Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shëndeti i konsumatorëve në rrezik, në treg mish me ngjyrues dhe qumësht me aflatoksinë

Shqiptarët vazhdojnë të konsumojnë produkte ushqimore të pasigurta. Nga një studim i publikuar së fundmi nga Albanian Food Industry (AFI) ka rezultuar se vaji, mishi, qumështi dhe nënproduktet e tyre vazhdojnë të jenë pjesë e skemave të mashtrimit me ngjyrosje, kimikate, vaj palme, apo edhe të shitjes së një produkti tjetër për tjetër.

Si për ironi, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të pasigurtë për çka konsumojnë, numërohen me gishtat e dorës rastet kur përgjegjësit kanë përfunduar para drejtësisë, për shkak të mbivendosjes së kopetencave mes institucioneve.

Kampionet e produkteve ushqimore janë marrë për analizim gjatë periudhës 31 mars -1 qershor 2017, dhe u janë nënshtruar testeve në një laborator të akredituar dhe të certifikuar në Shqipëri dhe më pas janë dërguar edhe në Itali.

Mishi

Mishi dhe nënproduktet e tij vazhdoijnë të jenë shumë problematikë. Kështu sipas studimit të AFI, 15 % e produkteve të mishit të analizuara rezultuan me ngarkesë të lartë mikrobiale dhe 20% e tyre rezultoi me prezencë të mundshme të ngjyruesit E 120.

“Kjo tregon që kushtet higjieno- sanitare në të cilin ruhet, transportohet apo përpunohet mishi nuk janë sipas parametrave të lejuar nga normat kombëtare dhe ndërkombëtare. Sa i përket ngjyruesve, ky element shërben për ta bërë mishin të duket sa më i freskët. Pasqyrimi i këtij elementi në etiketë është detyrim ligjor (neni 36 i ligjit të ushqimit)”, thuhet në raportin e AFI. Po ashtu një nga produktet e mishit ka rezultuar me salmonelë, e cila mund të kalojë nga kafsha tek njeriu.

Vaji

Shitet për vaj ulliri, por në fakt nuk është vaj ulliri. Të paktën kështu ka rezultuar nga studimi i Albanian Food Industry. “Për një nga vajrat e ullirit të testuara, rezultoi se parametrat e tij nuk përputhen me ato të vajit të ullirit. Ekzaminimi spektrofotometrik dhe metilet e jashtme të acideve yndyrore rezultuan jashtë normave. Përqindja e ulët e acidit oleik tregon se ky nuk është vaj ulliri. Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me ligjin tregton një produkt që etiketa nuk përputhet me përmbajtjen”, citon AFI. E megjithatë këto raste të abuzimeve duket se nuk janë shumë të shpeshta. Sipas AFI në 80 % të rasteve parametrat e tyre rezultuan brenda normave.

Qumështi

Është një nga produktet ku abuzohet më së shumti. Kështu në 25 % të produkteve të qumështit rezultuan me aflatoksinë.  Alflatoksina M1 gjendet tek produktet e bylmetit dhe është një nga toksinat më të rrezikshme që ekzistojnë. Ajo mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë dhe kancer që rezulton nga aktivizimi i P450 në epoksid i cili prek ADN-në.

Ndërsa qumështi i fshatit i tregtuar në bidon 1.5 kg rezultoi me ngarkesë të lartë mikrobiale. Sipas këtij studimi një nga produktet e gjalpit ka rezultuar me sasi të acidit oleik më të lartë se normat e lejuara, ndërsa një nga produktet e djathit me sasi të acidit palmitik më të lartë se normat e lejuara. “Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me nenin 36 të ligjit të ushqimit nuk tregon përbërësin ‘vaj palme’ në etiketë”, thuhet në këtë studim.

Fruta-perimet

“Çudia” në fakt qëndron tek fruta-perimet. Ndërsa të gjithë i akuzojnë për rritje me hormone, në fakt nga ky studim kategoria fruta-perime rezulton 100% pa probleme dhe me parametra brenda normave europiane.  

E njëjta situatë ka rezultuar edhe për lëngjet e frutave. “Ky është një tregues pozitiv përsa i përket kësaj grup kategorie që tregon se fermerët apo kompanitë që merren me kultivimin e fruta perimeve janë të kujdesshëm në përdorimin e substancave gjatë mbjelljes, rritjes dhe kultivimit të tyre”, shpjegohet në këtë raport.  

Siguria ushqimore, jo prioritet

Por ndërsa nuk janë të pakta rastet kur janë konstatuar abuzime me cilësinë e ushqimit, nuk ka ecur të njëjtin drejtim ndjekja ligjore e abuzuesve. Sipas Albanian Food Industry, duket se edhe vetë organet e drejtësisë, apo ata të pushtetit vendor nuk e kanë marrë shumë seriozisht çështjen e sigurisë ushqimore.

Këtë e tregon edhe fakti se vetëm 64 % e prokurorive të rretheve i kanë kthyer përgjigje kërkesës së Albanian Food Industry, për ecurinë e procedimeve të regjistruara për nenin 288 dhe 288/ a. Situata nuk është aspak optimiste edhe nëse zbresim në nivel lokal, duke e vendosur sigurinë ushqimore në fund të prioriteteve de facto.

Në kuadër të studimit, iu është dërguar shkresë bashkive të çdo qarku, ku kërkohej një raport vjetor të veprimtarisë për vitet 2013- 2016 të strukturave përgjegjëse në bashki për ndjekjen e çështjeve të sigurisë ushqimore. Nga 11 qarqe janë përgjigjur vetëm 2, përkatësisht bashkia Dibër dhe bashkia Berat, të cilat nuk kanë kanë dhënë raporte por kanë sqaruar vetëm strukturën.

E njëjta situatë raportohet edhe për bashkinë e Tiranës, përkatësisht Agjencinë e Mbrojtjes së konsumatorit, e cila merret si një model i bashkëpunimit mes qeverisjes lokale dhe asaj qendrore.

“Në përgjigjen e dërguar nga AMK përcillet vetëm informacion lidhur me funksionet e strukturave veterinare të qeverisjes vendore dhe asnjë informacion lidhur me materialet e kërkuara”, – thuhet në raportin e AFI.

Përplasja për kompetencat

Që në krye të herës, përplasja për kompetencat ka qenë “thembra e Akilit” që kanë çuar në dështimin e misionit për garantimin e sigurisë ushqimore, në të gjitha hallkat e saja. Treguesi më i qartë është ajo që paraqitet mes policisë dhe prokurorive të rrethit. Ligjërisht, Policia e Shtetit duhet të përgatisë kallëzimet për shkelësit e ligjit të ushqimit dhe ti depozitojë në Prokurori.

Më konkretisht Policia e Shtetit është pjesë e Operacioneve Ndërkombëtare “OPSON V” dhe “OPSON VI” organizuar nga INTERPOL dhe EUROPOL ku janë kontrolluar në total rreth 655 subjekte tregtare, persona fizike, punishte dhe automjete. Policia ka sekuestruar tonelata me mallra të ndryshme ushqimore dhe pije të falsifikuara/nën standarde, janë proceduar penalisht për shkelje të të drejtave të pronësisë dhe vepra të tjera penale si kontrabandë, prodhim të kundraligjshëm, falsifikim të stampave, vulave apo formularëve, fshehje e të ardhurave rreth 90 subjekte, janë arrestuar në flagrancë 12 persona, por nga raportimet e prokurorisë situate paraqitet krejt tjetër.

Kështu nga viti 2013-2015 në të gjithë vendin janë regjistruar në total 18 procedime për shkelje të nenit 288 “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin” dhe vetëm 5 prej tyre kanë shkuar për gjykim. Ndërsa për shkejle të nenit 288/a “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, po për të njëjtën periudhë kohore, pra 2013-2015 ka nisur procedim për 47 raste dhe kanë shkuar për gjykim 29 raste.

“Numri i vendimeve të pushimit apo mos fillimit nga ana e prokurorisë dhe numri i kallëzimeve për nenin 288/a të Kodit Penal nga ana e Policisë së Shtetit tregon më së miri nivelin e bashkëpunimit mes këtyre insitucioneve”, thuhet në raportin e Albanian Food Industry.

Për shkak të mos daljes të udhëzimeve dhe urdhërave për AKU që nga krijimi i saj një ndër debatet më të forta është përplasja e kompetencave midisAKU dhe bashkive të qarqeve, debate të cilat marrin formë akoma më shumë pas ligjit për reformën territoriale. Për të gjithë këto arsye, ekspertët mendojnë se sistemi i kontrollit dhe manaxhimit të sigurisë ushqimore, gjatë këtyre njëzet e pesë viteve në Shqipëri, është jo funksional dhe jo efektiv.

Ata rëndisin ndër arsyet kryesore të kësaj situate janë moskonsolidimi i institucioneve përgjegjëse të sigurisë ushqimore, ekonomia bujqësore pothuajse tërësisht informale dhe mungesa e kuadrit rregullativ të plotë dhe adekuat. Dhe për të treguar se sa e rëndë është situata kur vjen puna tek siguria ushqimore ata i referohen faktit se “Shqipëria nuk lejohet që të eksportojë mish dhe produkte blegtorale për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë së tyre, drejt tregjeve të BE, dhe produktet me origjinë shtazore kanë bilancin më të keq tregtar: afro 200 milion Euro importe”.

Autor: E/K / Citizens Channel

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *