Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studimi: HEC-et e vegjël të financuar nga Evropa po shkatërrojnë peizazhet në Shqipëri

Dy HEC-e të financuar nga Bankat Evropiane po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në natyrë dhe në jetesën e banorëve – janë këto gjetjet e një studimi të ri të publikuar sot nga rrjeti CEE Bankwatch

Nga vizitat në terren në hidrocentralet e Rrapunit dhe Tërnovës, të zhvilluara në fillim të Qershorit 2017 është konstatuar një mungesë pothuajse e plotë e zbatimit të monitorimit nga ana e autoriteteve shqiptare. Të dy këto projekte janë financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në të dyja rastet dëmtimet në mjedis janë shoqëruar edhe nga pakësimi i ujit të përdorshëm për banorët e zonave ku këto HEC-e janë ndërtuar. Infrastruktura mbështetëse si rrugët e aksesit kanë shkaktuar një dëmtim të mëtejshëm të këtyre mjediseve natyrore.

Veçanërisht HEC-et “Rrapuni 1 & 2”, në afërsi të qytetit të Librazhdit, nuk lëshojnë në shtratin e lumit sasinë e ujit që do të ishte e mjaftueshme për të mbështetur funksionet ekologjike të lumit si dhe funksionimin normal të mullirit tradicional që shërben për bluarjen e drithërave në fshatin Togëz. Ky fakt ndikon edhe në agravimin e një problemi tjetër të krijuar disa qindra metra më poshtë nga operimi i HEC-eve “Rrapuni 3 & 4” në pronësi të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, ku në fakt në shtratin e lumit nuk lihet të rrjedhë asnjë pikë ujë.

“Rrapuni 1 & 2” ndodhet në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. E gjithë kjo zonë është nën një presion të jashtëzakonshëm nga ndërtimi i HEC-eve ku janë dhënë 45 konçesione për ndërtimin e HEC-eve brenda Parkut Kombëtar.

Në të njëjtën kohë nga operimi i HEC-it të Tërnovës, mbi qytetin e Bulqizës, janë duke u shkatërruar ekosistemet natyrore që lidhen me Liqenin e Zi, në Majën e Gjatë, i shpallur si Monument Natyre. Ndërtimi i këtij HEC-i përveç të tjerash konsiston në ndërtimin e 23 km kanale devijimi dhe rreth 30 km rrugë aksesi. Projekti po shkakton një erozion masiv përgjatë linjës së tubacionit të devijimit që çon ujin nga Liqeni i Zi drejt turbinave. Nga ana tjetër gjatë vizitës që Bankwatch zhvilloi në Qershor 2017, erozioni ka qenë i lartë edhe përgjatë kanaleve të devijimit që furnizojnë me ujë vetë Liqenin e Zi duke transportuar së bashku me ujin edhe një sasi të konsiderueshme të sedimenteve drejt këtij liqeni.

Olsi Nika nga EcoAlbania dhe njëkohësisht koordinatori për Shqipërinë i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” thotë se “këto janë vetëm disa nga rastet që dëshmojnë mangësitë e agjencive ligj-zbatuese në Shqipëri në fushën e ruajtjes së natyrës dhe monitorimit të kritereve të vendosura në lejet mjedisore për projektet e HEC-eve”.

“Aplikimi i masave zbutëse nuk merret në konsideratë nga kompanitë duke qenë se mungon presioni nga organet shtetërore. Për këtë arsye mënyra e operimit duke dëmtuar mjedisin është shndërruar në një gjë normale sa i përket hidrocentraleve”, vazhdon më tej ai.

BERZH-i i ka pranuar gjetjet e publikuara nga Bankwatch. Për këtë arsye agjentët këshillues të Bankës kanë vizituar vetë këto HEC-e pothuajse një muaj më vonë, në Korrik 2017 dhe përveç të tjerash arritën në përfundimin se HEC-i “Rrapuni 1 & 2” duhet të lëshojë në shtratin e lumit një sasi uji jo më pak se 300 l/s, ndërkohë që sa i përket HEC-it të Tërnovës, kompania duhet të ripyllëzojë dhe të rehabilitojë zonën e eroduar si edhe të ndërtojë struktura të posaçme kurthesh për sedimentet në mënyrë që të shmangë dëmtimin e mëtejshëm të Liqenit të Zi. 

Është ende e paqartë nëse këto angazhime do të përmbushen, pasi publikut i është mohuar aksesi në Planet e Veprimit të aprovuara nga kompanitë kliente të BERZH-it.

“BERZH e ka ndërmarrë hapin e parë dhe ka pranuar problemet me investimet e saj. Tani ajo duhet të bëjë publike të gjitha planet e rehabilitimit dhe të përmbushë atë për të cilën është e angazhuar: zbatimin e masave për zbutjen e ndikimeve të dëmshme të hidrocentraleve të Rrapunit dhe Tërnovës”, thotë Igor Vejnovic, oficer i politikave të hidroenergjisë pranë Bankwatch.

Ky studim është ndërmarrë në kuadër të fushatësTë shpëtojmë zemrën blu të Evropës” dhe mund të gjendet i plotë në këtu 

Autor: EcoAlbania / Bankwatch  

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *