Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Debati për thertoret, çmimi i qingjave rritet me 36%

Edhe me import, në treg ka vakum për qingja të gjallë. Shqiptarët detyrohen t’i plotësojnë nevojat me produkte të tjera shtazore

Disa muaj më parë, Ministria e Bujqësisë nisi aksionin për mbylljen e thertoreve, që nuk plotësonin kushtet higjieno -sanitare. Me qindra të tilla përfshi këtu edhe pika therrje u mbyllën në të gjithë vendin, një nismë që u shoqërua edhe me akuza të forta për klientelizëm dhe favorizim të importit nga ish kreu i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe të konsideruara si politike nga drejtuesit aktual të ministrisë.

Por përtej debatit mes palëve, fakt është që blegtorët duhet të bëjnë rrugë të gjatë për të çuar kafshët për therje ose e kundërta. Thertoret duhet të organizohen që ta mbledhin vetë lëndën e parë tek rritësit e tyre. “Ne nuk kemi bërë ndryshime ligjore. Kemi zbatuar legjislacionin në fuqi për mbyljen e thertoreve pa standarde. Thjesht kemi zbatuar ligjin, që ka qenë në fuqi prej vitesh”, është qëndrimi zyrtar i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Citizens Channel.   

Por një tjetër problem që është konstatuar muajt e fundit në treg është mungesa e qingjave vendas të gjallë. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Statistikat e fundit janë ato të tremujorit të tretë të 2017-ës. Sipas Doganave, në këtë kohë janë importuar 3498 krerë qingjash të gjallë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, importi i tyre ka qenë 0.  

A u favorizua importi?

E vështirë të dalësh në një konkluzion të saktë, nëse mbyllja e thertoreve kishte për qëllim favorizimin e importuesve të caktuar apo jo. Ekspertët që mbështesin këtë argument e shpjegojnë me faktin se deri para mbylljes së thertoreve, tregu ishte tërësisht i fermerëve shqiptarë.

“Nuk di kush ka qenë ideja e mbylljes së të vetmes thertore në Kukës, Gramsh, Fushë-Arrëz apo Skrapar. Është thuajse e pamundur të marresh kafshën në njërin nga këto rrethe, ta therësh 70 km larg e ta kthesh për konsum në po të njëjtin vend. Është qartësisht e dukshme që mbyllja e thertoreve ka një qëllim: të favorizojë monopolet, të cilët vetëm nga grumbullimi i lekurës fitohen minimumi 20 milionë euro në vit. Mbyllja e thertoreve dhe sjellja radikale e institucioeve kundrejt fermerëve dhe biznesit privat ka sjellë vakum në treg. Dhe kjo u përdor shumë mirë për të hapur tregun e importit të këtij produkti, i cili ishte i vetëm në tregun shqiptar”, deklaron Edi Fero, ish drejtor i Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë për Citizens Channel. 

Por këto argumenta hidhen poshtë nga drejtuesit aktualë të këtij dikasteri. Sipas tyre, mungesa e qingjave vendas në këtë periudhë nuk ka lidhje me mbylljen e thertoreve dhe favorizimin e importit, por me sëmundjen që i preku rreth 1 vit e gjysmë më parë, si dhe me mungesën e interesit të blegtorëve për këtë aktivitet.

“Në 2015, nga sëmundja “gjuha blu” ngordhën mijëra dele në 2016. Për 8 muaj ka qenë i bllokuar importi i të imtave dhe të trashave (Shqipëria ka nevojë për import të trashash që të mbulojë konsumin). Për pasojë, janë berë therje edhe të kafshëve që kanë pasur bazë riprodhimin. Edhe eksporti i bulmetit në vend është i bllokuar. Gjithashtu, raporti baxho – fermer është problem (të marrë qumështin në pranverë dhe ta paguajë në dimër), çka ka ulur interesin. Aksioni i disiplinimit të therjeve është totalisht aksion sigurie ushqimore nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ekonomik sepse ka qëllimin final të lejojë eksportin dhe të shtojë interesin e mbarështimit. Me daljen e qingjave të rinj nga 4 dhjetori e këtej nuk ka asnjë qingj importi”, është qëndrimi zyrtar i Autoritetit Kombëtar të Ushqmit për Citizens Channel. 

Me çfarë u furnizua tregu?

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, konsumi i qingjave në Shqipëri arrin mesatarisht 1 mijë krerë në ditë. Po aq sa është importuar mesatarisht në një muaj, në tremujorin e tretë 2017 bazuar në statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. E thënë ndryshe, për këtë periudhë nga importi është plotësuar më pak se 3 % e nevojave të vendit.

“Nevoja për qingja në Shqipëri është 1000 në ditë, ato 3500 qe janë importuar në këtë raport janë gati 0. Kështu që nuk ka asnjë lidhje aksioni me importin. Kush ka dyshime i dërgojmë edhe fotot e thertoreve që janë mbyllur, nqs ka një thertore që ploteson 1 nga 100 standartet e sigurisë”, shprehen zyrtarët e AKU-së.

Por ajo që nuk shpjegohet është se me çfarë është furnizuar tregu këtë periudhë, në kushtet kur prodhim vendas nuk ka pasur dhe kur është importuar pak? Duke i marrë të mirëqënë këta elementë, shpjegime janë dy: ose tregu është furnizuar në mënyrë informale nga blegtorë vendas ose shqiptarët i kanë zëvendësuar nevojat për mish qingji me produkte të tjera shtazore. Në të dyja rastet, situata nuk premton për mirë, pasi qartazi kuptohet se ka vakuum në treg, cka që në finale nuk është një lajm i mirë për konsumatorët.

Rritet çmimi i qingjit në treg

Mungesat në furnizimin e tregut me qingja kanë ndikuar direkt tek çmimi i tij për blerësit. Nga një vëzhgim në pikat e shitjes rezulton se një kilogram mish qingji i gjallë ka arritur aktualisht në 5000 lekë të vjetra nga 3200 që ishte më përpara. Një rritje e konsiderueshme me 1800 lekë për kilogram ose me 36% që iu faturohet dirket konsumatorëve, që në mes të debatit politik për ushqimin, janë humbësit e mëdhenj. 

Autor: Aurora Sulçe

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *