Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Banorët, ekspertët e mjedisit dhe aktivistët të vendosur për të mbrojtur Valbonën (Video)

Qindra qytetarë kanë protestuar paraditen e së dielës (17. 12. 2017) për ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Nën moton #mosmaprekValbonën protestuesit mbajtën fjalime në Parkun Rinia në Tiranë, ku argumentuan se HEC-e të tilla do të shkatërrojnë përfundimisht një nga perlat e turizmit dhe natyrës në Shqipëri, siç është Parku Kombëtar i Valbonës

“Për ndërtimin e këtyre HEC-eve së pari, duhet të kishim pasur një konsultim me banorët dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Vendimi i ndikimit në mjedis është i pavlefshëm sepse është dhënë në korrik 2013-të dhe pas dy vitesh nuk vlen më, pasi duhej të bëhej nga e para dhe me sa informacion kam unë nuk e kanë një gjë të tillë. Një vendim i qeverisë marrë kohët e fundit, parashikon se në zonat e mbrojtura nuk jepen më leje për ndërtimin e HEC-eve”, u shpreh në fjalën e tij pedagogu dhe aktivisti, Ervin Goci.

Në Rezolutën e Parlamentit Evropian të vitit 2016-të deklarohej se duhej të rritej  transparenca dhe konsultimet me publikun për të gjitha projektet e HEC-eve të cilat ishin planifikuar për t’u ndërtuar.

Pas dy vitesh që po punohet për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë, kompania “Gener 2” ka nxjerrë një video të asaj se çfarë do të ndërtohet në Valbonë. Pak javë më parë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë i dha të drejtë kompanisë për vazhdimin e punimeve, ndërsa banorët e Valbonës e kanë çuar çështjen në Gjykatën e Apelit dhe njëkohësisht po bëhet edhe një peticion.

 

Protesta Mos ma prek ValbonenLive nga protesta #mosmaprekValbonën. #citizenschannel

Posted by Citizens Channel on Sunday, December 17, 2017

 

“Nëse ne do të vazhdojmë të heshtim, të mos reagojmë, të mos e ngremë zërin për çështje që na prekin, si në rastin e projekteve në Parkun Kombëtar të Valbonës apo ai i Vjosës, Butrintit; do të vazhdojmë të thithim tymin e qofteve në sheshin me emrin e simbolit të bashkimit kombëtar, Skëndërbej ashtu siç po ndodh këto ditë. Zërat e zogjve do të shuhen, natyra e bukur shqiptare do të përçudnohet”, u shpreh për Citizens Channel Prof. as. Dr. Elizabeta Susaj, eksperte mjedisi dhe pedagoge në Universiteti Polis.

Protestuesit paqësisht marshuan në drejtim të Ministrisë së Energjitikës dhe më pas në Sheshin Skënderbej, për të përcjellë mesazhin e tyre për ndalimin e masakrës mjedisore që po bëhet në Valbonë.

Në fjalën e tij përpara Ministrisë së Energjitikës, Goci dha edhe disa arsye se pse qeveria duhet të ndalojë menjëherë ndërtimin e HEC-eve në Valbonë:

”Nëse këta mendojnë se në arbitrazh mund ta humbin çështjen e kanë gabim. Neni 59 i Kushtetutës së Shqipërisë; ligji për mbrojtjen e mjedisit; lejes së mjedisit dhe ndikimit mjedisor; ligjit të zonave të mbrojtura dhe faktit se është Park Kombëtar; ligji për mbrojtjen e biodiversitetit; ligjin për konsultimin publik dhe menaxhimin e ujrave këto janë argumente shumë të fuqishme për shtetin. Por këta janë bërë palë në këtë çështje dhe nuk duan të merren me këtë pjesë”, deklaroi Goci.

Për qytetarë dhe ekspertë të fushës, ndërtimin e HEC-eve në Valbonë e shohin edhe si një kërcënim serioz për shkatërrimin e biodiversitetit, duke u bërë apel qytetarëve se në një situatë të tillë duhet të reagojnë në mbrojtje të një pasurie të përbashkët.

“Si qytetare, si përfqësuese e EcoAlbania, por edhe si biologe në profesion, ndërtimi i të tillë HEC-eve do të shkatërrojë totalisht biodiversitetin, të natyrës në atë zonë dhe jetës së qytetarëve që jetojnë aty”, u shpreh Ita Angoni për Citizens Channel.

“Në rast se ne lejojmë që këto HEC-e që janë në ndërtim e sipër në Valbonë, e them me bindje të plotë se Valbona nuk ka për të qenë ajo që ishte dhe ajo që është sot”, deklaroi Besmir Lushaj.

“Sot po bëhet një padrejtësi shumë e madhe, jo vetëm në Valbonë, por në të gjitha parqet kombëtare si në Divjakë, Karavasta, lumin Seta që ka filluar tashmë të futet në tuba. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një sulm ndaj çdo gjëje të bukur që ka Shqipëria”, tregon Jon Grabocka, i cili prej dy vitesh proteston për këtë çështje.

Nga protesta e sotme në Bajram Curri. Foto: Organizata Toka
Nga protesta e sotme në Bajram Curri. Foto: Organizata Toka

Paralelisht me protestën e zhvilluar në Tiranë, janë zhvilluar protesta në Bajram Curri, Prishtinë edhe në disa vende të Evropës për ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në Valbonë. Ndërsa po bëhet edhe një peticion, ku po mblidhen firma fizike dhe online, ku i kërkohet qeverisë që të ndalojë ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës.

“Është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me peticionin prej banorëve të Valbonës. Qeveria e ka në tavolinë, por që deri më sot nuk është marrë në konsideratë. Ne duhet të vazhdojmë të firmosim edhe online që më datë 21 dhjetor të jemi një zë edhe më i fuqishëm në këtë kauzë, në një qëndresë të përbashkët me banorët e Valbonës”, u shpreh në fjalën e tij aktivisti Andi Tepelena.

Ditën e enjte datë 21 dhjetor 2017, përpara Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet protesta e radhës në mbrojtje të Valbonës, ku aktivistët deklarojnë se nuk do të tërhiqen deri sa të ndalin punimet për ndërtimin e këtyre HEC-eve.

Autor: Sami Curri

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *