Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bashkitë harrojnë transparencën, Komisioneri tregohet “i butë” me gjobat

Programi i transparencës mbetet i pazbatueshëm nga institucionet vendore, pasi edhe pse është një detyrim ligjor, nga 40 për qind e bashkive nuk është vënë fare në zbatim. Edhe ato bashki që kanë tentuar ta vënë në zbatim, e kanë lënë aq të mangët sa duket se ora u ka mbetur pikërisht në vitin 2015, momenti i hyrjes në fuqi të ligjit të ri për të drejtën e informimit.

Por, moszbatimi i kësaj kërkese ligjore nuk i ka penalizuar këto njësi vendore me gjoba, ashtu siç parashikohet në ligj, pasi Komisioneri për të Drejtën e Informimit është treguar disi “i butë”, pasi deri më sot ka vendosur vetëm një gjobë.

Monitorimi i bashkive

Ligji i ri për të drejtën e informimit, i miratuar në vitin 2014, por që hyri në fuqi në vitin 2015, për shkak të vonesës së akteve normative, përcakton qartë që çdo autoritet publik duhet të ketë të publikuar në faqen e tij zyrtare disa të dhëna, të cilat janë të hapura për publikun, të tilla si: Koordinatori për të drejtën e informimit, Regjistri i kërkesë-ankesave dhe Programi i Transparencës.

Po ashtu, në faqen e internetit duhet të publikohen informacione të ndryshme, që nga konventat, ligjet, aktet nënligjore, procedurat për të bërë një kërkesë ose ankesë, adresa e institucionit, orari i punës, kontaktet, pagat e funksionarëve, arsimi i punonjësve, prokurimet publike dhe koncesionet, raportet e auditit ose kontrollit, të dhënat për buxhetin dhe shumë të dhëna të tjera që gjykohen të dobishme nga autoriteti publik, për të cilat çdo individ nuk ka nevojë për t’u drejtuar me një kërkesë zyrtare për të marrë informacion.

Duke u bazuar pikërisht në këto informacione që duhet të ishin publike dhe për të verifikuar sesi është implementuar programi i transparencës nga autoritetet publike, specifikisht për 61 bashkitë e vendit, Citizens Channel realizoi një monitorim dymujor. Nga ky monitorim rezultoi se nga 61 bashki në të gjithë vendin, vetëm një prej tyre ka plotësuar të gjitha detyrimet ligjore, pikërisht Bashkia e Korçës, ndërsa shumë të tjera, jo vetëm që nuk kanë plotësuar programin e transparencës, por nuk kanë as faqe zyrtare në internet.

Nga monitorimi rezulton që 13 bashki nuk kanë fare faqe në internet, duke bërë kështu që të jenë të paaksesueshme për informacion në kohë reale nga zona të ndryshme që secila prej tyre mbulon, që do të thotë që për çdo informacion, qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave vendore, ose ndryshe të qëndrojnë në terr informativ.

Konkretisht, bashkitë që nuk kanë website janë si më poshtë: Bashkia Rrogozhinë, Bashkia Cërrik, Bashkia Librazhd, Bashkia Prrenjas, Bashkia Libohovë, Bashkia Memaliaj, Bashkia Përmet, Bashkia Këlcyrë, Bashkia Maliq, Bashkia Pustec, Bashkia Has, Bashkia Konispol dhe Bashkia Delvinë.

Por, 13 bashkive që nuk kanë faqe zyrtare online, u bashkohen për mungesë transparence edhe 10 bashki të tjera, që pavarësisht se kanë faqe në internet, nuk kanë program transparence.

Ato janë Bashkia Peshkopi, Bashkia Klos, Bashkia Belsh, Bashkia Tepelenë, Bashkia Fushë-Arrëz, Bashkia Selenicë, Bashkia Sarandë, Bashkia Ura Vajgurore, Bashkia Mirditë dhe Bashkia Finiq.

Në listën e 10 bashkive që nuk kanë zbatuar programin e transparencës vihet re se nuk janë vetëm bashki të vogla, por edhe ato që kanë një buxhet të konsiderueshëm siç është Saranda dhe Peshkopia.

Gjithsesi 38 bashki të vendit kanë futur programin e transparencës, megjithëse në shumë prej tyre rezulton që ka mungesë të theksuar informacioni. Për këtë arsye, Citizens Channel ka analizuar secilën prej tyre për zbatimin e ligjit për informimin publik, duke u bazuar në pesë komponentë të rëndësishëm, siç janë; Koordinatori, Regjistri i kërkesë/ankesave, Programi i Transparencës, Dokumentet zyrtare (pa pasur nevojë për kërkesë) dhe Prokurimet Publike dhe koncesionet.

Nga verifikimi rezulton se 6 prej tyre nuk kanë caktuar një koordinator për marrëdhëniet me publikun, ndërsa 15 prej tyre nuk kanë regjistër për kërkesat dhe ankesat drejtuar institucionit. Po ashtu, nga 38 bashki, 3 prej tyre nuk kanë publikuar sektorin “Program Transparence” si detyrim ligjor, ndërsa 6 të tjera e kanë publikuar pjesërisht.

Edhe për publikimin e dokumenteve zyrtare, për të cilat nuk ka nevojë për kërkesë, por që duhet të jenë publike për të gjithë, vihet re se ka një shtangie të institucioneve vendore për realizimin e këtij detyrimi, pasi nga 38 bashkitë e analizuara rezulton që vetëm një prej tyre, pikërisht Bashkia e Korçës ka plotësuar të gjithë kërkesat ligjore.

Ndërsa për prokurimet publike dhe koncesionet, një sektor, për të cilin ka pasur polemika ndër vite, vazhdon të jetë problematik edhe në ditët aktuale. Nga verifikimi i kryer në 38 bashki, të cilat aplikojnë programin e transparencës, rezulton që 5 prej tyre i kanë publikuar prokurimet, 21 nuk i kanë publikuar fare, ndërsa 12 i kanë publikuar pjesërisht. Pra vihet re se ka një mungesë transparence të theksuar, sidomos sa i përket publikimit të informacioneve për prokurimet publike.

Sipas ligjit për informimin publik, bashkitë duhet të publikojnë të gjitha informacionet për procedurat e prokurimit apo procedurat konkurruese të koncesionit, duke përfshirë listën e kontratave të lidhura, shumën e kontraktuar, palët kontraktuese dhe përshkrimin e shërbimeve apo mallrave të kontraktuara, informacionin për zbatimin dhe monitorimin e kontratave, si dhe udhëzues e politika të ndryshme.

Gjobat e parashikuara

Ligji parashikon përgjegjësi direkte ndaj zyrtarëve që nuk publikojnë dhe refuzojnë të japin informacionin e kërkuar. Është Komisioneri i të Drejtës së Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale institucioni përgjegjës për trajtimin dhe verifikimin e ankesave për shkelje të së drejtës së informimit.

Në rast të verifikimit nga Komisioneri të shkeljes së të drejtës për informim aplikohen gjoba të drejtpërdrejta ndaj titullarit të institucionit, koordinatorit të së drejtës së informimit apo për çdo nëpunës përgjegjës për mosdhënie informacioni. Këto gjoba variojnë 50 mijë lekë të reja deri në 300 mijë lekë të reja.

Zyra e Komisionerit 

Për këtë arsye, ne kërkuam informacion edhe nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Në një intervistë për Citizens Channel, Besnik Dervishi tha se janë 38 autoritete publike nga pushteti vendor, të cilat kanë vënë në zbatim Programin e Transparencës.

Ndërsa i pyetur nëse janë ndërmarrë masa administrative ndaj atyre që nuk e zbatojnë, komisioneri tha se “në total janë vendosur 3 masa sanksionuese me gjobë, ku vetëm një është vendosur për institucionet vendore, konkretisht për Bashkinë Kurbin”. Sa i përket kësaj gjobe mësohet se ajo është kundërshtuar në gjykatë dhe aktualisht janë në proces gjyqësor.

“Për moszbatim të plotë të Programit të Transparencës, Komisioneri nuk ka vendosur gjoba, pasi synohet bashkëpunimi me Autoritetet Publike për përmbushjen e këtij detyrimi. Ndërkohë, Pranë Zyrës së Komisionerit janë regjistruar deri tani 519 ankesa nga qytetarët për mungesë informacioni ose refuzim të tij, nga të cilat 459 janë zgjidhur me ndërmjetësimin e Institucionit. Po ashtu, Komisioneri ka dalë me 51 Vendime Urdhërimi, 3 Vendime Rrëzimi dhe në 6 raste ka dalë me Vendim për sanksion administrative-gjobë”, deklaroi Komisioneri Dervishi për Citizens Channel.

Por, kjo mënyrë e butë, e zgjedhur nga komisioneri nuk i zgjidh problemet e qytetarëve. Ata detyrohen të udhëtojnë nga zonat më të thella të bashkisë që i përkasin, për të marrë informacion pranë sporteleve, ose për të bërë një kërkesë, pasi nuk e gjejnë në asnjë vend tjetër informacionin, i cili duhet të ishte publik.

Portal për prokurimet

Sa i përket transparencës për paratë e njësive vendore, tashmë është krijuar edhe një portal, i cili publikon të dhënat e prokurimeve të realizuara ose që janë në proces nga bashkitë. Portali openprocurement.al synon të bëje transparente dhe lehtësisht të gjetshme të dhëna mbi tendera dhe kontrata publike të 61 bashkive në vend.

“Të dhënat janë në faqen zyrtare, por këto të dhëna në formatin që publikohen janë të tilla që bëhen të pamundura për t’u përdorur. Ndonjëherë edhe për të gjetur një të dhënë është aq e vështirë sa duket sikur e dhëna nuk ekziston, sikur nuk është publikuar kurrë. Një deformim tjetër është heqja e shpejtë e të dhënave dhe dokumentave të një prokurimi nga sistemi on line i prokurimeve publike. Ajo që ne bëjmë është publikimi i informacionit në, të mirëstrukturuar, të  gjetshëm në motorët e kërkimit dhe me filtra kërkimi. Po ashtu ne aplikojmë edhe linked data (të dhëna të lidhura)”, shpjegon për Citizens Channel, Arianita Brahaj, drejtoreshë e Institutit Shqiptar të Shkencës (AIS).

Përmes portalit qytetarët informohen dhe monitorojnë mbi procedura prokurimesh për shërbime, punë dhe blerje me para publike. Informacioni përmban emrin e projektit, afatet e tenderit, llojin e proçedurës, objektin, fondin e shpalljes dhe informacione të tjera. Në vijim, informacioni përditësohet me numrin e pjesëmarrësve në garë, fituesin sipas ofertës, statusin e projektit, afatin e zbatimit të kontratës dhe pagesat e çdo kontrate sipas thesarit të shtetit, një detyrë që sipas përcaktimeve ligjore duhet të kryhet nga vetë bashkitë.

Arianita Brahaj tregon gjithashtu se “këto pasaporta tenderash apo pasaporta kompanish që ne ofrojmë, përdoren nga gazetarët, aktivistët, biznese apo vetë institucionet. Por njëkohësisht kultura e kërkimit të informacionit, faktit dhe vlerësimit të tij është kulturë deri diku e munguar në realitetin shqiptar”.

Autor: Elisa Gjerani / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *