Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mbeturinat pushtojnë bregdetin e Durrësit, njësitë administrative nuk përballojnë dot situatën

Përmbytjet e fundit me të cilat u përball vendi ynë prekën kryesisht pjesën qendrore dhe jugore të territorit. Pamjet që solli Citizen Channel pasi lumenjtë u tërhoqën në shtratin e tyre, ishin të ngjashme me vendgrumbullimet e mbeturinave. Mijëra qese, bidona dhe mbetje të tjera vareshin nëpër pemët buzë lumenjve.

Prurjet e shumta të lumenjve Erzen dhe Ishëm, megjithëse ndodhen disa kilometra larg disa prej plazheve të frekuentuara përgjatë periudhës së verës në qytetin e Durrësit; Currila, Kallm dhe Porto-Romano, një sasi e konsiderueshme plasitke, gome dhe mbetjesh të tjera e kanë ndotur bregdetin përgjatë tij. Madje nuk mungonin as gjymtyrë kafshësh, ambalazhe ilaçesh dhe age.

 

Ndotja e bregdetit të Durrësit#Video
Prurjet e shumta të lumenjve Erzen dhe Ishëm, megjithëse ndodhen disa kilometra larg disa prej plazheve të frekuentuara përgjatë periudhës së verës në qytetin e Durrësit; Currila, Kallm dhe Porto-Romano, një sasi e konsiderueshme plastike, gome dhe mbetjesh të tjera e kanë ndotur bregdetin përgjatë tij. Nuk mungonin as gjymtyrë kafshësh, ambalazhe ilaçesh dhe age. #citizenschannel

Posted by Citizens Channel on Sunday, December 17, 2017

 

Syri Gjergji, kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal, pranë bashkisë Durrës na bën me dije se ka nsiur puna gradualisht për pastrimin e vijës bregdetare.

“Ne do të bëjmë çmos që me atë fuqi punëtore që kemi, e cila për hir të së vërtetës nuk është një fuqi punëtore e planifikuar për këtë qëllim, që të shtrijmë aktivitetin tonë deri në Gjirin e Lalëzit apo në grykëderdhjen e lumit Ishëm”, u shpreh për ai Citizens Channel.

Ndërsa në një komunikim telefonik, shefi i kabinetit të kryebashkiakut Dako, Lavdosh Beqiraj, u shpreh se “gjendeshin në terren dhe se situata më problematike paraqitej në grykëderdhjet e lumenjve Erzen dhe Ishëm”.

Pranë hidrovorit në Porto-Romano ngrihen pirgje me mbetje urbane dhe kallamishte. Ato janë nxjerrë mënjanë pasi rrezikonin bllokimin e hidrovorit. Ndotje kjo e sjellë nga kanalet kulluese (dhe të ujërave të zeza) që kalojnë në zonën e banura të ish-Kënetës. Ndërsa në anën tjetër, kanali kullues (dhe i ujërave të zeza) të zonës së Spitallës dhe Porto-Romanos, i depoziton mbetjet urbane direkt në detin Adriatik.

“Ndotja e bregdetit nga mbetjet urbane ndodh si pasojë e transportit të tyre nëpërmjet rrjedhave lumore në det. Burimi i ndotjes është mënyra e stilit konsumator të jetesës së njeriut, gjatë së cilës gjenerohet një sasi shumë e madhe mbetjesh”, thotë për Citizens Channel, Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive e qendrës “EDEN” (Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim).

Reforma territoriale-administrative, hapa para apo pas në menaxhimin e mbetjeve urbane?!

Menaxhimi i mbeturinave kryesisht në zonat periferike ka qenë një nga sfidat më të mëdha të administrimit lokal përgjatë këtyre 27 viteve, me lëvizjet masive të popullsisë, dikur komuna, sot njësitë amdministrative janë pjesë e bashkive të qyteteve. Keqmenaxhimi i mbetjeve urbane në zonat periferike sjell hedhjen e tyre në përrenj dhe lumenj, duke shkaktuar një ndotje që transferohet nga mjedisi lumor në atë detar.

Sipas ligjit të miratuar më 31 Korrik të vitit 2014, qeverisja lokale e Shqipërisë përbëhet nga ndarja e saj në tre nivele. Sipas këtij ligji ndahet në 12 qarqe, 61 bashki dhe njësi administrative.

Pastrimi i bregdetit të Durrësit paraqet një tjetër aspekt problematik, pasi Ndëmrarrja e Shërbimit Komunal në bashkinë Durrës është e fokusuar kryesisht tek pastrimi i qytetit.

Citizens Channel disponon organigramën e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal, pranë bashkisë Durrës, ku rezulton se sektori i pastrimit dhe gjelbërimit të qytetit ka gjithsej 339 punonjës, ndërsa njësitë administrative kanë vetëm 27 punonjës.

Ndër 5 njësitë administrative të bashkisë Durrës, Ishmi dhe Rrashbulli nuk ka asnjë punonjës në sektorin e pastrim-gjelbërimit.    

Dy lumenjtë që shquhen për ndotjen e tyre prej vitesh dhe që përshkojnë dy qytete më të mëdha, Tiranën dhe Durrësin, janë lumi Erzen dhe Ishëm. Erzeni ka një gjatësi prej 108 kilometrash dhe buron nga zona e Gurakuqit, në lindje të Tiranës, duke u derdhur në Gjirin e Lalëzit, në veri të Durrësit. Dalja e tij nga shtrati, ashtu siç raportoi më herët Citizens Channel, përveç ndotjes mjedisore përmbyti edhe një numër të madh banesash e biznesesh në zonën e Shijakut dhe Sukthit.

Ndërsa lumi Ishëm rrjedh përmes Shqipërisë qendrore, me një gjatësi prej 74 kilometrash dhe formohet nga bashkimi i Lumit të Tiranës,  përrenjve Tërkuza dhe Zeza. Delta e tij ndodhet në Kepin e Rodonit.

“Është një kombinim përgjegjshmërish të pa përmbushura”

Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive e qendrës “EDEN”, shpjegon për Citizens Channel shkaqet dhe pasojat pas përfundimit në det të mbetjeve urbane.

“Qyetarët nuk janë pikë së pari të edukuar të mos hedhin mbetje në mjedise publike dhe nuk janë të informuar, e të ndërgjegjësuar mbi mënyrat e ndryshme të ripërdorimit të mbetjeve;

Pushtetet vendore ende nuk kane ngritur sistemin e menaxhimit të integruar të mbetjeve në nivel vendor. Sistemi i grumbullimit dhe transportit të mbetjeve është i hapur dhe jashtë standardeve të kërkuara me ligj. Si i tillë, faktorë të ndryshëm, si era, shirat, kafshët, grumbulluesit e mbetjeve etj., i përhapin ato me lehtësi në mjedise të hapura. Në tetor 2017 bashkitë e kategorisë së parë, duhet të raportonin për zbatimin e VKM-së mbi grumbullimin dhe trajtimin e diferencuar të mbetjeve në bashkitë e tyre, por asnjë prej 18 bashkive nuk e ka nxjerrë një raport të tillë.

Reduktimi dhe riciklimi janë hallka të pazbatuara në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve, ndaj të gjitha mbetjet e gjeneruara përfundojnë në kosha duke mos patur asnjë përpjekje të mirëfilltë për reduktimin e sasisë së mbetjeve të gjeneruara. Investimet e qeverisë në ngritjen e tre incineratorëve me fondet publike, shkojnë në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe nuk nxisin asnjë prej pikave të mësipërme, por thjesht zhdukjen e mbetjeve të gjeneruara.

Ndër të tjera, duke qenë së rrjedhat lumore nuk njohin kufij politik dhe administrativ, në bregdetin e Adriatikut shpesh nuk përfundojnë vetëm mbetje të prodhuara nga shqiptarët por edhe nga vendet e tjera fqinje, me të cilat ndahen rrjedhat lumore apo degë të pellgjeve ujëmbledhëse. Për këtë shpesh problemi paraqitet dhe trajtohet si ndërkufitar, por kjo nuk mund të thuhet për lumenjtë Ishëm dhe Erzen, ndotja e të cilëve në kepin e Rodonit është përgjegjësi e vetme e shqiptarëve”, e përfundon analizën e saj Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive e qendrës “EDEN”.

Plastika mbulon brigjet e lumit të Gjolës

#Video #Mjedisi
Prurjet e shumta të ujit nxorrën në pah problemin e ndotjes së lumenjve. Lumi i Gjolës, që përshkon Tiranën, Krujën dhe Durrësin është kthyer në një kosh gjigand mbetjesh urbane. Pamjet e dy anëve të lumit të ngjasojnë më shumë me një vendgrumbullim mbetjesh se sa brigjet e një lumi. http://citizens-channel.com/2017/12/04/shiu-i-dendur-nxjerr-ne-pah-ndotjen-e-larte-te-lumenjve/ #citizenschannel

Posted by Citizens Channel on Monday, December 4, 2017

Autor: Geri Emiri*

*Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut Amfora.al, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *