëm te spitali. Urgjenca është atje ku ndodh, urgjenca është tek mjeti i transportit të të sëmurit, çfarë kushtesh i ofron dhe pastaj tek spitali. Dhe reforma në sistemin shëndetësor duhet të fillojë pikërisht tek urgjenca, pasi këtu bëhet fjalë për ndihmë imediate, ndërsa një ndërhyrje edhe pret. Unë do t’u këshilloja politikbërësve që pikërisht kështu ta nisin reformën, kurse këta thonë do të ndërtojmë spitale. 6-katëshi është rikonstruktuar 4-herë, tani kanë çelur një fond miliona euro dhe do ta rikonstruktojnë për të pestën herë, ndërkohë që urgjenca e vërtetë është pikërisht shërbimi ku vendoset për jetën e të sëmurit. Shërbimi i urgjencës duhet shtuar në staf, dhe këtu e kam fjalën për infermierët dhe jo vetëm me mjekë, aty duhen çuar të shërbejnë mjekët më të specializuar, më të kualifikuar se vendimi që duhet marrë duhet të jetë i menjëhershëm ndryshe nuk e shpëton dot një jetë. Modelet ekzistojnë, thjesht duhet nisur nga e mbara. Unë mendoj që mjekët e urgjencës po paguajnë huqet e të gjithë sistemit tonë shëndetësor, pasi një urgjence nuk i thua dot: jo unë nuk të vizitoj se ti më vjen nga rrethet”, na shpjegon Kalo.

Ylli Ziçishti, ish shefi i urgjencës kirurgjikale në QSUT për më shumë se një dekadë, e konsideron jonormale veprimin e kolegëve të QSUT.
“Për mua është një veprim jonormal. Të gjithë mjekët mund ta japin dorëheqjen, por një mjek i urgjencës jo. Së bashku me kolegët, urgjenca ka përballuar situata shumë më të vështira me plumba dhe kërcënime gjatë 97-ës, por askush nuk ka dhënë dorëheqjen”, na thotë Ziçishti.

Ndërsa sa u përket kërkesave të mjekëve për përmirësim kushtesh shprehet se “nuk është çështje kushtesh, pasi urgjenca e re aktualisht është mjaft e mirë, por nuk funksionojnë spitalet e rretheve. Po ashtu duhet të forcohet figura e mjekut, por po e lë punën nuk forcohet figura e mjekut”, përfundon Ziçishti.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *